S’ka konsensus, raundi i tretë drejt dështimit

Jun 7, 2012 | 14:21
Xhezair Zaganjori

Xhezair Zaganjori vazhdon të mbetet kandidati i vetëm drejt raundit të tretë të votimit në Parlament për postin e Presidentit. Kandidatura e maxhorancës mbetet ende e pazyrtarizuar, për shkak të mungesës së konsensusit të opozitës, por deri më sot i vetmi emër që gëzon mbështetjen e koalicionit të djathtë. Burime nga maxhoranca bënë të ditur dje se një takim i dytë midis Berishës dhe Ramës do të realizohet vetëm nëse Partia Socialiste do të propozoje emra të tjerë, alternativa të ndryshme nga ai i kandidatit të shumicës parlamentare, Xhezair Zaganjori.
Votimi
Parlamenti do të vendosë sot me votim zyrtarizmin e datës së zhvillimit të raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit. Në votim pritet të hidhet sot data e propozuar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, që raundi i tretë të zhvillohet të premten më 8 qershor. Nga ana tjetër, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka propozuar dy data, 10 dhe 11 qershorin. Votimi në Kuvend do të bëhet për shkak të mungesës së konsensusit midis maxhorancës dhe opozitës në Konferencën e Kryetarëve për të vendosur një datë me unanimitet. Propozimet e socialistëve sipas burimeve mësohet se kanë si qëllim të vetëm krijimin e më shumë mundësive kohore në realizimin e negociatave në nivel të lartë, për emrin e ri të kreut të shtetit, që ky i fundit të jetë produkti i një konsensusi më të gjerë politik.
Kandidatët
Në Kuvend që nga dita e çeljes së garës presidenciale, as demokratët dhe as socialistët nuk kanë filluar mbledhjen e 20 firmave të deputetëve, për të hedhur në votim një kandidat për postin e Presidentit. Partia Demokratike, LSI, PDIU dhe PR, vazhdojnë t’i qëndrojnë besnike kandidaturës së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese Xhezair Zaganjori, duke hequr dorë nga kandidaturat politike në tri raundet e para. Por Zaganjori, që mbështetet nga maxhoranca, nuk është zyrtarizuar si kandidat për t’u votuar në Kuvend. Nga ana tjetër, PS-ja nuk ka propozuar asnjë kandidat deri më sot, edhe pse kryetari i saj në mbledhjen e grupit të socialistëve ka kërkuar nga deputetët të bëjnë propozime për emra kandidatësh. Ndërkohë që një kandidaturë e vetëshpallur është ajo e ish-liderit historik të së majtës, Fatos Nano, i cili nuk po mbështetet nga ish-partia e tij, për dhënien e firmave të 20 deputetëve socialistë. Sipas Kushtetutës, raundi i tretë i votimit është shansi i fundit për maxhorancën dhe opozitën, që të votojnë me një shumicë të cilësuar një kandidat konsensual. Në raundin e katërt dhe të pestë, në Kushtetutë parashikohet se në rast se palët nuk arrijnë konsensusin, atëherë Presidenti mund të zgjidhet dhe me një shumicë të thjeshtë votash.

Berisha: Asnjë deputet nuk më dërgoi SMS për të mos i dalë emri

Kryeministri Sali Berisha zbuloi dje në mbledhjen e qeverisë se asnjë prej deputetëve dhe ministrave të PD-së nuk i ka dërguar mesazh që të mos i lakohet emri si kandidat për President. Duke iu referuar mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së të dy javëve më parë, kreu i qeverisë u kërkoi deputetëve, që nuk duan të jenë pjesë e kësaj “loje”, t’i shkruajnë atij një mesazh. Por sipas Berishës, të gjithë sot janë të përfshirë nga ethet presidenciale. “Ju zonja ministre dhe ju zotërinj ministra, ju falënderoj se mesazh nga ju nuk kam marrë. Është fjala që e kam pasur një porosi, po mesazh nuk kanë dërguar. Ëndrra e madhe e Shqipërisë dixhitale po bëhet gjithnjë, çdo ditë e më shumë realitet. Unë e kuptoj që sapo thashë ëndërr po ju shkon mendja tek Presidenti, po atë mund ta realizojë vetëm një njeri, aq e kemi postin”, tha Berisha në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave. Në takimin e datës 28 maj me deputetët e PD-së, në pjesën me dyer të mbyllura, kreu i qeverisë u shpreh se gjatë negociatave brenda koalicionit por edhe me opozitën mund të përmenden emra të politikanëve. Ai u kërkoi deputetëve që nëse dikush prej tyre nuk do t’i përmendet emri, mund ta kontaktojë përmes mesazheve në telefon. “Gjatë negociatave të ardhshme në mund të përmendim emra si kandidatë për President dhe në këtë kontekst, kush kërkon që të mos i përmendet emri, të kontaktojë me mua për këtë qëllim. Synimi ynë është të zgjedhim një President me konsensus, por ne mund ta zgjedhim edhe me koalicionin tonë. Nuk arrihen 84 vota, mund ta zgjedhim edhe me 71 vota ose 73 vota”, u shpreh kreu i ekzekutivit gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar.

Batutat
Ndërkohë, në mbledhjen e Grupit Parlamentar të ditës së hënë, Kryeministri shkëmbeu batuta me deputetët, duke thënë se edhe pse Paulina Hoti dhe Majlinda Bregu nuk e kanë mbushur moshën 40 vjeç, kriter i Kushtetutës për t’u bërë President, askush nuk i ka dërguar atij mesazh për të mos iu përmendur emri gjatë negociatave.

Hetimi i miqve të politikanëve, konsensus mes PD e PS për ligjin
Maxhoranca dhe opozita pritet të votojnë sot me konsensus disa ndryshime në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave”. Drafti kaloi së fundi me votën e të dyja forcave politike edhe në Komisionin e Ligjeve, duke iu bërë disa ndryshime, të cilat zgjerojnë rrethin e personave të afërt me politikanët që do t’u hetohet pasuria. Në variantin e qeverisë thuhet se në një pikë më vete, në nenin 1 të ligjit ekzistues shtohet një fjali me përmbajtjen “në këtë kategori përfshihen edhe anëtarët e familjes dhe lidhjet e ngushta shoqërore të personave të ekspozuar politikisht”. Ndërsa në variantin e miratuar nga Komisioni i Ligjeve kjo fjali u hoq, dhe në paragrafin ekzistues u shtuan fjalët “përfshirë anëtarët e familjes apo personat e lidhur në marrëdhënie të ngushta personale, pune apo biznesi”. Në të njëjtën kohë PD-ja dhe PS-ja do të miratojnë me konsensus disa ndryshime në ligjin “Për garantimin e sigurisë së punës të pajisjeve dhe të instalimeve elektrike, të ndryshuar”. Ndërkohë, opozita do të votojë kundër për rezolutën e punës së Bankës së Shqipërisë për vitin 2011.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura