Sa herë, çdo vit, në prag dhe përfundim të sezonit turistik i kthehemi dhe rikthehemi turizmit, si degë prioritare e zhvillimit të ekonomisë së vendit. Shifra komente për “suksese e rezultate mahnitëse”, “bum” turistik etj. etj. fillojnë të komentohen e të interpretohen. Shpesh, “ndeshjet” makro apo krahasimet statistikore ia arrijnë qëllimit që të mos matin me kujdes efektet në ekonominë reale. Përcaktojmë si prioritet turizmin dhe themi shpesh sistemi dhe ecuria e tij. Por, siç të gjithë e dimë, nuk mund të ketë sistem pa hallka, dhe nëse këto janë të shkëputura apo spontane, gjithçka që ne i referohemi si industri e turizmit nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të fshehur të vërtetën.
Sepse, që turizmi është një degë që duhet të shndërrohet në prioritet, kjo tashmë nuk ka diskutim. Që strategjitë e zhvillimit duhet të zëvendësojnë spontanitetin, infrastruktura turistike duhet të zëvendësojë kaosin, rregulli të zëvendësojë rrëmujën, kultura e shërbimit turistik (hoteleri, restorant, shërbime të ndryshme) duhet rritur e përmirësuar cilësisht, furnizimi me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike duhet të jetë i sigurt për 24 orë gjatë sezonit turistik (dhe jo vetëm), që shërbimi primar shëndetësor duhet të jetë prezent në çdo qendër turistike, që pastrimi i këtyre qyteteve mbështet një turizëm higjenik etj. etj. tashmë këto dihen, duhen, po thuhen e stërthuhen, nga një sezon turistik në tjetrin, por…
Nuk do të bëj këtu një analizë të plotë të këtij sektori dhe problematikës së tij, as të rezultateve, shifrave për numrin e turistëve dhe krahasimeve, nga një periudhë në tjetrën. As të ardhurat e siguruara apo jo nga ky vit turistik (kur viti turistik të përfundojë, mund të bëjmë analiza të plota). Do të ndalem në disa probleme që frenojnë zhvillimin e këtij sektori prioritar, dhe më konkretisht në të ashtuquajturën “drama e ujit dhe stresi i mungesës së energjisë elektrike” gjatë sezonit turistik këtë verë në Sarandë (po besoj edhe në zona turistike të vendit), siç e konstatova dhe e përjetova vetë, në ato pak ditë pushimi që kalova në qytetin tim të dashur, vendlindjen time.
DRAMA E UJIT DHE BIZNESI I AUTOBOTEVE TE UJIT
Gjatë këtyre 20 viteve, qyteti i Sarandës është zhvilluar, është zbukuruar, është zmadhuar, është trazuar, është ndërtuar, por edhe betonizuar, është rritur dhe rregulluar. Qytetarët e Sarandës, të dashur e mikpritës, të kulturuar dhe punëtorë, mikpritës jo vetëm mes tyre, por sidomos për turistët vendës dhe të huaj, e shohin turizmin si biznesin më me interes dhe përpiqen ta zhvillojnë atë. Kanë shënuar një farë rezultati e progresi në këtë biznes, por kanë mjaft shqetësime e probleme. Por një problem madhor, që shqetëson qytetin, gjithë qytetarët e Sarandës, turistët dhe pushuesit vendës e të huaj, dhe biznesin (hoteleri, restorant) është dhe mbetet mungesa e furnizimit të këtij qyteti me ujë të pijshëm. Një dramë e vërtetë. Qyteti, që në afërsi të tij ka burime dhe rezerva me ujë të pijshëm për të furnizuar gjithë Shqipërinë dhe jo një qytet si Saranda. Për vite të tëra flitet e stërflitet për projekte, të cilat asnjëherë nuk fillojnë e mbarojnë që të kenë në finale zgjidhjen e këtij problemi. Zona të tëra të qytetit (lagje të tëra në pjesën e vjetër dhe e gjithë pjesa e re e qytetit nga Turizmi në Kanal të Çukës) nuk kanë akses me ujë të pijshëm. Njerëz me bidonë në duar që vrapojnë drejt autoboteve, autobote që nxitojnë të bëjnë sa më shumë “rrugë” drejt rezervuarëve të pallateve dhe hoteleve. Këtë sheh çdo mëngjes, drekë dhe mbrëmje. E si mund të bëhet turizëm dhe pushime pa ujë? Çfarë ka ndodhur dhe cilat janë arsyet?
