
KAMP DEJVID.- Presidenti amerikan, Barak Obama mirëpriti liderët botërorë në hapjen e samitit të tetë ekonomive më të mëdha botërore, apo siç njhet G8-ta, që mbahet në rezidencën presidenciale, Kamp Dejvid.
Takimi dyditor ka të ngjarë që të fokusohet në krizën e borxheve greke dhe krizën e përgjithshme të eurozonës.
Megjithatë, bisedimet e së premtes, raportohet se kanë prekur edhe programin kundërthënës bërthamor të Iranit, trazirat e vazhdueshme në Siri si dhe Korenë Veriore.
Përpara takimit, Obama sinjalizoi mbështetjen e tij për më shumë stimuj për Evropën e pllakosur nga recesioni. Ai e bëri të ditur këtë qëndrim në Shtëpinë e Bardhë gjatë bisedimeve me presidentin e ri francez, Fransua Holland.
“Ne po presim një diskutim të frytshëm më vonë në këtë mbrëmje dhe nesër me udhëheqësit e tjerë të G8-s, se si mund të arrijmë një qasje të përgjegjshme ndaj konsolidimit fiskal të shoqëruar me një agjendë të rritjes së fortë”, tha Obama.
Holland i tha presidentit amerikan se si ai do t’i qëndrojë besnik premtimit bërë gjatë fushatës se do të tërheqë trupat franceze nga Afganistani deri në fund të vitit, por sinjalizoi se kjo nuk do të thotë përfundim i përfshirjes franceze në vend.
Ndërkaq, liderët e BE-së kanë shfaqur dëshirën e tyre që Greqia të mbetet edhe më tej në eurozonë.
Presidenti i Këshillit Evropian, Herman van Rompei, tha në një konferencë në Kamp Dejvid të SHBA-së, para nisjes së samitit të G8-s, se Evropa nuk do të heqë dorë nga planet e saj për Greqinë dhe eurozonën.
“Sa i përket Evropës, mesazhi im është i drejtpërdrejtë: Ne jemi të vendosur që të qëndrojmë në këtë rrugë. Do të ndjekim strategji gjithëpërfshirëse për të ulur deficitin dhe borxhet dhe për të rritur ekonominë dhe krijimin e vendeve të punës”, tha Rompei.
Duke folur krahas Rompeit, Hoze Manuel Barroso, presidenti i Komisionit Evropian, kërkoi nga Greqia që të përmbushë zotimet e saj.
Kriza e gjatë ekonomike e Greqisë, është shndërruar edhe në krizë të plotë politike, meqë partitë që kundërshtojnë kushtet e pakos së shpëtimit në vlerë prej 130 miliardë eurosh, kanë shënuar rritje në zgjedhjet e 6 majit, duke e lënë vendin pa një qeveri dhe duke rritur shanset e mospërmbushjes së kushteve.
Zgjedhjet e reja priten më 17 qershor, ndersa sërish pritet që partitë kundërshtuese të pakos, të shënojnë rritje tjera.
© Panorama.al











