
Fituesi i zgjedhjeve të 17 qershorit në Greqi, Antonis Samaras, po nxiton në krijimin një qeverie të re, e cila i duhet vendit shumë shpejt.
Deri tani ai ka marrë dy refuzime të cilat priteshin. I pari ishte nga kreu i Syriza, Aleksis Tsipras, i cili deklaroi që pas daljes së rezultateve të para që tregonin humbjen e tij, se nuk do të ishte pjesë e një qeverie me parti pro masave të kursimit, por do të ishte një opozitë e fortë për to. I dyti ishte nga kreu i partisë që u rendit e katërta në këto zgjedhje, Panos Kamenos i Grekëve të pavarur, i cili theksoi se gjithashtu partia e tij preferonte të mbetej një opozitë e fortë për Demokracinë e Re. Kamenos ka qenë deputet i kësaj partie dhe u largua duke formuar një parti, kur Samaras mbështeti masat e kursimit të propozuara nga qeveria e PASOK. Mbështetjen për krijimin sa më të shpejtë të qeverisë Samaras e ka marrë nga kreu i Pasok, Evangelos Venizelos, i cili ra dakord se në të mirë të vendit ishte i domosdoshëm krijimi sa më i shpejtë i qeverisë. “Qeveria duhet të formohet jo më vonë se nesër dhe zgjidhja më e mirë është pjesëmarrja e 4 partive. Propozova që Demokracia e Re, Syriza, PASOK dhe DIMAR të paraqiten nesër te Presidenti. Mandati i Samaras duhet të ketë rezultat”, tha Venizelos. Samaras pritet të marrë mbështetjen e së Majtës Demokratike, Fotis Kuvelis, i cili tha në mesditë për një radio se “në tryezë duhet të diskutojmë emrin e Kryeministrit dhe të personave që do të zënë poste ministrore”, por siguroi se partia e tij kërkon një Greqi në euro. Presidenti Karolos Papulias tha se vendi nuk ka aspak kohë për të humbur, qeveria duhet të formohet sa më shpejt. Fitorja e Samaras ka marrë përshëndetjet e aktorëve kryesore në eurozonë, përfshirë edhe Angela Merkelit dhe Fransua Holandesë. FMN ka deklaruar gatishmërinë për të bashkëpunuar me qeverinë e re greke, për të arritur stabilitet ekonomik, zhvillim dhe rritje të punësimit në Greqi. Së shpejti Trojka do të vizitojë Athinën për të diskutuar ndryshimet e para të programit të dytë të ndihmës, si një kusht për dozën tjetër të ndihmës. Marrëveshja me Trojkën është një parakusht për Greqinë, që ajo të marrë këstin e ardhshëm të programit të dytë të ndihmës, prej 130 miliardë eurosh. Ndërkohë, Samaras ka deklaruar se do të kërkojë rinegociimin e paketës së kushteve të huas, edhe pse Merkel e ka kundërshtuar një nismë të tillë duke kërkuar me ngulm zbatimin e reformave.
Në Parlamentin me 300 ulëse
Demokracia e Re-129 deputetë
Syriza – 71 deputetë
Pasok – 33 deputetë
Grekët e Pavarur – 20 deputetë
Agimi i Artë – 18 deputetë
E majta demokratike – 17 deputetë
Partia Komuniste – 12 deputetë
G20
Liderët e 20 vendeve më të fuqishme të botës, G20, janë takuar dje në Meksikë për të diskutuar mbi ekonominë botërore, kryesisht atë të eurozonës, dhe takimi po vjen pas zgjedhjeve greke, për të cilat kanë komentuar të gjithë ata. Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, kreu i Këshillit Europian, Herman Van Rompuj, kancelarja gjermane Angela Merkel, Kryeministri britanik David Kameron, e kanë përshëndetur të gjithë fitoren e “Demokracisë së Re” dhe kanë kërkuar vazhdimin e zbatimit të reformave. Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se “mendoj se zgjedhjet në Greqi treguan një prospekt pozitiv jo vetëm për formimin e qeverisë, por edhe për të punuar në mënyrë konstruktive me partnerët ndërkombëtarë”.
Berisha
Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje fitoren e konservatorëve të Demokracisë së Re në Greqi, duke e konsideruar atë një fitore pozitive edhe për emigrantët. “Greqia i besoi drejtimin e vendit Antonis Samaras. Fitorja e Demokracisë së Re është pozitive për emigrantët”, u shpreh ai gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së. Kryeministri u shpreh se “Populli grek bëri një votim që u përshëndet nga mbarë Europa dhe bota e qytetëruar. Kombi grek votoi për forcat politike, të cilat janë të angazhuara të zbatojnë marrëveshje në interesin më të mirë të kombit dhe vendit të tyre në BE dhe eurozonë”, theksoi ai duke vlerësuar fitoren e së djathtës.
Agjencitë e vlerësimit
Agjencia e vlerësimit të kreditimit, S&P, ka deklaruar se rezultati i zgjedhjeve greke nuk do të ketë ndonjë ndikim të menjëhershëm në vlerësimin e Greqisë. Por “ndërsa rreziku afatshkurtër i daljes së Greqisë nga eurozona është lehtësuar, shanset afatmesme apo afatgjata për daljen e saj mbeten ende një në tre”. Ndërsa agjencia e vlerësimit “Fitch” deklaroi se “iku rreziku afatshkurtër i falimentimit të Greqisë dhe ai i daljes nga eurozona”.
Fitorja e DR, tregjet botërore, optimiste
Fitorja e partisë pro memorandumit europian në Greqi, Demokracia e Re, e cila siguroi qëndrimin e vendit në eurozonë, ka ndikuar pozitivisht edhe në bursat ndërkombëtare. Pasi Greqia shpalli rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, tregjet në Azi, Europë e SHBA u hapën pozitivisht. Indeksi “Nikei” i Tokios është rritur për 2.1 për qind, ndërsa “Kospi” i Koresë Jugore me 2.08 për qind. Monedha e përbashkët europiane u rrit. Edhe në Europë bursat patën prirje pozitive. Në Gjermani, “Dax” u rrit me 1.5 për qind, në Francë, “Cac” u hap me rritje 1.8 për qind, në Londër FTSE u hap me 1.3 për qind më lart etj. Tregjet pritet të ndikohen edhe nga bisedimet dhe përfundimet e Samitit G20, ku nga eurozona u kërkuan përpjekje të përbashkëta për të forcuar dhe garantuar ekzistencën e euros nga të gjitha vendet e grupit. Ndërkohë në tregjet financiare europiane nafta u rrit me 0.9 për qind, duke arritur kuotën 85.6 dollarë për fuçi. Nafta ka reflektuar lehtësimin që ndiejnë investitorët pas rezultateve të zgjedhjeve në Greqi. Por analistët kanë paralajmëruar se optimizmi nga zgjedhjet greke mund të jetë afatshkurtër në varësi të zhvillimeve në eurozonë.