Pa dyshim që arsyet janë të shumta dhe jo të një dite. Ato janë arsye që lidhen me investimet për ujësjellësin, janë arsye teknike dhe organizative, janë arsye të drejtimit dhe menaxhimit të ujësjellësit në Sarandë etj. etj. Më konkretisht:
Së pari – Ujësjellësi aktual, që furnizon qytetin e Sarandës (unë nuk jam ekspert ujërash), nga pikëpamja e kapacitetit është tërësisht i pamjaftueshëm dhe po t’i shtojmë dhe koston e përdorimit të pompave në Vrion (për ngritjen e nivelit të ujit që për muajt Maj deri në Shtator shtohet me rreth 2.5 milionë lekë në muaj) është edhe tërësisht joefektiv.
Së dyti – Drejtimi dhe menaxhimi i Ujësjellësit të Sarandës, edhe me kaq kapacitet uji që ka, është thuajse kaotik.
Së treti – Për më tepër, drejtimi i Ujësjellësit, prej më shumë se një viti, vazhdon të jetë në “ngërç” vendimmarrjeje (më lehtë merr vendime Këshilli i Sigurimit të OKB-së për problemet më të rëndësishme të globit, se sa Bordi i Ujësjellësit për furnizimin me ujë në Sarandë!) për shkak të mosarritjes së konsensusit të organeve vendimmarrëse të kësaj kompanie (bordit), rrjedhojë e mungesës së konsensusit të Këshillit Bashkiak të qytetit për këtë çështje (a thua se nuk duan ujë edhe vetë ata, pavarësisht se të kujt partie janë).
Së katërti – “Gojët e këqija” në Sarandë thonë se situata dramatike e furnizimit me ujë, sidomos gjatë verës, është e lidhur me zhvillimin e një biznesi të ri, atij të furnizimit me autobote me ujë të ndërtesave, hoteleve, restoranteve, kostoja e të cilave varion nga 2500 në 4000 lekë (të rinj) për bot. Vetëm një hotel, me 25-30 dhoma, do dy autobote në ditë me ujë, që arrin në një kosto prej gati 100 mijë lekësh në muaj (1 milion lekë të vjetër) për çdo subjekt, hotel apo restorant.
Biznesi i autoboteve të ujit në Sarandë përflitet si “biznes jo i keq” dhe pse jofitimprurës, jo vetëm për autobotet, por dhe për ata që “fshihen” pas tyre.
Pasojat: Saranda, qytetarët, pushuesit, turistët, bizneset vuajnë “dramën” e mungesës së ujit.
Zgjidhja: Për furnizimin me ujë të pijshëm të qytetit të Sarandës është i nevojshëm një investim i ri në ujësjellës (ndoshta projekti i kalasë), i cili kërkon angazhime dhe kalimin nga premtim në zbatim real nga ana e qeverisë dhe rritjen e presionit pozitiv të organeve lokale për këtë çështje. Gjithashtu, për të menaxhuar më mirë situatën aktuale edhe kështu siç është, kërkohet konsensus nga Këshilli Bashkiak dhe më shumë vendimmarrje nga Bordi i Ujësjellësit dhe menaxhim efektiv (deri tani i munguar) nga drejtuesit e kësaj kompanie.
STRESI I MUNGESES SE ENERGJISE ELEKTRIKE
Një çështje tjetër, po kaq sensibile, shqetësuese dhe me ndikim jo pozitiv në zhvillimin e turizmit në qytetin e Sarandës, është dhe mbetet edhe ndërprerja, deri në mungesa për orë të tëra, e energjisë elektrike. Me gjithë premtimet për “24 orë furnizim pa ndërprerje”, mungesa e energjisë elektrike është shndërruar në një stres tjetër për qytetarët, pushuesit dhe bizneset e këtij qyteti.
Pasojat: Kjo që them nuk është propagandë politike, por shqetësim qytetar për këtë realitet. Dhe ja sepse: E keni provuar të jeni në ashensor (turist, pushues, qytetar vendës), për më tepër i shoqëruar edhe me fëmijë të vogël, dhe, papritmas (kjo ndodh shpesh thuajse çdo ditë), të ikë energjia elektrike? Po të mos kesh telefon celular me vete, mund të përjetosh makthin e asfiksisë. E keni provuar të shkoni në shtëpi, hotel, restorant etj. dhe t’i gjeni të gjitha pajisjet elektrike të dëmtuara(nga ndërprerja, goditja, tensioni i lartë)?
Një stres më vete. Kjo ndodh në Sarandë (nuk e di në Durrës, Vlorë, Lezhë, Shëngjin, Velipojë, Himarë, Dhërmi, Ksamil etj). E keni provuar… çdo shqetësim që vjen nga mungesa e energjisë elektrike…?
