
Prezantohet sulmuesi i Kombëtares shqiptare: Pritje miqësore, jam gati të bëj goleadorin.
“Mund të shkoja te Skoci, por oferta e Junajtid ishte më e mirë”
Pritje mbresëlënëse për Hamdi Salihin, i cili mbërriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës te skuadra e tij e re, DC Junajtid. Sulmuesi është prezantuar zyrtarisht nga drejtuesit e kësaj skuadre, të cilët më pas nuk kanë kursyer elozhet për të. Nga ana tjetër, edhe Salihi ka dhënë intervistën e tij të parë për uebsajtin zyrtar të klubit, duke treguar mënyrën se si ishte pritur, stërvitjen, dhe ofertën që e bëri të pranonte fanellën e DC Junajtid. Shkodrani nuk e ka mohuar faktin se mund të luante në Skoci te Sëlltiku ose Gllazgou rejnxhers, por për shkak të parave pat zgjedhur që të vinte në kampionatin amerikan të futbollit (MLS – Major League Soccer). Në fund, shkodrani ka treguar edhe bisedat e gjata me malazezin Boshkoviç, aktualisht lojtar i Junajtid, me të cilin kishte luajtur te Rapidi i Vjenës.
Dita e parë te Junajtid, si janë përshtypjet e Salihit?
Faleminderit për gjithë interesimin që keni pasur ndaj meje pikë së pari dhe, së dyti, sot ishte dita ime e parë në stërvitje. Ashtu siç e prisja, edhe ndodhi. Kisha folur më parë me disa miq e shokë dhe mund të them se jam pritur mjaft mirë. Të gjithë kanë qenë miqësorë me mua, ndaj si për ditë të parë nuk doja më shumë se kaq.
Pse zgjodhët të vinit te Junajtid?
Në fakt, kam pasur shumë oferta. Çdo ditë më vinte nga një e tillë, duke filluar që nga skuadra ruse, turke, si dhe gjermane, por nuk bëhej fjalë për klube të mëdha. Isha edhe shumë pranë kalimit ose te Sëlltiku, ose te Gllazgou Rejnxhers në Skoci, por që të dyja këto skuadra kishin probleme të mëdha financiare. Në këto kushte, duke bërë mjaft mirë llogaritë, vendosa të pranoj ofertën e bërë nga Junajtid, pasi e pashë si një mundësi më të mirë për karrierën time.
Te DC Junajtid luan edhe Boshkoviç, me të cilin keni luajtur te Rapidi i Vjenës, çfarë ju ka thënë ai për ekipin e ri dhe kampionatin amerikan?
Po kam folur shumë me Boskon gjatë ditëve të fundit. Ai më ka shpjeguar thuajse gjithçka, duke filluar që nga stërvitja e deri ta planet që ka kjo skuadër për sezonin futbollistik. Por më e rëndësishmja është se ai më tha se ekipi është i uritur për të shkuar në “play-off” dhe që të fitojë. Më bëri të qartë se të gjithë në skuadër janë gati të më mbështesin dhe miqësia është një gjë mjaft e mirë për harmoninë në skuadër.
Para se të vinit te kjo skuadër, cila ka qenë përshtypja juaj për futbollin amerikan?
Është një kampionat, që po rritet nga viti në vit. Këtu kanë ardhur shumë lojtarë të mirë cilësorë, ndaj edhe në Europë po shihet me më shumë respekt dhe interes jo vetëm kampionati, por edhe Kombëtarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Kudo që keni luajtur, keni shënuar shumë gola, çka pritet ta bëni edhe këtu te Junajtid; Ndieni ndonjë lloj presioni pikërisht për atë çka pritet nga ju?
Jo, nuk ndiej asnjë lloj presioni. Unë jam sulmues dhe si detyrë kam shënimin e golave, ndaj ashtu sikundër kam bërë edhe në skuadra të tjera, do mundohem ta bëj edhe këtu. Sigurisht duhet të kesh edhe mbështetjen e skuadrës, si edhe pak fat, por unë besoj se këtu do t’i kem që të dyja.
Trajneri: Gjetëm “pykën” që donim
Trajneri i DC Junajtid, Ben Olsen, beson se më në fund skuadra e tij e ka gjetur një zgjidhje për sulmin. “Ne kemi qenë në kërkim të një “numri 9? të duhur për këtë klub, që na ka munguar për disa kohë, – tha Olsen, referuar uniformës me këtë numër. – Ne mendojmë se e kemi gjetur tashmë atë”. Trajneri i ekipit amerikan, Olsen, tha se ushqen shpresa të mëdha te sulmuesi shqiptar, në sezonin e tij të parë. “Natyrisht, ai nuk është gati të luajë 90 minuta, të përshtatet me ekipin tonë që tani. Javët e ardhshme janë shumë të rëndësishme për ne dhe për të”.Menaxheri: Kemi marrë goleadorin
Drejtuesit e klubit amerikan mendojnë se Salihi është lojtari ideal për ta kombinuar me De Rosarion (sulmuesi tjetër), i cili ka rinovuar së fundi kontratën dhe dikton sulmin e skuadrës nga një rol mesfushori i tërhequr, që del edhe përpara. “Ai ka ardhur këtu për të bërë golashënuesin – ka thënë menaxheri i përgjithshëm, Dejv Kasper, për Salihin. – Ne kemi menduar edhe mënyrën e lojës, se si mund të ofrojmë shërbime për të. De Rosario, siç e dimë, është një asistues i përpiktë për sulmuesit, ndaj këtë rol do ta bëjë edhe për Salihin”.U-17/ Shqipëri-Slloveni 0-1
Ekipi kombëtar U-17 ka zhvilluar një ndeshje miqësore ditën e djeshme në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” në Elbasan, në prag të kualifikimeve në elitë raund të Europianit. Trajneri Mustedanagiç aktivizoi pjesën më të madhe të titullarëve që ka pasur në dispozicion edhe vitin e shkuar (Teqja, Jonuzi, Hakrama, Marku, Borshi, Vorpsi, Kalaja, Ymeraliaj, Ymeraj, Bardhi, Murati, Bojaj etj). Lojtarët tanë kanë qenë të paqartë në lojën e tyre, çka bëri që jo vetëm të mos shënonin, por edhe të pësonin golin e vetëm të këtij takimi në fillim të pjesës së dytë nga sulmuesi slloven, Sauperl. Nesër po në këtë stadium do të luhet edhe takimi i dytë miqësor, sërish ndaj Sllovenisë.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











