Samiti i Çikagos, Haxhinasto udhëton në SHBA

May 19, 2012 | 10:21
Edmond Haxhinasto

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku do të marrë pjesë në Samitin e vendeve anëtare të NATO-s, në nivel të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive, që do të zhvillohet në Çikago, më datat 20 dhe 21 maj 2012.

Angazhimin Aleancës në Afganistan në kuadër të ISAF-it, “Paketën e Mbrojtjes” dhe Partneritetet, janë çështjet në të cilat do të fokusohen liderët pjesëmarrës.

“Ky është një ndër samitet më të mëdha në historinë e Aleancës, duke qenë se së bashku me aleatët, organizatat ndërkombëtare dhe vendet partnere të ftuara, numri i vendeve pjesëmarrëse arrin në 60. Përveç të tjerash, organizimi i këtij Samiti në SHBA-të, është një mënyrë për të përcjellë mesazhin simbolik të rëndësisë që ka lidhja trans-atlantike e SHBA-ve me Evropën, dhe veçanërisht me NATO-n.”- thuhet në njoftimin e MPJ-së.

Gjatë punimeve të këtij samiti është parashikuar edhe një takim i Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare, me katër vendet që aspirojnë të anëtarësohen në NATO (Bosnje Hercegovina, Gjeorgjia, Mali i Zi dhe Maqedonia).

© Panorama.al

Te lidhura