QERIM VRIONI 
Me piktorin dhe poetin Sadri Ahmeti (Vuthaj, Mali i Zi, 23.3.1939-Tiranë, 24.6.2010) isha njohur në një ekspozitë pikture në Galerinë e Arteve të Tiranës nëpërmjet Kujtim Halilit, mikut tim të ndjerë, poet dhe njëkohësisht punonjës i saj. Më pas e shtuam miqësinë edhe me kafet e mëpasme, si edhe me ndonjë gotë rakie që rrëkëllenim të tre aty nën valanidhin e madh para Galerisë.
Ai kishte kaluar një jetë plotë vështirësi, ishte larguar nga vendlindja me shumë ëndrra për në shtetin amë, i cili e priti krahëmbyllur (siç nuk mendonte se do pritej), sepse pas peripecive të ndryshme, si banim i disaktuar dhe punë e detyruar, me vështirësi fiton të drejtën e studimit për Institutin e Arteve në fillim të viteve ’70. Pas 2-3 vite akademikë, ai arrestohet për agjitacion-propagandë dhe kryen disa vite burg politik. Në burgun famëkeq të Spaçit, ai pikturoi me fantazinë e tij në akuarele disa portrete vajzash, “të bukurat e dheut të racës shqiptare”, me të cilat siç shprehej me humor, “martoi beqarët e burgosur”. Sidoqoftë, as burgu dhe as vështirësitë e jetës para tij, Sadriut nuk ia kishin zbehur dëshirën për të bukurën në arte.
Ai shkruante poezi të ndiera dhe pikturonte akuarele plot hijeshi. Ndoshta të dyja fushat e artit ku krijonte i jepnin dorë njëra-tjetrës. Veçse me një ndryshim: ndërsa me fjalë edhe gjëmonte kundra padrejtësive ndaj shqiptarëve, me penel përkëdhelte bukuritë e racës sonë. Gjithashtu, vuajtjet nuk ia kishin tharë ndjenjën e humorit, të cilin e përcillte me atë të folurën e tij të ngadalshme dhe karakteristike, por edhe me të qeshurën e vet që e niste i pari. Sadriu ka marrë pjesë me akuarele në rreth 15 ekspozita të përbashkëta dhe vetjake, brenda dhe jashtë vendit.
Ai mbahet nga kritika e arteve pamore, si një nga 3- 4 akuarelistët më të shquar në vend. Pas viteve ’90, Sadri Ahmeti boton edhe disa përmbledhje poetike si: “Një e qeshur harbon nëpër errësirë”, “Dielli për në Ballkan nuk kalon nëpër Goli Otok”, “Ajsbergu i preludit të katastrofës”, “Masakra e Tivarit” dhe në prozë, “33 vjet në mitrën e ferrit të fjalës”, të cilat janë pritur me kënaqësi nga lexuesit dhe kritika. Koha e kësaj fotoje përkon me një ekspozitë kombëtare në mjediset e Galerisë Kombëtare të Arteve. E fotografova si vjedhurazi, kur ai po shikonte dikë në të majtë. Ishte nëntor 2003.
© Panorama.al











