S’i bindet policisë, 31-vjeçari kapet me kokainë në makinë

Feb 20, 2012 | 11:06

TIRANE – Një 31-vjeçar është arrestuar mbrëmjen e së shtunës në Tiranë, pasi gjatë një kontrolli, në makinën e tij luksoze u gjetën dy doza lëndë narkotike, e llojit kokainë. Veç akuzës për posedim lëndësh narkotike, i riu nga Kukësi dhe banues në Kamzë të Tiranës, Vladimir Gjuta, akuzohet edhe për kundërshtim të punonjësve të policisë. Burime nga Policia e Tiranës thanë dje se 31-vjeçari Gjuta nuk i është bindur postbllokut të policisë mbrëmjen e së shtunës, për të kontrolluar makinën e tij tip “Rexhina”. Por pasi është zbritur nga automjeti, policia ka gjetur në kroskot dy doza lëndë narkotike, të llojit kokainë. Menjëherë është marrë masa e arrestit në flagrancë, për “kundërshtim të punonjësve të rendit publik”, si dhe “posedim të lëndëve narkotike”. Gjithashtu, atij i është sekuestruar makina luksoze dhe dy telefona celularë, bashkë me sasinë e kokainës. Burime nga Policia e Tiranës thanë se Gjuta ka qenë i arrestuar në vitin 2001, për një vrasje në fshatin Shtiqën të Kukësit, por tri shkallët e Gjyqësorit e lanë të lirë për shkak të mungesës së provave të drejtpërdrejta. Në një kohë që edhe vetë babai i tij e një kushëri e akuzonin që ishte ai autor i vrasjes. Ndërsa së fundmi, 31-vjeçari me origjinë nga Kukësi akuzohet të jetë autor edhe i një pengmarrjeje për motive grabitjeje të një çifti në fshatin Çekrez të Tiranës, ngjarje e ndodhur në vitin 2010, si dhe disa muaj më parë u arrestua pasi iu gjet një armë pa leje. Vladimir Gjuta është arrestuar edhe në muajin tetor të vitit të kaluar nga shërbimet e Komisariatit Nr.1, pasi u dyshua se po përgatitej për kryerjen e ndonjë vepre penale. Në një deklaratë zyrtare të Policisë që u dha në muajin tetor, thuhej se u arrestua Vladimir Gjuta, në afërsi të stadiumit “Qemal Stafa”, të cilit iu sekuestrua në momentin e ndalimit një armë pa leje tip  “TT” dhe një paruke. Gjuta ka qenë duke udhëtuar me motor bashkë me një mikun e tij, kur i është bërë shenjë nga postblloku për të ndaluar. Fillimisht, ata nuk i janë bindur thirrjes së policisë dhe kanë tentuar të largohen, por janë ndaluar brenda pak minutash. Gjatë përleshjes mes tyre dhe forcave të policisë, Vladimir Gjutës i ka rënë nga koka një paruke e zezë, për të cilën ende nuk ka dhënë shpjegime se me çfarë qëllimi e kishte vendosur.                                      e.d

© Panorama.al

Te lidhura