
Pezullohen punimet te Kopshti Botanik në Tiranë. Ministria e Mjedisit vendosi dje të mos lejojë dy firmat të vijojnë aktivitetin e tyre, pasi nuk janë të pajisura me leje mjedisore.Gjithçka e konfirmoi edhe zv. ministri i Mjedisit, Arben Demoti. “Inspektorët tanë kanë bërë ndërhyrjet dhe kanë pezulluar punimet, derisa procesi i dhënies së lejes mjedisore të përfundojë. Ne do të bëjmë një konsultim të gjere me faktorë të shoqërisë civile dhe me faktorë të tjerë e më pas do të përcaktojmë edhe kushtet përkatëse të lejes përfundimtare të mjedisit”, tha Demeti. Sa i përket kritereve që duhet të plotësojnë firmat për të marrë lejen, zv. ministri sqaroi se minimalisht ato duhet të kompesojnë dënimin mjedisor që po shkaktojnë te Kopshti Botanik, në një tjetër sipërfaqe. Më tej të nisin me procedurat e aplikimit për t’u pajisur me këtë leje. Kjo është hera e dytë që ndërpriten punimet për zbatimin e projektit për ndërtimin e Unazës së Madhe te Kopshti Botanik.
Sipas projektit, segmenti i këtij projekti që prek Kopshtin Botanik është ai që fillon nga Komuna e Parisit deri në rrugën e re, Tiranë-Elbasan, kurse sipërfaqja që kalon në favor të këtij projekti është 9 mijë e 263 metra katrorë. Rinisja e punimeve u shoqërua edhe me protesta nga ambientalistët. Ata akuzuan Ministrinë e Transporteve, qeverinë dhe Universitetin e Tiranës për mungesë transparence. Po kështu, kërkuan që të jepen shpjegime për buxhetin e parashikuar në këtë projekt. “Buxheti i projektit ende nuk është i njohur. Nuk dihet nëse ky projekt ka apo jo mundësitë financiare për t’u përfunduar. Pyetja mbi koston dhe sigurimin e fondeve për këtë projekt ka qenë pjesë e një prej letrave tona pa përgjigje, drejtuar MPPT-se”, thuhet në deklaratën për mediat, të shoqatës ambientaliste, EDEN. Rreth 5.5 kilometra është gjatësia e Unazës së Madhe. Projekti për këtë rrugë është menduar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat mbrapa Parkut të Madh të Tiranës, në Kodrat e Saukut, nga ku do të lidhet me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.
ADI SHKEMBI











