Samiti i BE-së i kësaj fundjave, i njëzeti, qëkurse kriza globale dhe më pas ajo në eurozonë kanë shpërthyer, tronditur dhe janë shndërruar në shqetësimin më të madh të zhvillimeve të sotme të ekonomisë globale, përfundoi jo pa rezultate. Jo vetëm kaq.
Përfundimet e Samitit u dukën “optimiste”. Ndërkaq, përballë këtij optimizmi, nuk mund të mos konsiderohet qëndrimi disi i rezervuar i SHBA-ve për forcën, zbatimin dhe efektin e masave të deritanishme antikrizë në eurozonë, si dhe skepticizmi i shumë analistëve. Megjithatë, kriza e eurozonës vazhdon, ajo mbetet në qendër të vëmendjes së liderëve të shteteve më të fuqishme të botës dhe institucioneve ndërkombëtare.
Njëzete Samite. Me dhjetëra e qindra orë debate dhe shkëmbim mendimesh e idesh. Kundërshti dhe aprovime. Vendimmarrje dhe zbatime për reforma të mëdha. Asnjëherë më tepër se tani, gjatë kësaj krize, diplomacia ekonomike nuk ka marrë këtë rol dhe rëndësi.
Krizat janë të dëmshme, ato sjellin pasoja të rënda, ekonomike e sociale, financiare (në këtë rast), pse jo dhe politike. Pasoja të mëdha, shumëdimensionale. Suksese dhe dështime. Gabime dhe përvojë. Pësime dhe mësime.
Monedha e përbashkët euro mori një “goditje”, integrimi monetar u trondit, recesioni ekonomik dhe papunësia përfshiu gati gjithë Europën, sistemi bankar u lëkund, financat publike (borxhet dhe deficitet) u shndërruan në “Thembra e Akilit” për situatën e vështirë në shumicën e vendeve etj. Dhe më tej, lëvizje të mëdha, të reja dhe të rinovuara, sociale e politike u zhvilluan dhe ndryshuan. Nga kjo krizë e pësuan të gjithë dhe për zgjidhjen e saj janë përfshirë të gjithë, politikanë, shtetarë e qytetarë, media dhe shoqëria civile, ekspertët dhe ekonomistë-financierë e analistë të ndryshëm, institucione të specializuara kombëtare e ndërkombëtare etj. Shkollat ekonomike u përfshinë në debate teorike e rekomandime praktike, idetë e tyre avancuan në funksion të paraqitjes së realiteteve të reja që zhvillimet dhe kriza globale nxorën në pah.
Të gjitha samitet e zhvilluara deri tani shënuan arritje dhe dështime, por gjithsesi, secili prej tyre “bëri një hap të ri”, vendosi një “tullë” në murin e ngritur, por të tronditur, të eurozonës… Në fillim me rregullat e reja të mbikëqyrjes financiare, pastaj me reformat në taksat, më pas me reformat buxhetore dhe kontrollin e deficiteve dhe të borxheve. Më tej me krijimin e Mekanizmit të Stabilitetit Europian (ESM), fondit të shpëtimit të euros, rritjen e rolit të BQE-së, zbatimin e politikave të rritjes ekonomike dhe nxitjes së punësimit…
Dhe ja edhe ….
SAMITI I 20-TË I BE-së
Samiti dhe marrëveshja e arritur në të, duket se la disi në “harresë” Greqinë, e cila dha shenjat e shpresës së kthesës pas përfundimit të zgjedhjeve politike dhe krijimin e një qeverie “Pro Euro” dhe solli më në qendër të vëmendjes Italinë dhe Spanjën, mënyrën e mbështetjes së tyre për kapërcimin e krizës së borxheve.
Megjithëse Samiti u konsiderua si një “fitore e treshes” Itali, Spanjë, të drejtuar nga Franca (ku presidenti i ri Francës, Holande, kishte marrë rol primar), duket se vendosmëria e Kryeministrit Italian Monti krijoi hapësira për lëshime, paçka se Kancelarja gjermane Merkel, me kthimin e saj në Bundestagun gjerman, theksoi se “ne mbetemi tërësisht brenda qëndrimit që kemi mbajtur deri tani: ndihmë, negocim, kushtëzim dhe kontroll, dhe prandaj unë mendoj se kemi bërë diçka të rëndësishme, por i kemi qëndruar me vërtetësi filozofisë sonë, që është se nuk ka para pa negocim”.
