POGRADEC- Depresioni pas varrosjes së të atit çon në vetëvarje emigrantin. 57-vjeçari Ilia Vako nga Pogradeci, i cili prej vitesh ishte vendosur në SHBA me familjen, ka ndërmarrë aktin fatal të vetëflijimit pasi ishte kthyer disa ditë më parë në qytetin e lindjes. Ai u gjet i vetëvarur në banesën e tij nga familjarët, ndërsa shkak i vetëflijimit dyshohet se është gjendja e rënduar psikologjike. Ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 17:30, në një prej banesave në Lagjen Nr. 1 të Pogradecit. Sipas të dhënave, emigranti ishte kthyer pak ditë më parë për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të babait të tij dhe kishte planifikuar edhe disa ditë të tjera qëndrimi deri në përfundim të disa riteve të cilat kryhen pas varrimit. Sipas Policisë, familjarët e viktimës e kanë gjetur trupin e pajetë të varur në tualetin e shtëpisë, ndërsa pranë tij është gjetur edhe një letër me porositë e fundit të tij. “Më varrosni pranë babait! Ju dua të gjithëve shumë, por më rëndon fakti që nuk pata mundësinë që të ndodhem pranë babait tim në momentet e fundit të jetës së tij. Emigrimi qenka shumë i vështirë dhe unë gjatë këtyre viteve kam jetuar me mallin për ju. Ju dua të gjithëve fort. Për varrimin tim të kujdesesh ti motra ime e dashur! Lamtumirë… Kjo ka qenë letra që la për familjarët 57-vjeçari, i cili nuk kishte mundur ta gjente të gjallë babain që vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Të afërmit e tij deklaruan se Ilia Vako ishte kthyer nga SHBA rreth dy javë më parë, pas njoftimit për humbjen e babait. Po sipas tyre, prej momentit kur i ati u përcoll në banesën e fundit, ai kishte shfaqur shenja të një tronditjeje të thellë. Dy ditë më parë, ai kishte dërguar në SHBA pjesëtarët e tjerë të familjes, ndërsa vetë ka preferuar të qëndrojë për t’u çmallur edhe pak me të afërmit, por edhe për të kryer ritet e tjera pas varrimit të të atit. Para se të kryente aktin e vetëvarjes, ai kishte lënë të hapur derën e jashtme të shtëpisë private në pronësi të tij. dh.d











