Samiti, Topi bojkoton Ukrainën

May 4, 2012 | 15:14

Presidenti Bamir Topi

Presidenti u bashkohet vendeve të BE. S’shkon në takimin e krerëve të Europës Juglindore.

“Protestë për trajtimin jonjerëzor të Timoshenkos”

Shqipëria do të boj-kotojë Samitin e Presidentëve të vendeve të Europës Juglindore që do të mbahet javën e ardhshme në Ukrainë. Këtë e bëri të ditur dje kreu i shtetit, Bamir Topi, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç. Arsyeja, sipas Topit, është qëndrimi i qeverisë së këtij vendi ndaj ish-kryeministres Julia Timoshenko. “Unë mund t’ju them sot që, dje në mëngjes unë kam paraqitur vendimin tim pranë strukturave tona diplomatike dhe pranë strukturave që menaxhojnë këtë Samit për të mos marrë pjesë, duke iu bashkëngjitur linjës së vendeve të BE-së për të protestuar nëpërmjet bojkotit për mënyrën e trajtimit të ish-kryeministres Timoshenko, e cila, natyrisht, sikurse dihet edhe nëpërmjet përcjelljes që ka bërë media, po i nënshtrohet një trajtimi jonjerëzor”, u shpreh Topi. Sipas tij, “kështu që, në mënyrë të qartë jemi shprehur që do ta bojkotojmë këtë takim. Kuptohet, bojkoti nuk bëhet ndaj vlerave të Samitit të Presidentëve, po bojkoti bëhet ndaj vendit mikpritës, jo si vend, Ukrainës, por pikërisht standardit të demokracisë që sot vërtet është një krizë të ushtrimit të tij”. Gjatë komunikimit me mediat, Topi dhe Vujanoviç vunë theksin te minoriteti shqiptar në Malin e Zi. Kreu i shtetit shqiptar u shpreh se “me Presidentin Vujanoviç kemi ndarë një lloj preokupacioni për çështjen e statusit të komunës së Tuzit, por duket qartë predispozicioni që të shikohet nëpërmjet një dialogu demokratik me qeverinë e Malit të Zi sipas Kushtetutës dhe besoj që gjithçka do të shkojë në rrugën e duhur”. Ndërsa për Vujanoviçin: “Ne në Mal të Zi jemi krenarë që të gjitha pakicave, duke përfshirë këtu edhe ato shqiptare, u kemi mundësuar plotësisht implementimin e të gjitha të drejtave të tyre të pakicave në të gjitha fushat e funksionimit”. Ai tha se pakicat shqiptare në Malin e Zi kanë mundësi që arsimin fillestar, të mesëm dhe atë universitar ta ndjekin në gjuhën shqipe, teksa vuri theksin edhe te përfshirja e qytetarëve shqiptarë në të gjitha llojet e mediave.

Bojkoti ndaj Ukrainës
Shumë zyrtarë dhe qeveri kanë kërcënuar se do ta bojkotojnë Euro 2012-n, që mbahet në Ukrainë, për shkak të sjelljes së zyrtarëve ukrainas me ish-kryeministren Julia Timoshenko, ndaj së cilës janë raportuar keqtrajtime fizike. Ministri i Jashtëm austriak, Mikael Spindeleger, tha se qeveria e tij e ka marrë vendimin për bojkot “në shenjë solidariteti” me Timoshenkon. Edhe Holanda, Belgjika, Gjermania, Britania e Presidenti i KE-së, Barroso, kanë kërcënuar se do të bojkotojnë Euro 2012-n, që mbahet në Ukrainë dhe pjesërisht në Poloni, por vendimi nuk është ende përfundimtar.

Julia Timoshenko në grevë urie
Timoshenko ka nisur një grevë urie për të protestuar ndaj abuzimit në burgun ukrainas. Aktivistë të partisë së saj kanë publikuar foto të Timoshenkos në burg, ku ajo duket me krahun me njolla, shenjë e keqtrajtimit fizik me të. Ndërkohë, Kryeministri rus, Vladimir Putin, deklaroi dje se Rusia e mirëpret për trajtim mjekësor Julia Timoshenkon. “Nëse ajo vetë dhe autoritete ukrainase bien dakord për këtë, ne me kënaqësi e pranojmë Julia Vladimirovna Timoshenkon në Rusi për trajtim në çdo kohë”, tha Putin.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura