SARANDE – Një javë para marrjes zyrtarisht të detyrës si kryebashkiak i Sarandës, i dalë nga zgjedhjet vendore të 8 majit, Stefan Çipa ka apeluar për qytetarët që ndërtojnë të heqin dorë nga “babëzia” që vihet re që prej dy muajsh me ndërtime vend e pa vend, qofshin ato me apo pa leje. Ndërtimi më i fundit, i nisur dy ditë më parë, hedhja e një piste ku projektohet të kalojë një tren me goma (lodra për fëmijë) në shëtitoren e Sarandës, ka qenë ndërhyrja më e re shpërfytyruese për qytetin që gjendet në kulmin e sezonit veror. Kryebashkiaku Çipa ka kërkuar nga personat përgjegjës të kësaj platforme çmontimin e saj. Situata kaotike me ndërtime vend e pa vend, e krijuar në qytetin e Sarandës vetëm në këto dy muaj, për kryetarin e ri të Bashkisë është alarmante, një shkatërrim i përgjithshëm që po i vjen qytetit edhe si pasojë e tejzgjatjes së periudhës të ndërrimit të qeverisjes lokale. “Me keqardhje them se kjo periudhë, e ashtuquajtur tranzicion, ka sjellë shkatërrimin urban, mjedisor, por edhe në trafik, në qarkullimin rrugor, në biznes, pra një shkatërrim total të qytetit”, u shpreh Çipa. Ai bëri apel të mos e shkatërrojmë qytetin. “Lejet e marra nga Bashkia do të verifikohen”, u shpreh ai. Ndërsa për platformën metalike të hedhur në shkallët hyrëse për në shëtitore, kryebashkiaku i ri i Sarandës, pasi ka identifikuar se bëhet me lejen e Bashkisë ekzistuese, u shpreh se ka dhënë urdhër që të anulohet leja. sh.d











