S’u japin kuponin tatimor klientëve, bllokohen 20 pika karburantesh

Jun 7, 2011 | 10:52

SHKODER- Drejtoria e Tatimeve në Shkodër ka bllokuar 20 pika të shitjes me pakicë të karburanteve në tre qarqet e Veriut si rezultat i mosfiskalizimit të pompave të karburanteve. Ka qenë një operacion i kësaj Drejtorie, e cila në mbështetje të një urdhri të lëshuar nga zyra e hetimit tatimor, bëri bllokimin deri në 6 muaj, sipas ligjit, të këtyre pikave të tregtimit me pakicë të karburanteve në qarqet e Shkodrës, Lezhës dhe të Kukësit. Një veprim i tillë ka ardhur pasi këto pika karburantesh nuk ishin fiskalizuar (pajisja e tyre me kasa dhe kupon tatimor), edhe pse ligji prej kohësh ka hyrë në fuqi. Madje këto subjekte për të njëjtën shkelje ishin gjobitur më parë, por sërish ato nuk  kishin marrë masa, ndaj në bazë të ligjit mbi to është vepruar me bllokimin e veprimtarisë. Sipas Mark Laloshit, përgjegjës i Sektorit të Marrëdhënieve me Publikun pranë Drejtorisë rajonale të Tatimeve në Shkodër, dje është organizuar një aksion i tillë në zbatim të urdhër-bllokimeve të dala nga 3 drejtoritë rajonale tatimore të rretheve Shkodër, Lezhë dhe Kukës, të cilat janë nën juridiksionin e zyrës së hetimit tatimor. “Sektori ynë i inspektimit ka qenë i detyruar që të ndërmarrë një operacion të tillë, pasi vetëm pak ditë më parë është lëshuar nga ana e zyrës rajonale të hetimit urdhri i bllokimit të veprimtarive të rreth 20 pikave të shitjes me pakicë të karburanteve, ngaqë në bazë të hetimit të bërë ka rezultuar që subjekte të tilla nuk kanë realizuar fiskalizimin e pompave të karburanteve (pajisjen e tyre me kasat përkatëse dhe dhënien e kuponit tatimor klientëve që furnizoheshin me karburant në këto pika)” u shpreh Laloshi.
Në bazë të Ligjit për proceduarat tatimore, të gjitha subjektet e karburanteve që nuk kanë realizuar fiskalizimin e pompave, në bazë të një urdhri të drejtorive rajonale të organeve përkatëse, do të zbatohet urdhër- bllokimi, duke pezulluar aktivitetin e këtyre pikave deri në 6 muaj. Sipas drejtueseve të zyrës rajonale të tatimeve në Shkodër, nga konstatimet e bëra nga ana e zyrës rajonale të hetimit, që me hyrjen në fuqi të Ligjit për fiskalizimin e pompave të karburanteve, janë me qindra klientë të cilëve gjatë furnizimit të mjeteve të tyre me karburant gjatë pagesës së parave, atyre nuk u është dhënë kuponi tatimor, gjë e cila jo vetëm që është në kundërshtim me ligjin, por kjo bën që të mos kemi deklarim të saktë të sasisë së shitur nga ana e këtyre pikave, duke iu shmangur kështu deklarimit zyrtar të xhiros.     r.d

© Panorama.al

Te lidhura