Salihi do 500 mijë euro, Arisi tërheq ofertën

Aug 27, 2011 | 11:47

Është shuar ëndrra e klubit të Arisit për të marrë shërbimet e sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi. Drejtuesit e skuadrës selanikase, ku aktivizohet edhe mbrojtësi Kristi Vangjeli, i kanë bërë një ofertë zyrtare lojtarit të Rapidit. Burime pranë tij, bëjnë të ditur se Arisi ishte i gatshëm të jepte 400 deri në 450 mijë euro në sezon për shkodranin. Por, problem për transferimin e tij në Selanik ishte edhe kontrata që ka në fuqi me Rapidin. Klubi austriak e shet Salihin, vetëm në rast se skuadrat e interesuara për të japin një milionë euro. Megjithatë, fillimisht grekët kanë biseduar me sulmuesin, për të njohur edhe kërkesat e tij. Mësohet se Salihi u ka prerë shkurt grekëve, “Vij vetëm nëse më jepni 500 mijë euro në sezon,”, i ka thënë sulmuesi menaxherit të përgjithshëm të Arisit. Bisedat janë bërë nëpërmjet telefonit dhe selanikasit, duke u njohur me kërkesën e lojtarit, janë tërhequr.

© Panorama.al

Te lidhura