
Ndryshon formacioni i Shqipërisë për ndeshjen ndaj Bosnjës. Shkak është bërë lëndimi i sulmuesit Hamdi Salihi, i cili ka prishur në një farë mënyre të gjitha planet e Kuzhesë për këtë takim.Ndonëse ishte në dilemë luajtja me dy sulmues ndaj një skuadre ofensive si Bosnja dhe për më tepër në transfertë, përsëri në seancat stërvitore dhe në ndeshjen e kontrollit ndaj Olimpikut (7-0), trajneri kroat i kuqezinjve nuk iu nda Salihit dhe Bogdanit, që të dy në sulm dhe me shkodranin që sakrifikohej disi më tepër në mesfushë. Por, dëmtimi në pulpë i sulmuesit gjatë këtij takimi ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si skuadra do të luajë në repartin ofensiv.
Salihi – Sulmuesi ka pranuar dje se ndjen ende dhimbje dhe nuk e di nëse do të rikuperohet. “Kam dhimbje. Edhe tani që flasim bashkë kam probleme në pulpë. Nuk e di ende nëse do luaj apo jo. Sot pasdite (dje) ose nesër do të bëj një konsultë tjetër me mjekët dhe do të shikojmë mundësinë nëse do të arrij të bëhem për këtë ndeshje apo jo. Nuk di t’ju them më tepër, pasi as vetë nuk e kam idenë se si do të shkojë kjo punë”, – ka pohuar Salihi.
Mjeku – Ndërkaq, të interesuar pranë stafit mjekësor të Kombëtares na sqaruan se dëmtimi nuk është aq i lehtë sa u mendua në fillim. “Shikoni, nuk i kemi bërë të gjitha verifikimet e nevojshme, por di t’ju them se është një dëmtim as për të mos u marrë parasysh dhe as për t’u alarmuar. Për momentin di t’ju them se me gjasa sulmuesi mund të mos jetë gati, megjithatë kjo nuk është definitive, sepse kjo do të shihet më vonë dhe ndoshta do të duhet bërë pak fizioterapi”, – ka deklaruar mjeku Çeliku.
Formacioni – Në të tilla kushte duket se skema e Kombëtares do të ndryshojë. Kështu, dje, trajneri kuqezi u ka shpjeguar idetë e tij kuqezinjve para konferencës për shtyp, duke vënë në zbatim disa ndryshime thelbësore sidomos në mesfushë. Kështu, sipas të gjitha gjasave, në portë do të jetë Samir Ujkani. Në mbrojtje kemi rikthimin e Dallkut, i cili do të marrë pozicionin e tij në krahun e djathtë. Në qendër të mbrojtjes do të jetë Cane dhe Teli, por ekziston mundësia edhe e aktivizimit të Currit, nëse Cana do të ketë probleme dhe në të majtë do të jetë Vangjeli.
Skema – Mirëpo, lëvizjet më të mëdha vijnë më lart: në mesfushë e sulm. Para mbrojtjes do të jetë kapiteni Altin Lala dhe në të dy krahët e tij pak më të avancuar do të luajnë Andi Lila në të djathtë dhe Ervin Bulku në të majtë. Në mesfushë ndërkaq, por me detyra sulmuese, në të djathtë do të luajë një Skelë, i cili vjen nga një dëmtim, por që sipas informacioneve është njëqind për qind i rikuperuar. Në të majtë do të luajë Agolli, ndërsa i vetëm në sulm do të jetë Erjon Bogdani.
Shqipëria
Formacioni i mundshëm
Ujkani, Dallku, Teli, Cana, Vangjeli, Lala, Lila, Bulku, Skela, Agolli, Bogdani
Skema: 4-3-2-1
EURO 2012/ Ndeshjet
Grupi A
Kazakistan-Azerbajxhan 2-1
Shënues: Gridin 58’, 68’/ Nadirov 63’
Austri-Gjermani 1-2
Shënues: Fridrish 50’ (autg)/ Gomez 24’, 90’
Belgjikë-Turqi 1-1
Shënues: Ogunjimi 4’/ Jilmaz 22’
Grupi B/Sot
17:00 Rusi-Armeni
20:15 Sllovaki-Andora
21:30 Maqedoni-Irlandë
Grupi C
Ishujt Faroe-Slloveni 0-2
Shënues: Matavz 29’,
Baldvinson 47’ (autg)
Itali-Estoni 3-0
Shënues: G.Rosi 21’,
Kasano 39’, Pacini 68’
Grupi E
Moldavi-Suedi 1-4
Shënues: Bugaiov 61’/ Toivonen 11’, Elmander 30’, 58’, Gerndt 88’
San Marino-Finlandë 0-1
Shënues: Forsell 41’
Grupi F
Kroaci-Gjeorgji 2-1
Shënues: Mandzukiç 76, Kaliniç 78’/ Kankava 17’
Sot
18:30 Letoni-Izrael
20:30 Greqi-Maltë
Grupi G/ Sot
17:45 Angli-Zvicër
20:30 Mal i Zi-Bullgari
Grupi H/Sot
20:45 Islandë-Danimarkë
22:00 Portugali-Norvegji
Grupi I
Litenshtejn-Lituani 2-0
Shënues: Erne 6’, Polverino 36’
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











