Sarandë, digjet me benzinë makina e të riut, rrezikohet pallati

Aug 28, 2012 | 12:25
Dy makinat e djegura dje në Sarandë

SARANDE – Atentat me benzinë, digjen dy makina në qytetin e Sarandës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të së hënës, në Lagjen Nr.3, duke bërë që automjetet të shkatërrohen plotësisht. Dy mjete, njëri me targa greke dhe tjetri me targa franceze, ishin të parkuara nga mbrëmja e së dielës në katin e parë të një pallati 8-katësh, në vendin e quajtur “Depo e Ujit” në Sarandë. Pa zbardhur mirë drita e mëngjesit, persona ende të paidentifikuar i kanë vënë zjarrin njërit prej automjeteve, ndërsa flakët e përhapura në çast kanë përfshirë edhe makinën tjetër ngjitur. Sipas dyshimeve të Policisë, shënjestra e atentatorëve ka qenë njëri prej automjeteve, pikërisht ai “Opel” me targa greke YNM 5947. Flakët e zjarrit nga era që krijohej te vendi ku ishin parkuar mjetet, kanë përfshirë edhe automjetin tjetër të llojit “Renault Laguna” me targa franceze 740YC42. Edhe pse pati banorë të pallatit që dolën jashtë për të shuar zjarrin e rënë në dy mjetet, flakët arritën t’i shkrumbojnë tërësisht ato. Madje, flakët nuk kanë kursyer as një pjesë të katit të parë të pallatit ku ishin parkuar dy makinat, duke nxirë krejtësisht katin e parë. Për disa minuta ka ekzistuar frika se ndoshta flakët e zjarrit përfshinin edhe një parkim të mbyllur të pallatit. Ndërhyrja në kohë e banorëve të pallatit dhe atyre të lagjes, si dhe ardhja e shpejtë e zjarrfikëses ka bërë të mundur që ngjarja të mos marrë përmasa të tjera, veç shkatërrimit total të dy mjeteve. Burime konfidenciale thanë se mjeti tip “Opel” mësohet se është në pronësi të një të riu nga Saranda, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, dhe mendohet se ky mjet ka qenë edhe piketa e djegies, ndërsa nuk dihet shkaku. Ndërkohë mësohet se automjeti i djegur aksidentalisht është në pronësi të një banori nga Tropoja, që ka banesë në Sarandë. Policia e Sarandës ka nisur hetimet për ngjarjen, duke dyshuar se ngjarja ka lidhje me ndonjë larje hesapesh mes autorëve dhe pronarit të makinës me targa greke.       sh.d

© Panorama.al

Te lidhura