SARANDE – Grabitet pas dhunës kambisti në Sarandë. Rreth orës 20:30 të mbrëmjes së djeshme, dy persona me maska kanë ndjekur dhe më pas kanë goditur me mjete të forta 50-vjeçarin Qemal Onjea. Kambisti me banim në Lagjen numër 4 të qytetit po kthehej në shtëpi pas mbylljes së punës në tregun e këmbimit të valutës në qendër të Sarandës. Pranë banesës i kanë dalë dy persona me maska, duke e kërcënuar që t’u jepte paratë që kishte me vete. Kambisti refuzoi t’u dorëzonte çantën, çka solli dhe reagimin e dhunshëm të autorëve, të cilët e qëlluan me sende të forta dhe i morën çantën. Edhe pse i mbuluar nga gjaku, kambisti tentoi të ndiqte autorët, të cilët humbën me shpejtësi në rrugica. Menjëherë Onjea lajmëroi Policinë për grabitjen, ndërsa vetë përfundoi në spital për goditjet. Ende nuk dihet shuma e parave që kishte me vete kambisti.











