Sanino: Të ruhet ritmi i reformave

Feb 7, 2012 | 11:09

Berisha gjatë takimit me Saninon

Drejtori për Çështjet e Zgjerimit, Stefano Sanino, kontrollon politikën shqiptare për procesin e integrimit.

“Integrimi, një rrugë e gjatë përpara, por plotësisht e mundshme”

Drejtori i Përgjithshëm për Çështjet e Zgjerimit në Komisionin Europian, Stefano Sanino, inkurajoi klasën politike për ritmin e reformave të nisura që lidhen me plotësimin e 12 prioriteteve që kërkon Bashkimi Europian nga Shqipëria. Sanino, i cili u takua dje me krerët e shtetit dhe kryetarin e opozitës Edi Rama, i bëri një kontroll “detyrave të shtëpisë” të lëna prej tij nga vizita e fundit në Tiranë. Zyrtari i lartë i Komisionit Europian konstatoi se miratimi i disa ligjeve që kërkojnë 3/5-tat, nisja e disa reformave dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit, janë një nisje e mirë që duhet të vazhdohet nëse Shqipëria kërkon integrimin e saj në BE. “Se si po vazhdon plotësimi i prioriteteve të Bashkimit Europian, ky është qëllimi i axhendës sime sot, në takimet që do të zhvilloj edhe me ministren e Integrimit, Komisionin e Integrimit Europian dhe në këtë kuadër, miratimi i Planit të rishikuar të Veprimit për plotësimin e prioriteteve do të shërbejë si një bazë e mirë për punën në të ardhmen, për t’u fokusuar në disa prioritete kyçe, gjë e cila do të ndikojë në krijimin e një klime të mirë për të forcuar dialogun politik në vend. Është akoma një rrugë e gjatë përpara, por është plotësisht e mundshme”, u shpreh Sanino pas takimit që zhvilloi me ministrin e Jashtëm shqiptar, Edmond Haxhinasto. “Prioritetet kyçe që do të ndikojnë në krijimin e një klime të mirë për të forcuar dialogun politik në vend”, duket se janë detyrat e reja që zyrtari i lartë i KE-së i ka lënë dje klasës politike shqiptare, për të cilat duket se të gjitha palët janë angazhuar për t’i plotësuar, brenda klimës së re të bashkëpunimit maxhorancë-opozitë. Vizita e fundit e Saninos në Tiranë ishte në fillim të nëntorit 2011, pak ditë para se opozita dhe maxhoranca të binin dakord për kompromisin e kërkuar për miratimin e ligjeve me 3/5-tat dhe kryerjen e disa reformave. Sanino ka vërejtur dje progres nga vizita e tij e fundit. “Kur isha këtu herën e fundit u arrit marrëveshja për rifillimin e plotë të jetës parlamentare, ngritjen e komisioneve apo grupeve të punës për reformën zgjedhore, për rishikimin e Rregullores së Parlamentit dhe kalimin e ligjeve me shumicë të cilësuar. Ndërkohë, është arritur emërimi i Avokatit të Popullit në një proces shumë transparent dhe është zgjedhur një personalitet me një mbështetje të fortë nga të gjitha palët”, u shpreh zyrtari i lartë i KE-së. Sipas tij, “ne duhet të fokusohemi në këtë proces dhe të mbajmë lart ritmin e reformave në muajt e ardhshëm, pasi ky është një vit vendimtar për Shqipërinë dhe për institucionet e Bashkimit Europian, që do të vendosin për angazhimet e saj në këtë kuadër”. Dje në Tiranë, drejtori për Çështjet e Zgjerimit në Komisionin Europian u takua me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, me të cilin nënvizoi domosdoshmërinë e arritjes së rezultateve konkrete pozitive nëpërmjet gjetjes së rrugëve për bashkëpunim. Në takimin me zyrtarin e KE-së, Kryeministri Berisha ndau të njëjtin mendim në lidhje me rëndësinë që ka paraqitja te vendet anëtare të BE-së e Planit të Veprimit dhe prioriteteve të masave të tij, bashkërisht nga qeveria dhe Parlamenti, si një mesazh i një angazhimi të përbashkët të faktorëve të spektrit politik në funksion të integrimit, në mënyrë të veçantë, në marrjen e vendimit mbi statusin e vendit kandidat.

Zyrtari i lartë i KE-së në takim me Jozefina Topallin
Stefano Sanino: I rëndësishëm funksionimi efikas i Parlamentit

Topalli, Sequi dhe Sanino

I pranishëm në seminarin “Fuqizimi i parlamenteve dhe integrimi europian”, organizuar nga instituti IPALMO, në bashkëpunim me Ambasadën e Italisë në Tiranë, Dhomën e Deputetëve italiane dhe Parlamentin shqiptar, që u mbajt dje në selinë e Kryesisë së Kuvendit, drejtori për Zgjerimin në KE, Stefano Sanino, ripërsëriti thirrjen ndaj forcave politike shqiptare për unifikim dhe dakordësi në lidhje me procesin e integrimit, duke theksuar se proceset integruese nuk janë monopol të njërës palë apo tjetrës, por në interes të të gjithë shqiptarëve. “Ne e quajmë të rëndësishëm funksionimin efikas të Parlamentit, pasi garanton demokracinë në vend. Në 2002, Romano Prodi hodhi idenë e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, që atë kohë ishte një ide revolucionare. Kroacia është një vend që rrit perspektivën, po ashtu dhe Mali i Zi ka bërë hapa pozitivë. Jam i bindur se Shqipëria i ka të gjitha energjitë dhe forcat për të përshpejtuar procesin e integrimit, ndaj është e domosdoshme që forcat politike të tregojnë vullnet dhe vendosmëri për të përshpejtuar axhendën europiane”, tha Sanino.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura