
Samir Ujkani kërkon të hapë një cikël te skuadra e Palermos. Ai flet si titullar i skuadrës siciliane, edhe pse nga fundi “zbut” tonet duke thënë se ka shumë konkurrencë dhe se do t’i duhet të punojë shumë. Portieri i Kombëtares shqiptare ka thënë se ka idhull Xhixhi Bufonin dhe se do të donte të ecte në gjurmët e kapitenit të Italisë. Portieri kuqezi ka dalë në konferencë për shtyp në kampin e Males, aty ku po zhvillon stërvitjet skuadra e Palermos. “Jam i lumtur që u riktheva në skuadër. Palermo është një klub i madh, me histori të madhe. Unë kam mësuar shumë këtu dhe dua ta tregoj në fushë se sa potencial kam. Falënderoj presidentin Zamparini që më dha besim dhe më ka mbështetur gjithnjë. Tani ka ardhur momenti që unë t’i shpërblej gjithë investimin që ka bërë tek unë. Palermo ka tre portierë: unë, Benusi dhe Brikieto. Personalisht do të punoj fort, por në fund vendos trajneri se cili do të luajë titullar”, ka thënë Ujkani.
“Nuk jam në gjendje të përshkruaj karakteristikat e mia, – ka vazhduar portieri, – nuk mendoj për kësi gjërash. Mendoj vetëm të stërvitem dhe të bëj mirë atë për të cilën paguhem. Kur erdha në Itali nuk isha portieri që jam sot. Kam mësuar shumë gjëra dhe përpiqem që të përmirësohem në çdo moment. Unë dua të hap një cikël te Palermo. Kjo skuadër më bën të lumtur”. Mbrojtësi ekstrem i përfaqësueses kuqezi është zhbalancuar disi kur e kanë pyetur se cili është shembulli që ai do të ndjekë në të ardhmen. “Bufon është më i miri dhe të gjithë e admirojnë. Megjithatë, unë vlerësoj shumë edhe Samir Handanoviçin, që ka ecur me hapa gjigantë dy vitet e fundit”, ka deklaruar Ujkani. Kur është pyetur për trajnerin, ai ka pranuar se nuk do ta ketë të lehtë që ta bindë për një vend në 11-shin titullar.











