
Sally Ride, gruaja e parë amerikane që u bë astronaute, për vite me radhë ka frymëzuar mijëra vajza, duke i udhëhequr drejt studimit të lëndëve shkencore dhe për të arritur stacione që kurrë më parë nuk i kishin menduar. Tashmë që është ndarë nga jeta për shkak të kancerit në pankreas, ndoshta do të vazhdojë të udhëheqë mijëra njerëz të tjerë. Sally Ride vdiq në moshën 61-vjeçare pas një lufte 17-vjeçare mes jetës dhe vdekjes. Në moshën 32-vjeçare ajo udhëtoi në hapësirë, në bordin e STS-7, nga 17 qershori i vitit 1983, për t’u kthyer në 24 qershorin e ’84-s. Përpara saj këtë mision e kishin përmbushur dy gra sovjetike (Valentina Vladimirovna Tereskova e Svetlana Evgenevna Savickaja). Udhëtimi i dytë ndodhi në të njëjtin vit. Do të kishte edhe një të tretë, por pas fatkeqësisë së vitit 1986, kur Challenger shpërtheu gjatë fluturimit, duke lënë të vdekur të shtatë anëtarët e ekuipazhit, projekti u ndërpre. Pasi la NASA-n, Ride ka dhënë mësim në Universitetin e Kalifornisë në San Diego dhe në Universitetin e Standfordit si kërkuese shkencore. Presidenti amerikan, Barack Obama, e ka konsideruar atë “një heroinë kombëtare dhe një model të fuqishëm që ka frymëzuar breza të tërë vajzash të reja që ëndërronin të udhëtonin mes yjesh”.
Lidhja e fshehtë 27-vjeçare

Tashmë është zbuluar se Sally Ride ishte lesbike. Prej 30 vjetësh kishte një të dashur sekrete, çka u zbulua nga vetë fondacioni ngritur prej saj, “Sally Ride Science”, përmes një komunikimi: “Përveç Tam O’Saughnessy, partneres së saj prej 27 vjetësh, Sally lë në dhimbje të ëmën, Joyce, të motrën Bear, mbesën Caitlin dhe nipin Witney”.
Ride, e cila ishte e martuar me një koleg astronaut, Steven Hawey, nga viti 1982-1987 nuk ishte ushtarake. Por, si anëtare e grupit të punës në NASA, zgjodhi t’i bindej parullës “don’t ask, don’t tell” (mos pyet, mos trego), një praktikë që u kërkonte ushtarëve që të mos flisnin për preferencat e veta seksuale, për të evituar sanksionet. Për 27 vjet me radhë Sally nuk foli kurrë për historinë e saj dhe nuk kishte për t’u bërë publike nëse nuk do të ishte zbuluar pikërisht nga “Sally Ride Science”. Ride dhe O’Saughnessy ishin njohur qysh 12 vjeç në një kurs tenisi dhe u bënë shoqe. Më pas astronautja e ardhshme zgjodhi karrierën akademike, duke u laureuar në Fizikë dhe mori pjesë në programin e astronautëve, ndërsa mikesha e saj u bë teniste profesioniste, duke arritur të merrte pjesë deri në Wimbledon dhe Us Open në fillim të viteve ‘70. Më pas u bë profesoreshë sociologjie në Universitetin e San Diegos dhe zv.presidente dhe drejtore Ekzekutive e Fondacionit.
Ride nuk pëlqente të fliste shumë për veten dhe për aspekte të tjera të jetës së saj: “Asnjë jashtë familjes nuk e dinte që ishte e sëmurë me kancer”, ka treguar e motra, Bear, për mediat amerikane. “Për plot 17 muaj nuk e dinte askush”. Sa i përket orientimit seksual, e motra, e cila është deklaruar gjithashtu lesbike, është shprehur: “Sally kishte një perceptim shumë të fortë të privatësisë. Ishte në natyrën e saj. Por nuk e ka fshehur kurrë lidhjen e saj: ishin partnere, kolege në “Sally Ride Science” dhe kanë shkruar libra së bashku. Sigurisht, miqtë më intimë e dinin”.











