Problemet te Interi sa vijnë e shtohen dhe nuk janë nga ato që mund të zgjidhen lehtë.Disfata në Superkupën e Italisë e ka rënduar ambientin e skuadrës dhe kjo gjë është formalizuar ditën e djeshme pas një vizite surprizë të drejtuesve rus të Anzhit, të cilët kanë bërë një ofertë marramendëse për sulmuesin Samuel Eto. Ata i kanë ofruar kamerunasit shifrën e 20 milionë eurove në sezon për katër vitet e ardhshme dhe me sa duket futbollisti është dorëzuar, ndërsa Interi është i pakënaqur nga 30 milionët e ofruar.
Pasditja e djeshme
Sherri me Gasperinin, pak orë përpara Superkupës së Italisë dhe disfata në finale kundër Milanit kanë bërë që Etoja të rrisë sërish tonet ndaj trajnerit të tij, por edhe ndaj klubit. Mëngjesin e djeshëm, menaxheri i kamerunasit, Klaudio Vigoreli, i ka kërkuar drejtorit teknik të Interit, Marko Branka, një rritje page deri në vitin 2015 prej 12 milionë eurosh në sezon (aktualisht fiton 10.5 milionë). Kjo kërkesë është refuzuar, ndërkohë që drejtuesit e Anzhit, sapo trokisnin në zyrën e Brankës dhe përballë Vigorelit shpalosnin shifrën për bomberin afrikan. Kjo gjë ka organizuar një mbledhje urgjente në klub, nga e cila menaxheri i lojtarit pranon ofertën ruse, ndërsa Interi thekson se është gati të firmosë vetëm nëse Anzhi rrit shifrën në 40 milionë. “Për ne marrëveshja me klubin rus mund të quhet e mbyllur, por tani drejtuesit e Anzhit duhet t’i kënaqin kërkesat e presidentit Masimo Morati që gjithçka të mbyllet me sukses”, pranon përpara gazetarëve menaxheri i numrit 9 zikaltër.
Presidenti Morati
Pasi ka rënë në dijeni të shifrës së ofruar, presidenti Masimo Morati e ka marrë me shumë sportivitet ofertën e mbërritur për lojtarin e tij. Ai i hap dyert një largimi të mundshëm të Etosë, duke pranuar në mënyrë indirekte se diçka mes tij dhe Interit tashmë është prishur: “Oferta e paraqitur nga Anzhi për Samuelin nuk është aspak banale, përkundrazi është e denjë për cilësitë e futbollistit tonë. Edhe shifra e ofruar për kartonin e Etosë është e rëndësishme, por këtë gjë do ta vlerësojmë fillimisht me sulmuesin, më pas mes meje dhe Brankës, i cili është në të njëjtën linjë me fjalët që unë deklarova”.
David Vila mund te zevendesoje kamerunasin
Nga Spanja nuk kanë vonuar të nisin kërkimet mbi zëvendësuesin e mundshëm të Samuel Etosë, i cili është fare pranë largimit. E përditshmja katalanase “Sport” është e bindur se alternativa reale për zëvendësuesin e sulmuesit kamerunas është spanjolli i Barcelonës, David Vila. Pasi fitoi Ligën e Kampioneve, bomberi i katalanasve pritet të sakrifikohet nga klubi spanjoll me urdhër të trajnerit Pep Guardiola për ta finalizuar blerjen e Cesk Fabregasit. Në skuadër gjatë kësaj vere ka ardhur edhe kiliani Aleksis Sançez nga Udineze, ndaj 22-vjeçari kurrsesi nuk do të jetë një rezervë, pasi kampionët paguan 40 milionë euro për të. Për këtë arsye, David Vila, mund të përfundojë me shumë mundësi tek Interi. Lojtari është shumë i vlerësuar në gjithë Evropën, ndaj presidenti Masimo Morati nuk do të hezitonte ta blinte.











