Sajmir Tahiri “pushton” Gjykatën me 20 deputetë

Jun 7, 2012 | 14:57
Deputetët e PS dje gjatë procesit gjyqësor të Sajmir Tahirit

Deputeti i Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri, i shoqëruar dje në Gjykatë nga të paktën 20 kolegë të tij parlamentarë, kërkoi rihapjen e shqyrtimit gjyqësor të padisë së dy fëmijëve të Kryeministrit Sali Berisha kundër tij. Kërkesa e Tahirit erdhi pesë ditë pasi Gjykata mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe ftoi palët në paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare. Në një sallë ku ishin të pranishëm rreth 20 deputetë të Partisë Socialiste dhe disa përfaqësues të shoqërisë civile, i padituri Tahiri pretendoi se nuk kishte pasur mundësinë të paraqiste provat me të cilat do të provonte vërtetësinë e deklaratave të tij kundër fëmijëve të Kryeministrit. “Kërkoj të riçelet shqyrtimi gjyqësor. Gjatë gjithë këtij gjykimi mua nuk më është dhënë mundësia të flas asnjëherë. Nuk kam paraqitur asnjë provë dhe nuk është pyetur asnjë dëshmitar”, u shpreh Tahiri. Para gjyqtarit Ilir Çeliku i padituri Tahiri shprehu pamundësinë e sigurimit të provave prej tij. “Kam bërë 15 kërkesa në institucionet shtetërore. Kam marrë përgjigje vetëm në tri raste. Për rastet e tjera nuk kam marrë përgjigje. Në dy raste kam marrë refuzime”, vijoi Tahiri. Sipas tij, në një nga rastet e refuzimit thuhej se të drejtën për të kërkuar prova e ka vetëm Gjykata. Tahiri u shpreh se kishte saktësuar adresat e dëshmitarëve të kërkuar prej tij, për të cilët në seancat e mëhershme Gjykata pretendoi se nuk gjente adresat. Në të njëjtën linjë, Tahiri kërkoi ndihmën e gjykatës për sigurimin e disa akteve, pjesë e fashikullit të dosjes “Gërdeci” në Gjykatën e Tiranës. Bëhej fjalë për një korrespondencë mes ish-ministrit të Drejtësisë Aldo Bumçi për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, me një mbishkrim me shkrim dore “Për Shkëlzen Berishën”. Po aty Tahiri përmendi tabulatet telefonike të Mihal Delijorgjit në lidhje me një bisedë mes tij dhe Shkëlzen Berishës pak minuta pas shpërthimit të Gërdecit. Në përfundim, gjykata shtyu seancën për në 11 qershor, ku do të shprehet në lidhje me kërkesat e deputetit Tahiri.                          ar.ba

Mungesa në seancë
Seanca e kaluar e gjykimit të padisë kundër Tahirit u zhvillua në mungesë të tij. Ai kishte dërguar një kërkesë për shtyrje të seancës, kërkesë që nuk u mor parasysh nga gjykata. Refuzimi i  kërkesës u argumentua nga gjykata me faktin se nga ana e deputetit nuk ishte paraqitur asnjë arsye bindëse për mosparaqitjen e tij në proces.

Padia
Deputeti Sajmir Tahiri u padit nga fëmijët e Kryeministrit Berisha për shkak të disa deklaratave publike të tij në studion e programit televiziv “Zonë e lirë” në emër të tyre. Sipas paditësve, deklaratat e Tahirit ishin të pavërteta dhe kishin për qëllim cenimin e nderit dhe personalitetit të tyre. Ata kërkojnë nga 4 milionë lekë dëmshpërblim prej deputetit të PS. Në seancat e kaluara deputeti i PS pati depozituar në Gjykatë emrat e 11 dëshmitarëve të pretenduar prej tij, por trupi gjykues theksoi se adresat e tyre nuk ishin gjetur për t’u dërguar letër-porositë.

Beçaj: Gjykata mbingarkesë me dosje, reformë ligjit
TIRANE – Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, e cilësoi dje si alarmante gjendjen e krijuar në Gjykatën e drejtuar prej saj për shkak të mbingarkesës së dosjeve për gjykim. Në fjalën e saj në konferencën ndërkombëtare “Reforma e Gjykatës së Lartë”, Beçaj tha se Gjykata e Lartë është tejet e mbingarkuar. “Për ilustrim të kësaj gjendjeje alarmante, ju bëj me dije se në fund të vitit 2011 volumi i çështjeve të mbartura nga vitet e mëparshme ka qenë 9198 çështje, afërsisht sa 3.5 fishi i mesatares shumëvjeçare të volumit të punës së kësaj gjykate”, tha Beçaj. Sipas kryetares Beçaj, situata e krijuar bën evident ndryshimin e dispozitave përkatëse të ligjit lidhur me numrin e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë (shtimin e tyre nga 17 në 23 anëtarë), shtimin e kolegjeve duke krijuar Kolegjin Administrativ pranë Gjykatës së Lartë, dhe rishikimin e numrit të anëtarëve të kolegjeve sipas rëndësisë së çështjeve, me 3, 5 apo 7 gjyqtarë. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, në fjalën e tij u shpreh në lidhje me nevojën e reformimit të procesit të përzgjedhjes së gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Ministri Halimi vuri theksin në faktin se kriteret e emërimit të gjyqtarëve të lartë duhet të orientohen pa diskutim drejt meritokracisë profesionale të kandidatëve. “Integriteti i kandidatëve duhet të verifikohet për të shmangur afrimitetin politik të tyre, në atë masë që mund të dëmtojë balancat apo të paragjykojë dukshëm pavarësinë e tij”, u shpreh Halimi.

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura