SARANDE/ Bie fëmija nga kati i katërt

Sep 3, 2012 | 11:20

SARANDE – Një fëmijë 11-vjeçar ra nga kati i katërt i banesës së tij, ndërsa ngjarja që tronditi lagjen ku ndodhi, sipas Policisë, është aksidentale. Burime nga Policia e Sarandës bënë të ditur se pasditen e djeshme, fëmija me inicialet A.B. ka qenë duke luajtur në ballkonin e banesës që ndodhej në katin e katërt të një pallati të ri. Dyshohet se për shkak të një pakujdesie të fëmijës, por edhe të parvazit të ulët të ballkonit, 11-vjeçari ka humbur ekuilibrin duke rënë. Ngjarja ndodhi rreth orës 18:00, në lagjen Nr 1 të qytetit. Fëmija pësoi plagë të rënda, sidomos në kokë, çka bëri që spitali i Sarandës të kërkonte me emergjencë një helikopter për transportimin e tij drejt Tiranës. Burimet spitalore bënë të ditur se fëmija është dërguar në Spitalin Ushtarak, por gjendja e tij është mjaft e rëndë.    sh.d

© Panorama.al

Te lidhura