
Futbollisti do të përfitojë rreth 750 mijë dollarë rrogë, pa përfshirë premiot
Sulmuesi: Firmosa për 4 vjet me DC Junajtid
Hamdi Salihi do të luajë për skuadrën e DC Junajtid në kampionatin amerikan të futbollit. Lajmi është konfirmuar jo vetëm nga të dyja klubet, por edhe nga vetë sulmuesi shqiptar për “Panorama Sport”. “Po, kam firmosur për DC Junajtid një kontratë katërvjeçare. Në total bëhet fjalë për një rrogë diku te tre milionë dollarë, pa përfshirë këtu premiot. Gjithsesi, kam rënë dakord me klubin që pas dy vitesh, në rast se do të kem një ofertë më të mirë nga një skuadër tjetër kudo, mund ta prish kontratën dhe të mos kem asnjë lloj penaliteti”, ka thënë Salihi. Ndërkaq, nuk bëhet me dije sesa ka përfituar në rastin konkret skuadra e Rapidit të Vjenës, klub i cili ka pasur deri dje në pronësi kartonin e lojtarit. Lojtari kishte kohë që përflitej në merkato, por pa zgjidhur në mënyrë definitive dilemën e së ardhmes së tij, duke futur në kaos jo pak edhe klubin e mediat. Së fundi, në drejtim të tij kishte shkuar oferta e DC Junajtid dhe sipas menaxherit të këtij klubi, Dejv Kasper, tratativa është mbyllur me sukses. “Jam i lumtur t’ju informoj se sapo kemi mbyllur tratativën me sulmuesin shqiptar të Rapidit të Vjenës, Hamdi Salihi. Ai është një nga lojtarët më të mirë për momentin dhe kam shumë besim se do na ndihmojë me golat e tij. Ne jemi të sigurt se kemi bërë një investim mjaft të mirë, dhe këtë gjë do të shikoni më së miri në mars, kur ai të jetë pranë skuadrës”, ka thënë dje për mediat Kasper, duke bërë kështu zyrtare kalimin e Salihit në kampionatin amerikan. Siç dihet, merkatoja e “Major League Soçer” (kampionati amerikan i futbollit) mbyllet më 15 prill, ndërsa një rol të rëndësishëm në negociata për kalimin e Salihit te kjo skuadër ka luajtur malazezi Branko Boskoviç, i cili ka qenë pjesë e Rapidit të Vjenës para dy sezonesh dhe më pas u transferua te DC Junajtid në vitin 2010. Largimi i Hamdi Salihit nga Rapidi i Vjenës ka qenë një intrigë më vete gjatë merkatos së janarit. Lojtarit i skadonte kontrata në fund të këtij sezoni dhe nuk kishte pranuar ofertën e bërë nga drejtuesit e klubit për rinovim. Sulmuesi kishte kërkuar një rritje rroge të cilën klubi nuk e kishte aprovuar, ndaj po kërkonte me çdo kusht që ta largonte gjatë janarit me qëllim që të mund të përfitonte diçka nga shitja e tij. Nëse Salihi qëndronte deri në fund të kontratës, ai më pas kishte të drejtë të shkonte kudo me parametër zero. Pikërisht kësaj gjëje iu frikësuan austriakët, të cilët pranuan edhe oferta më të ulëta sesa 600 mijë euro që paguan në 2009-n kur e morën nga Riedi.
Kinezët i rritën “pazarin”
Skuadra e Çangçun Jatait në Kinë pati kërkuar fuqishëm sulmuesin shqiptar. Kjo e fundit dha 450 mijë euro për kartonin e Salihit dhe një rrogë prej 1.3 milion eurosh për tri vite kontratë. Marrëveshja u arrit dhe madje u konfirmua se nga Kina u transferuan edhe paratë në arkën e Rapidit, por duke përfituar nga fakti se në vendin aziatik merkatoja përfundonte më 2 mars, Salihi nuk hodhi firmën në kontratë, duke pritur për oferta të tjera. Në fund erdhi oferta e DC Junajtid dhe lojtari refuzoi kinezët, duke kaluar përfundimisht te kjo skuadër. Sakaq, vetë Salihi e pranon se pikërisht futja në lojë e skuadrës kineze i ngriti atij më shumë vlerat dhe pazarin në merkato, nga ku më pas erdhi edhe oferta e amerikanëve.Ja si do paguhet Hamdi Salihi në MLS
Detajet e kontratës së Hamdi Salihit nuk janë bërë me dije nga menaxheri Dejan Drobnjak, por sulmuesi i Kombëtares sonë do të klasifikohet te “lojtarët e përcaktuar të MLS”-së. Ky është një mekanizëm që ka hyrë në fuqi 5 vjet më parë, kur Dejvid Bekham u transferua në kampionatin amerikan. Federata subvencionon një pjesë të pagës së lojtarit me qëllim grumbullimin e sa më shumë yjeve në MLS. Sipas këtij rregulli, për lojtarët e klasifikuar në këtë kategori, të cilët presupozohen të kenë paga shumë lë larta, 335 mijë dollarë të rrogës vjetore ua paguan federata, ndërsa pjesën tjetër klubi.DC Junajtid, ndër klubet elitare
Duhet thënë se megjithëse ka pasur rënie në vitet e fundit, DC Junajtid është klubi më i mirë në historinë e kampionatit amerikan MLS, me 4 trofe të fituar, më shumë se çdo skuadër tjetër (1996, 1997, 1999, 2004). Që nga 1996, kur në Amerikë u krijua MSL, kjo skuadër ka fituar edhe 4 kupa (1997, 1999, 2006, 2007), si dhe pesë kampionate të konferencës së lindjes (1997, 1998, 1999, 2006, 2007). Veç këtyre, kjo skuadër ka fituar edhe 7 kupa “Atlantic Cup” në 2002, 2004, 2005, 2006, 2007, 2008 dhe 2009. Nga trofetë e fituara, DC Junajtid është skuadra më e mirë në MSL.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











