
Armando Sadiku është transferuar te skuadra e Luganos së Kategorinë e dytë të Zvicrës. Ai nënshkroi një kontratë 3-vjeçare ku do të paguhet rreth 200 mijë franga në sezon (afro 165 mijë euro), ndërsa Lugano derdhi në arkat e klubit të Lokarnos një shumë prej 500 mijë frangash. Nëse bën një llogari totale duke përfshirë vlerën e kartonit dhe pagën vjetore të lojtarit për tri sezone, i gjithë operacioni i ka kushtuar rreth 900 mijë euro. Nëse përfshihen këtu edhe bonuset për fitore, apo për arritje objektivash, shuma shkon afro 1 milionë euro. I kontaktuar nga “Panorama Sport” sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka pohuar se ishte pranë transferimit te Torino, por pati frikë se mos nuk do të gjente hapësira.
Sadiku, për sa vite nënshkruat me Luganon?
Firmosa për tri vite dhe jam i lumtur. Mendoj se kam bërë një hap të rëndësishëm në karrierë dhe mbi të gjitha një hap të sigurt.
Sa pagoi Lugano për kartonin tuaj?
Pagoi rreth 500 mijë franga.
Po ju sa do të merrni?
(heziton)… Do marr afro 200 mijë franga në sezon.
Është e vërtetë që ishit pranë Torinos?
Po, deri në momentin e fundit Torino ishte në garë.
Po si ka mundësi që refuzuat një skuadër të Serisë A?
Sepse atje nuk e kisha vendin të sigurt. Madje ata (zyrtarët e Torinos) më thanë se në fillim do të luaja i huazuar në skuadra të Serisë B ose C dhe më pas mund të luaja me ekipin e parë. Pata frikë, sepse nuk dua të digjem.
Po oferta nga skuadra të tjera patët?
Po, te Lokarno kishin shfaqur interes katër klube. Bëhet fjalë për Luganon, Union Berlinin, Torinon dhe Serveten.











