Saimir Pirgu “zbulimi i vitit” me ‘Rekuiemin’ e Verdit

Aug 30, 2011 | 11:42
Tenori Saimir Pirgu

Do ta konsideronin “zbulimi i vitit”…

Do të mjaftonte qoftë edhe vetëm fakti që ishte i përzgjedhur nga një ndër dirigjentët më të njohur në botë, Riccardo Muti, për t’u quajtur një sukses për të. Por për tenorin Saimir Pirgu, i cili sot ndodhet në Los Angeles duke u përgatitur për “Cosi fan tutte”, pikërisht këtu fillonte edhe përgjegjësia. “Mora kritika mjaft të mira, por asgjë nuk mund të krahasohej me kënaqësinë që nuk e zhgënjeva”, thotë Pirgu për “Il Messagero”, pas interpretimit në “Rekuiem” të Giuseppe Verdit, në skenën e Salzburgut. Çdo vepër e drejtuar nga mjeshtri italian, që një muaj më parë festoi në skenë 70-vjetorin, Riccardo Muti përbën një ngjarje të veçantë, aq më tepër kur bëhet fjalë për sukses. Mediat austriake e italiane do ta quanin një “triumf të Riccardo Muttit”, pjesë e të cilit ishte edhe tenori shqiptar, Saimir Pirgu. Shumë kritikë do të ndaleshin në veçanti në interpretimin e tij. “Një triumf në Salzburg “Rekuiemi” i Verdit, drejtuar nga Riccardo Muti me Wiener Philharmoniker e, mes këngëtarëve, tenori zbulim i vitit, shqiptari Saimir Pirgu”, shkruhet në të përditshmen italiane “La Repubblica”. “Një kast vërtet i jashtëzakonshëm me zëra, të gjithë në lartësinë e këtij “Rekuiemi””, shkruan “Il Giornale”, teksa shton se këngëtarët arritën të kalonin bukur nga pianisimo në fortisimo, duke ruajtur të pastër dhe të kuptueshme gjuhën origjinale të veprës. Bashkë me Pirgun, në shoqërinë e Orkestrës Filarmonike të Vjenës, interpretuan edhe sopranoja bullgare Krassimira Stoyanova dhe mexosopranoja ruse Olga Borodina.
Një rast që s’duhej humbur
Pas shfaqjes së pak ditëve më parë, tenori shqiptar do të ishte në faqet e shumë mediave të huaja, të cilat nuk do të ngurronin t’i merrnin intervista artistit me origjinë shqiptare. “Duke e parë gjatë “Rekuiemit” të Verdit në Salisburg, i zhytur në vështrimin e Riccardo Mutit, i përqendruar për të frymëmarrë bashkë me të, do të thoshe: është një tenor me eksperiencë të gjatë, një nga ata që e ka kuptuar se ç’duhet të bëjë në një moment të dhënë. Por në fakt, Saimir Pirgu nga Elbasani i Shqipërisë, i vitit 1981, është një djalë që ende nuk i ka bërë të 30-at”, shkruan “Il Messaggero”. Më tej, e dërguara italiane në Salzburg, Rita Sala, shkruan: “I diplomuar për violinë u rrëmbye nga pasioni për kanton. Pas studimeve në Konservatorin Monteverdi të Bolzanos, nën drejtimin e Vito Brunettit, u pagëzua nga i madhi Luciano Pavarotti. Në telefonin celular ndodhen video të tij, të cilat i mban me vete “për dashurinë, admirimin, respektin dhe shoqërinë”. Me një pamje mesdhetare, romantike…, e duhura për interpretimin e roleve të tij, ai tashmë ka kënduar në Rossini Opera Festival në Staatspor të Vjenës, në La Scala, Covent Garden, Berlin Staatspor, Metropolitan, Operën e Romës… Ju kujtohet Nemorino tel “Elisir d’amore”, që u detyrua të bënte bis arien “Una furtiva lagrima?”… “Deri këtu karriera më ka buzëqeshur. Tani takimi në Salzburg me mjeshtrin Riccardo Muti në një vepër të mrekullueshme dhe shumë të vështirë të Verdit, “Rekuiem”. Një nga eksperiencat më të mëdha që më kanë qëlluar: një dirigjent-idhull i Wiener Philharmoniker, tension dhe emocion i çmendur. Dhe, pas një rezultati të mirë, një gëzim i tillë sa të duket sikur nuk je në vete”, thotë tenori. Betohet të ketë dhënë gjithçka, t’i jetë bindur tërësisht dirigjentit për të marrë nga zëri i tij atë timbrin engjëllor të kërkuar prej tij. “Më dukej sikur nuk kisha gjak, sikur më kishte fluturuar shpirti. Iu “dorëzova” dirigjentit dhe ai më solli në vete. Ai është i aftë të marrë frymë bashkë me këngëtarët, t’i kontrollojë, gjithnjë pa dalë nga frymëzimi që e udhëheq. Ndjek një linjë të nëndheshme që e bashkon me kompozitorin. Dhe ndërkohë, nuk kam njohur një shpirt kaq të lirë, një personalitet kaq të spikatur. Kur pas interpretimit që bëra, më tha që kisha dalë mirë, u ndjeva i lumtur. Falë drejtimit të tij arrita të fitoj ca kritika të mira, por ju betohem që nuk janë asgjë krahasuar me kënaqësinë që nuk e zhgënjeva”, vazhdon ai.
Projektet
Jeton në Verona, por në qytet nuk e gjen gati kurrë. Shkon nga një teatër në tjetrin, një artist me valixhe në dorë që përball gëzueshëm, pas një verdianeje të lodhshme, një udhëtim drejt Los Angelesit me “Cosi fano tutte” të Moxartit. Po më pas? “Më pas në Vjenë, ku kam një kontratë për të kënduar “Iolandën” e Çajkovskit”, në gjuhën ruse dhe që është ngjitur edhe në skenën e Salzburgut”. Përdor shpesh kushtoren, ndoshta sepse e sheh shumë të “rrezikshme” të flasë për të ardhmen. Apo është thjesht supersticiozitet artisti? Kur e pyet “po ju, a e mbani mend gjuhën e origjinës”, me të drejtë habitet: “Pse nuk duhet?!” Është një mik i mirë i shkrimtarit Ismail Kadare, autor i “Prillit të thyer”, “Daullet e shiut”, “Vajza e Agamemnonit”, etj. “Ai është një yll i letërsisë botërore, një bashkëkombës, për të cilin jam shumë krenar”. E më pas të tregon për të mirat e të këqijat e Shqipërisë, peizazhet, historinë, dramat e melodramat, punën e vështirë… “Thonë se tenorët janë budallenj. Nevojitet të tregojmë se nuk është kështu…”

© Panorama.al

Te lidhura