Zgjidhja: Zonat turistike, dhe veçanërisht Saranda, kanë nevojë emergjente për investime të reja në fushën e energjisë, sidomos zona hotel “Butrinti” – Kanali i Çukës, duke e përfshirë këtë zonë në atë të qytetit, dhe vendosjen e një linje të re furnizimi 20 kv. Pushuesit dhe turistët, qytetarët dhe biznesi janë më të qetë, më të sigurt dhe natyrisht më pozitiv për turizmin në këtë qytet, nëse ky problem zgjidhet.
TURIZMI DHE PESHKIMI
Peshkimi është një nga pasuritë e Sarandës, detit, natyrisht edhe e biznesit që merret me këtë industri. Është dhe kënaqësi për ata që e ushtrojnë (turist, qytetar) peshkimin si sport turistik apo për pushuesit që dëshirojnë ta shijojnë atë në pjatën e mbrëmjes buzë detit në ditët e pushimit. Unë nuk dua të flas për këto efekte dhe kënaqësi që të jep peshkimi, por për zhvillimin e kësaj industrie dhe lidhjet e ndikimin që ka në ekonomi dhe në zhvillimin e turizmit.
Sot peshkimi është një degë që përjeton një krizë të rëndë. Me gjithë përpjekjet për zhvillimin e këtij sektori (krijimi i rezervateve për rritjen e peshkut), “peshkimi në det të hapur” ka disa probleme. Ato lidhen si me teknologjinë (anijet), ashtu dhe me format e organizimit dhe të zhvillimit të këtij biznesi. Por, dy janë problemet më kryesore:
Së pari – Nafta për vënien në lëvizje (punë për peshkim) të anijeve është elementi më i rëndësishëm i kostos në këtë sektor. Ajo zë 70-75 % të gjithë kostos në këtë industri. Asnjë lloj mbështetje financiare nuk aplikohet në këtë drejtim. Çmimi i naftës vazhdon të rritet e të rritet. Anijet e peshkimit në Sarandë e kanë më të lehtë të shkojnë në Greqi (Korfuz, Pargë) të furnizohen me naftë, sesa në Sarandë. Megjithëse Greqia është në krizë të rëndë, anijet e peshkimit e marrin pak më lirë atje.
Së dyti – Pamundësia e sigurimit të naftës për anijet e peshkimit e ka devijuar peshkimin me anije në drejtim “të peshkimit klandestin e kriminal”, në vrasjen e peshkut me dinamit.
Pasojat: Peshkimi në krizë. Kostoja e peshkut ka shkuar në stratosferë dhe qytetarët, pushuesit e turistët duhet të mendohen mirë kur t’i drejtohen menysë së prodhimeve të detit, veçanërisht peshkut. Peshkimi me “dinamit’ vazhdon të dëmtojë ambientin, këtë pasuri të pafundme e të shumëllojshme të detit dhe të bregdetit dhe ta largojë peshkun nga brigjet tona (peshku trembet e largohet).
Zgjidhja: Subvencioni i çmimit të naftës për peshkim (me kuota të caktuara) apo gjetja e formave të mbështetjes financiare të këtij sektori është domosdoshmëri. Gjithashtu, riorganizimi i formave të zhvillimit të këtij biznesi (grupime, kooperativa të peshkimit) sot duhet të jenë në rend të ditës. Më tej, masa më të forta për ndalimin e peshkimit me dinamit dhe forma të tjera që dëmtojnë ambientin dhe për më tepër, duhet zgjidhur konflikti i interesit që Ministria e Ambientit ka brenda vetes, duke qenë njëherësh mbrojtëse e ambientit dhe përgjegjëse për zhvillimin e peshkimit. Pra, nga një anë duhet të kujdeset për mbarëvajtjen dhe zhvillimin e ambientit, nga ana tjetër duhet të zhvillojë industrinë e peshkimit(!) Unë besoj se Ministria e Ambientit duhet të jetë e shkëputur nga industria e peshkimit.
***
Problemet dhe shqetësimet e trajtuara në këtë shkrim, në një formë apo në një tjetër, mund t’i ndeshni, natyrisht jo vetëm në Sarandë, por në të gjitha zonat turistike dhe atje ku zhvillohet industria e peshkimit. Ato janë shqetësim në bisedat e qytetarëve dhe banorëve të këtyre zonave, turistëve dhe pushuesve, bizneseve dhe peshkatarëve. Prandaj duhen zgjidhur.