Pra, thelbi i “lëshimit” apo i ndryshimit nga qëndrimet e mëparshme ka të bëjë me lehtësimin e sforcimeve mbi qeveritë në borxhe në Europën Jugore, duke u dhënë mundësi bankave spanjolle dhe Italisë me probleme të kreditohen (të furnizohen me para direkt nga BE), pa iu llogaritur ky borxh në borxhin e tyre kombëtar, qëndrim i ndryshëm ky nga ai që ishte mbajtur dhe vazhdon të mbahet ndaj Greqisë.
Po çfarë përmbante marrëveshja e arritur në këtë Samit?
Së pari, ky samit shënoi “ndarjen” e bankave nga qeveritë për shkak të borxhit dhe zgjidhjes së këtij problemi.
Sipas këtij koncepti, BE do të mund të përdorë para kesh nga një fond shpëtimi i planifikuar, Mekanizmi i Stabilitetit Europian (ESM), për të mbështetur direkt bankat (ndryshe nga rregullat aktuale te BE-së, sipas të cilave huat përdoren nga qeveritë të cilat duhet t’i përdorin për të ndihmuar bankat. Kjo u shtohej borxheve kombëtare dhe nxiste kreditorët të kërkonin interesa më të lartë mbi borxhin sovran, duke e bërë atë shumë të kushtueshëm).
Po si do të ndodhë ndryshimi i menjëhershëm i situatës, në qoftë se bankat do të marrin para direkt “duke u shkëputur nga qeveritë”, pyet gazetari Jeffrey Brown, ambasadorin e BE-së në SHBA Joao Vale de Almeida, i cili përgjigjet se “…kjo masë do të stopojë ciklin vicioz që ne kemi në menaxhimin midis mbështetjes së bankave dhe impaktit në borxhet sovrane. Ky përbën një ndryshim kualitativ në menaxhimin e kësaj krize”, vazhdon ai.
Së dyti, sipas marrëveshjes të arritur në këtë Samit institucioneve italiane dhe atyre spanjolle u jepet e drejta të kenë akses direkt në fondet e BE-së, pa shtuar borxhet kombëtare. Ata do të përdorin 120 miliardë euro të marra nga Mekanizmi i Stabilitetit Europian (ESM), për të stimuluar zhvillim dhe punësim. Kjo masë, gjithashtu do të krijojë një impakt pozitiv në ekonomitë dhe financat publike të këtyre dy vendeve.
Së treti. Bazuar në marrëveshjen e arritur, kreditorët të cilët blejnë borxhe qeveritare, nuk do të jenë në disavantazh nëse një vend falimenton. Pra, BE-ja do të heqë dorë nga “vjetërsia” mbi ripagesat e parave të saj hua për sa i përket borxhit të Spanjës, dhe kjo praktikë besohet se duhet të prekë edhe qeveri të tjera, të cilat detyrohen të kërkojnë hua për ndihmë.
Së katërti, reduktimi i kufizimeve për huat për vendet në borxhe. Vendet në të ardhmen duhet të përmbushin vetëm borxhet dhe angazhimet që marrin përsipër për deficitet, dhe jo masa të ashpra kursimi si ato që po aplikohen me Greqinë.
Së pesti, në këtë Samit liderët ranë dakord gjithashtu edhe për të krijuar një organ (mekanizëm) mbikëqyrës për zonën bankare të eurozonës, i drejtuar nga Banka Qendrore Europiane.
SAMITI I BE-së DHE GREQIA
Nuk ishte “harresë” e Samitit për Greqinë. Ajo çfarë u la për t’u nënkuptuar ishte “gjendja shëndetësore e Kryeministrit Samaras”, shkak i cili bëri edhe shtyrjen vizitës së Trojkës në Athinë, e cila pritej të mbërrinte në Athinë më datë 2 korrik.
Ndërkaq, pas përfundimit të zgjedhjeve politike dhe krijimit të qeverisë së re greke “Pro Euro” duket se Greqia bëri ”zgjidhjen politike të situatës”, duke iu rikthyer përpjekjeve maksimale të përballjes me krizën ekonomike, financiare e sociale.
