Salto vitale e Tadiçit?

Jul 10, 2012 | 13:36

SHKELZEN MALIQI

Shtrëngimi i duarve mes Hashim Thaçit dhe Boris Tadiçit, sigurisht që ishte një gjest mirësjelljeje, pasi ish-kryetari i Serbisë qëlloi pranë delegacionit kosovar në kuluaret e konferencës “Kroacia”, që u mbajt dje në Dubrovnik. Por, a ishte Tadiçi rastësisht aty pranë, apo e kërkonte rastin për ta bërë gjestin e kurtuazisë, u bë menjëherë çështje që zgjoi kureshtjen dhe nxiti spekulime dhe komente nga më të ndryshmet.
Vetë shtrëngimi i duarve në të vërtetë edhe nuk do të kishte ndonjë peshë, sa ishte e rëndësishme vetë prezenca e papritur e Tadiçit në atë tubim. Ka kohë që Serbia zyrtare refuzon pjesëmarrjen në të gjitha tubimet rajonale dhe të tjera ku Kosova është e ftuar si shtet i pavarur. Edhe për konferencën në Dubrovnik, Beogradi zyrtar kishte paralajmëruar se nuk do të marrë pjesë sepse në këtë konferencë ishin ftuar Kryeministri Thaçi, ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj dhe ministrja për Integrime Europiane, Vlora Çitaku.
Papritur, në konferencë vjen Boris Tadiçi, i cili nuk ka më poste zyrtare, por është vetëm kryetar i një partie, që me gjasa do të mbetet në opozitë, sepse qeveria e re e Serbisë ende nuk është krijuar. Partia Demokratike e Tadiçit aktualisht nuk është më në kombinime që të përfshihet në qeveri. Si mandatar ai dështoi të mbledhë një shumicë për qeverisje dhe tani mandatin ia kaloi Ivica Daçiçit të SPS, i cili si partner zgjodhi Partinë Përparimtare të Nikoliçit.
Këto kombinime aktuale për krijimin e koalicioneve që në Serbi zakonisht zgjasin shumë, me muaj, dhe ku aktualisht në pushtet është ende teknikisht qeveria e saj e vjetër, kanë mundur të krijojnë një si konfuzion për përfaqësimin e Serbisë në Dubrovnik. Në të vërtetë, nga Beogradi është deklaruar se Tadiçi nuk ka kapacitet për përfaqësim zyrtar ose të flas në emër të Serbisë në Dubrovnik, por kandidati për Kryeministër, Daçiç, e ka organizuar konferencën për shtyp në zyrën e tij të ministrit të Brendshëm të Serbisë, pra nga një pozitë që e ka ende falë koalicionit me partinë e Tadiçit. Dhe kjo sikur i jep këtij të dytit nëse jo legjitimitet të plotë, atëherë të pjesshëm.
Për më shumë, edhe pse e ka humbur shansin e parë që të bëjë koalicionin qeveritar me partnerët e mëparshëm dhe liberalët e Çeda Jovanoviçit, Boris Tadiçi ka gjasa që të kthehet në lojë për postin e Kryeministrit, nëse Nikoliçi dhe partia e tij në moment të fundit heqin dorë nga Daçiçi ambicioz, por që nuk po u pëlqen aspak faktorëve kyç ndërkombëtarë jo vetëm pse ka qenë njeri i afërt me Sllobodan Milosheviçin, por dhe për shkak të qëndrimeve rigjide ndaj çështjes së Kosovës. Edhe në Serbi, madje edhe te disa ideologë të fituesve të zgjedhjeve, nga Partia Përparimtare, që tani po i shkrin në vete edhe shumë liderë të Partisë Radikale të dështuar të Vojisllav Sheshelit, po dëgjohen ankesat se me zgjedhjen eventuale të Daçiçit për Kryeministër po i jepet pushteti ekzekutiv një partie që i ka rreth 10 për qind të votave (në koalicion me disa parti i ka fituar 16 për qind), gjë që në esencë e injoron vullnetin e shumicës dërrmuese të votuesve. Andaj propozohet krijimi i koalicionit të madh mes Partisë Përparimtare dhe Partisë Demokratike, që edhe do të mund ta provonte ballafaqimin me sfidat e mëdha që e presin Serbinë, me më shumë përgjegjësi dhe legjitimitet. Parulla e ditës në Beograd është “Pse duhet të jemi gjithnjë peng të partive minore?”.
Kjo ide e koalicionit të madh mund të jetë ide e vonuar ose më shumë spekulim, por gjithsesi, nuk është pa baza. Burimet e informuara mirë pohojnë se emisarët amerikanë dhe të BE-së kanë punuar diçka në këtë drejtim. Madje, edhe ardhja e Tadiçit në Dubrovnik shpjegohet se ka ndodhur falë ndikimit amerikan.
Nëse kjo është prapavija reale e shtrëngimit të duarve në Dubrovnik, atëherë gjesti i Tadiçit vërtet nuk mund të shpërfillet. Me ose pa Tadiçin në krye të qeverisë së Serbisë, fqinji ynë verior, gjithsesi, do të duhet të marrë shumë shpejt vendime strategjike që do të janë përcaktuese për të ardhmen jo vetëm të Serbisë, por edhe të rajonit.
Me ardhjen në Dubrovnik, Tadiçi e ka thyer një tabu politike të mospjesëmarrjes të Serbisë në tubimet ku ftohet Republika e Kosovës, pasi kjo në esencë ishte e dëmshme për vetë këtë shtet, sepse kështu vetëm izolohej dhe anashkalohej në proceset e vendimmarrjeve shumë të rëndësishme për rajonin.
Po kështu, Tadiçi, me gjestin e tij, e ka mbrojtur edhe arritjen më të madhe gjatë kohës që ka qenë në pushtet, pranimi i kandidaturës së Serbisë për anëtarësim në BE. Në Dubrovnik, edhe pa folur publikisht, ai është paraqitur si në lloj dorëzani politik që garanton vazhdimin e procesit të negocimit me BE-në për anëtarësim. Dhe askush më mirë se Tadiçi nuk e di se çfarë kërkohet nga Serbia në muajt dhe vitet e ardhshëm, që procesi i anëtarësimit në BE të bëhet funksional. Disa detyra imediate të Beogradit direkt kanë lidhje me ndryshimin e politikave të Serbisë ndaj Kosovës: pranimin e pjesëmarrjes së barabartë të Republikës së Kosovës në tubimet rajonale (fillimisht me fusnotë), shpërbërja e strukturave paralele në Veri të Kosovës (çka nënkupton heqjen e barrikadave që pengojnë trafikun), realizimi i të gjitha marrëveshjeve që janë arritur në dialogun e mëparshëm dhe vazhdimi i dialogut.
Edhe nëse Tadiçi nuk do të jetë protagonist aktiv në qeverisjen e re serbe, edhe si njëri nga liderët e opozitës, ai tani e ka bërë hapin e parë drejt njohjes së realitetit të ri në Kosovë. Retorikisht ai mbase do të vazhdojë edhe një kohë të thirret në formulën kontradiktore e mbase edhe absurde “Edhe BE, edhe Kosova”, por besoj duke e theksuar gjithnjë e më zëshëm pjesën e parë, dhe ul zërin dhe heshtur pjesën e dytë.

© Panorama.al

Te lidhura