
TIRANE- Partia Socialiste akuzoi edhe njëherë kryeministrin, Sali Berisha dhe qeverinë e tij se kanë dështuar totalisht të garantojnë sigurinë e jetës dhe pronës së qytetarëve shqiptarë. Në një deklaratë për shtyp, deputeti socialist, Taulant Balla tha se “500 qytetarë kanë humbur jetën dhe janë plagosur vetëm në tre muajt e fundit”
“Vrasjet, plagosjet, vjedhjet me dhunë, vjedhjet e makinave, transformatorëve, të shinave të trenit, grabitjet me armë të dyqaneve e bankave që janë kthyer tanimë në një epidemi të vërtetë, tonelatat e drogës që trafikohen çdo muaj janë fakte që flasin qartë për shthurjen e ligjit dhe rendit në Shqipëri.”- theksoi Balla.
Duke dënuar sulmin e ministrit të Brendshëm, ndaj opozitës, Balla tha se “Flamuri e ka të shkruar në ballë, që nuk e bën dot Ministrin e Brendshëm, prandaj sot llogaritë ia kërkojmë Saliut.”
Balla theksoi se në shifrat që deklarojnë Saliu dhe Flamuri për zbulim të 88% të vrasjeve, janë shifra në të cilat përfshihen edhe rastet e vetëdorëzimit, por shtoi ai, janë 12% raste, që përbëjnë krimet më të rënda, që mbeten ende pa u zbuluar.
“Kanë kaluar tre vjet nga vrasja e deputetit Fatmir Xhindi. Kush është vrasësi? A po vazhdojnë hetimet? Kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë (25 Tetor 2010) nga vrasja e kryekomunarit Remzi Veseli. Kush është vrasësi? Kanë kaluar 9 muaj nga vrasja makabër e gjyqtarit Skerdilaid Konomi (9 shtator 2011). Kush është vrasësi? Po për rastet e përsëritura të shpërthimeve të eksplozivit, si ka mundësi që nuk keni asnjë të ndaluar?”- tha Balla.
Me ardhjen në pushtet, Taulant Balla tha se Partia Socialiste do ta shndërrojë policinë e shtetit në një forcë profesionale, në shërbim të qytetarit e jo në shërbim të partisë së radhës.
© Panorama.al