Kjo duket edhe nga teksti i programit të kësaj qeverie, i cili që në fillim thekson se qëllimi kryesor i qeverisë së krijuar është “të përballojë krizën, të hapë rrugën e zhvillimit dhe të rishikojë kushtet e Memorandumit, pa vënë në rrezik rrugën europiane të vendit dhe qëndrimin në euro. Dhe sigurisht pa vënë në dyshim synimin e arritjes së zhdukjes së deficitit buxhetor, mbajtjen në kontroll të borxhit, si dhe zbatimin e reformave strukturore për të cilat ka nevojë vendi”.
Ky plan plani qeveritar është i ndarë në 6 kapituj: “Çështje të rishikimit të kushteve të Memorandumit”; “Çështje të zhvillimit, ringritjes, mbrojtjes sociale dhe politikave që nuk lidhen me Memorandumin”, “Përparësi imediate ekonomike”; “Marrëveshje për ndryshim në sistemin politik të vendit dhe për shtetin”; “Masa për sigurinë dhe emigrimin e paligjshëm”; “Çështje të politikës së jashtme”.
Çështja më e rëndësishme në këtë plan është “Çështja e rishikimit të kushteve të Memorandumit”. Kjo sepse në këtë kapitull paraqitet dhe ajo çka qeveria greke kërkon të rinegociojë me Trojkën. Nga aftësia e qeverisë për të arritur qëllimet e vendosura në kapitullin e parë, si dhe nga fakti se sa e gatshme do të jetë Trojka të bëjë lëshime, do të varet në masë të madhe edhe jetëgjatësia e qeverisë. Kapitulli i parë përmban (në mënyrë të përmbledhur) këto pika kryesore :
– Shtyrje e afatit kohor të përshtatjes fiskale me të paktën dy vjet (në këtë mënyrë synimet fiskale mund të arrihen pa qenë nevoja e uljeve të mëtejshme të rrogave, pensioneve etj.).
– Kontratat kolektive të vijnë përsëri në gjendjen që ishin (e cila parashikohet nga e drejta europiane, acquis communautaire,)
– Rivendosja e drejtësisë për sa u përket shtresave në nevojë (pensionistëve me pensione të ulëta, familjeve me shumë fëmijë etj.), me ekuivalentë të drejtpërdrejtë financiarë.
– Rishikimi i detyrimeve financiare për taksapaguesit e sivjetshëm, në mënyrë që taksat të mos kalojnë 25% të të ardhurave.
– Asistenca e papunësisë të vazhdojë të mbështetet nga fondet europiane edhe për një vit.
– Asistenca e papunësisë të shtrihet edhe për jorrogëtarët (të vetëpunësuarit), të cilët kanë humbur rishtazi punën e tyre.
– Rritje graduale e tavanit të mostatimit në mesataren e vendeve të BE-së (kujtojmë që ky tavan në Greqi ishte 12000 euro, por me kushtet e Memorandumit zbriti në 5000 euro)
– Ulja e TVSH-së për biznesin e restoranteve (në nivelin e mëparshëm), si dhe për bujqësinë.
– Jo më pushime nga puna në sektorin publik.
Do të jetë Trojka, e cila pasi ta ketë konsultuar me qeverinë Greke këtë plan, do ta risjellë Greqinë përsëri në tryezën e BE-së.
POST(PAS) SAMIT
Pas përfundimit të Samitit u fol për vendosmëri për më shumë Europë.
Kjo sepse tashmë, sipas “zërave të fuqishëm të Samitit”, u shënuan hapa të rëndësishëm drejt unionit fiskal, atij monetar, unifikimit të politikave buxhetore dhe ekonomike, politikave të rritjes dhe punësimit etj.
Ndërkaq, masat e Samitit, sidomos ajo e “shkëputjes së bankave nga qeveritë” për marrjen direkt të huave, nuk pritet të fillojë deri në fillimvitin 2013. Greqia pritet “të rikthehet në tryezën e debatit të BE-së”.
A është me të vërtetë ky Samit “shkopi magjik” i zgjidhjes së problemeve të krizës në eurozonë? Le të shohim.
© Panorama.al












