
SARANDE – Rreth 24 orë pas ndalimit nga Policia e Sarandës, mjeku reumatolog, Jani Qirjaqi, ende nuk ka pranuar se ka marrë lekë nga pacienti, për çka është vënë në pranga. I qetë dhe pa asnjë mëdyshje, ai është shprehur para hetuesve dhe vetë avokatit të tij se paratë që policia i gjeti në portofol ishin të tijat dhe se nuk ka pasur të bëjë me asnjë rast për të cilin akuzohet. Paraditen e djeshme, Policia e Sarandës ka dërguar në Prokurori dokumentacionin në ngarkim të mjekut Jani Qirjaqi. Ndalimi i tij është bërë pas denoncimit të bërë në Policinë e Sarandës nga pacienti B.D., banor i Konispolit pas një kërkese për vërtetim drejtimi për KEMP, ku ky figuronte invalid prej katër vitesh. Ditën e mërkurë, kur edhe është bërë ndalimi, mjeku kishte rreth 10 ditë që nuk kishte ardhur në punë, pasi kishte qenë i sëmurë me grip. Ai është marrë në telefon një ditë më parë për dhënien e shumës së lekëve që kishte kërkuar, sipas denoncuesit, dhe për këtë ka shkuar në spital. Madje, nuk ka kryer asnjë vizitë. I biri i invalidit i ka dhënë paratë mjekut dhe menjëherë më pas kanë ndërhyrë blutë e Sarandës që bënë edhe arrestimin e tij. Mjeku Qirjaqi, i cili del në pension për pak muaj, është i vetmi specialist reumatolog në spitalin e qytetit. sh.d











