
Hulian Rubio Sançez është zyrtarisht trajneri i Tiranës, pasi ka firmosur një kontratë 1-vjeçare. I veshur në mënyrë zyrtare, por mjaft popullor dhe i shoqëruar nga përkthyesja e tij, ai është prezantuar dje në “Vila Gold” nga presidenti Refik Halili.Sançez, në intervistën e parë në krye të pankinës bardheblu, ka premtuar një Tiranë Europiane, e cila jo vetëm do të fitojë tituj, por do tentojë edhe kalimin e disa tureve në Ligën e Europës. Spanjolli ka thënë se ndihet i kënaqur për ardhjen e tij te Tirana dhe se do të punojë 24 orë për të bërë gjëra të mëdha në vendin tonë.
Sa e njihnit Tiranën para se të vinit në Shqipëri?
Paraprakisht, më vjen keq që nuk ju drejtohem dot në gjuhën tuaj, megjithatë do përpiqem që në një kohë të shkurtër të arrij të flas shqip me ju. S’e di se sa do t’ia arrij, por shpresoj që të keni durim. Së dyti, vij në këtë klub me histori të madhe me shumë dëshirë. Dje (pardje), presidenti dhe ndihmësit e tij më prezantuan me klubin, mirëpo unë disa gjëra i dija edhe më parë, pasi kam kërkuar. Ju them që jam një person tepër i sinqertë dhe se do të më keni në anën tuaj. Mendoj të punoj 24 orë në ditë, aq sa do ta keni të vështirë të më shihni në kohën e lirë (qesh).
Çfarë objektivash keni për skuadrën tuaj të re?
Qëllimi pse kam ardhur këtu, është shumë i madh. Nuk kam udhëtuar në Shqipëri për pushime, por për të punuar. Dua të arrij tituj, pasi kjo është gjëja më e rëndësishme në çdo klub të botës. Pasi kam parë historinë e klubit, pata dëshirë të largohesha nga Spanja. Misioni im është që të punoj.
Ju thatë që synoni titullin te Tirana, mirëpo synimi i tifozëve të kësaj skuadre është që të thyhet tabuja e kalimit të tureve europiane. Do ia dilni?
Unë thashë se dua të fitoj tituj dhe ato nuk t’i dhuron kush. Duhet të punojmë fort, sepse nuk arrihen nga dita në natë. Doja të shtoja se për mua, fakti që kontrata është 1 vit, s’do të thotë që nuk mund të zgjatet. Ndaj, duke bashkuar qëllimet e mia me kohën, do t’ia dalim.
Sa i njihni kundërshtarët dhe a besoni se mund t’i kaloni?
Realisht, nuk i njoh rivalët që do të kemi përballë në turin e dytë. Mirëpo mbrëmë (parmbrëmë) vendosëm që t’i ndjekim. Pasi t’i kemi njohur më nga afër, do tentojmë dhe t’i kalojmë. Nuk po bëj premtime boshe, por jam i sigurt se do ia arrijmë qëllimit që kemi vendosur.
Kur do të nisni zyrtarisht nga puna?
Besoj se nga e hëna, pasi fillimisht më duhet të kthehem në shtëpi.
A keni propozuar ndonjë person për stafin teknik?
Njerëzit që kam gjetur këtu në staf, më janë dukur shumë të aftë e të përgatitur. Megjithatë, i kam kërkuar presidentit një favor, që minimalisht të më sjellë një ndihmës. E konsideroj më se normale që një trajner të ketë përkrah një person të besuar dhe që e njeh prej kohësh, me të cilin të ketë mundësi të trajtojë tema të ndryshme. Kur bëhet fjalë për një grup, ka një lider. Dhe këtë radhë, ai do të jem unë.
90 mijë euro mendohet se do të jetë kontrata që ka nënshkruar trajneri spanjoll me ekipin e Tiranës. Nuk dihen detajet e kësaj kontrate, përveç një elementi, që është 1-vjeçare dhe që ka opsion rinovimi.
Lila-Hyka
Andi Lika dhe Jahmir Hyka janë dy ndër lojtarët më të lakuar në merkaton verore. Si mbrojtësi, edhe mesfushori kanë pasur oferta nga jashtë vendit. Vetë presidenti Halili saktësoi dje se nuk do t’u krijojë probleme lojtarëve, kështu që do të jenë të lirë, në rast se do firmosin me skuadra të tjera. “Di që Lila dhe Hyka janë në tratativa me ekipe të huaja, ndaj nuk do të kenë problem, janë të lirë”, tha kreu i klubit për dy nga pikat kyçe të skuadrës bardheblu gjatë sezonit të fundit.
Kontratat
Te Tirana pritet që ndryshimet të jenë rrënjësore, teksa edhe kontratat do të nënshkruhen nga e para. Në çdo kontratë do të ketë klauzola tepër të detajuara, ku do të saktësohen fillimisht premiot për ndeshjet e luajtura në shtëpi, por edhe ato jashtë. Gjithashtu, pritet të ketë ndryshime edhe te rrogat. Ato nuk do të jenë fikse, por do të shpërndahen në bazë të rezultateve. Në rast se bardheblutë do të humbasin, atëherë do të ulet një përqindje nga paga. Se sa, kjo do të sqarohet më vonë.
Presidenti Halili: Tirana do të kapë majat
Presidenti Refik Halili, gjatë prezantimit të kreut të ri pankinës, ka zbardhur diçka nga projekti i tij për sezonin e ri. Klubi pritet të riorganizohet totalisht, do të ketë kontrata të reja për çdo lojtar, por edhe blerje cilësore. “Dua t’i uroj mirëseardhjen këtij trajneri të madh dhe të saktësoj se kemi bërë shumë sakrifica për të firmosur me të. Qëllimi i vetëm është që të ndërtojmë një Tiranë Europiane, ajo që të gjithë ëndërrojmë. Me ardhjen e trajnerit Sançez, besoj se do të kalojmë disa ture në Europë, pse jo edhe në grupe. E lehtë s’do të jetë, por meqenëse jemi në hapat e parë të kthimit të klubit në sh.a., ne kemi menduar të bëjmë një riorganizim të klubit”, tha Halili. I pyetur nëse edhe trajneri spanjoll do të ketë fatin e shumë të tjerëve që janë larguar, Halili sqaron se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, por do respektohet kontrata 1-vjeçare. “Nëse do të ketë grupe lojtarësh që do duan të bëjnë lobing anti trajnerit, atëherë do të jenë po ata lojtarët që do të ikin, pavarësisht emrit të madh që do të kenë. Trajneri është i konfirmuar që do vazhdojë deri në fund të sezonit, pasi nuk e kemi më mundësinë të bëjmë shumë shpenzime. Së shpejti do t’i plotësojmë dëshirën trajnerit, për t’i sjellë ndihmësin që ai kërkon”, përfundoi presidenti.
ADELA MERKO
© Panorama.al











