Ryshfeti, në gjyq polici e inspektori i Bashkisë

Jun 27, 2011 | 11:55

Një inspektor i Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës së bashku me një polic bashkiak dërgohen në gjyq nga Task-Forca e Prokurorisë, me akuzën e korrupsionit.Më 22 qershor 2010, në Gjykatën e Tiranës është regjistruar dosja me të pandehur Agostin Lekgegaj, polic bashkiak, Adem Cemurati, inspektor pranë Inspektoratit të Ndërtimit në Bashkinë e Tiranës dhe Simon Braholli, qytetar që ka dhënë ryshfet për mosshembjen e një shtese pa leje të ndërtuar prej tij. Në përfundim të hetimit rezulton se prokuroria ka dërguar në gjykatë tre persona, ndërkohë që shtetasi Ylli Bala, inspektor ndërtimi në Bashki, i arrestuar së bashku me kolegët e tij, nuk figuron të jetë dërguar në gjyq. Burimet nga prokuroria nuk shpjeguan nëse akuza ndaj tij është pushuar apo dosja penale është ndarë më vete ndaj këtij inspektori të Bashkisë. Dy bashkiakët e tjerë, Agostin Lekgegaj dhe Adem Cemurati, akuzohen se kanë marrë ryshfet nga qytetari Simon Braholli për të mos i shembur një shtesë që ai kishte ndërtuar në shtëpinë e tij në Sauk. Nga hetimi ka dalë se Simon Braholli, banues në Njësinë Bashkiake Nr.2 Tiranë ka filluar ndërtimin e katit të dytë në një shtëpi ekzistuese. Ndërtimi i shtesës është bërë pa leje, ndërsa më 8 mars 2011 aty janë paraqitur dy persona që janë prezantuar si punonjës të Inspektoratit Urbanistik Vendor të Bashkisë Tiranë. Ata i kanë thënë qytetarit, se nëse donte të ndërtonte, duhet të paguante paraprakisht një shumë parash për punonjësit e Inspektoratit Urbanistik Vendor të Bashkisë Tiranë. Më datë 09.03.2011, një punonjës i Policisë Bashkiake Tiranë me emrin Agustin është takuar me një person të tretë dhe ka folur për ndërtimin që po kryente Simon Braholli. Më pas, vetë Simon Braholli ka takuar më 9 mars 2011 punonjësin e Policisë Bashkiake. Takimi është zhvilluar në afërsi të Bashkisë Tirane dhe Agostin Lekgegaj ka deklaruar se më datë 10.03.2011 do të zhvillohej takimi me inspektoret që kanë kërkuar shumën e parave, me qëllim për të biseduar për pagesën e kaparit dhe problemet e tjera ndërtimore. Sipas vëzhgimit të bërë nga policia gjyqësore më datë 11.03.2011, Agostin Lekgegaj është takuar me shtetasin Ervin në kryqëzimin e rrugës “Kongresi i Manastirit” me Rrrugën Bardhyl. Nga biseda e zhvilluar në këtë takim ndërmjet tyre, në datën 14.03.2011, rezulton se Agostini i thotë Ervinit, se për me e mbyllë këtë muhabet dhe me e përballu Policinë Bashkiake i kanë thënë se duhen 2500 euro. Më datë 15.03.2011, sipas raportit të shërbimit të Policisë Gjyqësore, pronari i banesës Simon Braholli është takuar me personin me emrin Ervin, në ambientet e jashtme të një bar-restoranti, që ndodhet përballë hyrjes kryesore të Spitalit të Senatoriumit, rreth orës 16.30. Më datë 17.03.2011, shtetasi Simon Braholli takohet me shtetasin Ervin, në një lokal përballë Senatorimit, ku pasi biseduan për disa minuta, Simoni i jep një zarf shtetasit me emrin Ervin. Nga biseda e zhvilluar ndërmjet këtyre dy personave më datë 17.03.2011, rezulton se Simoni i ka dhënë një shumë parash prej 500 mijë lekësh personit me emrin Ervin. Sërish në datën 18 mars 20111, Agostini është takuar me personin me emrin Ervin në rrugën “Ismail Qemali”, ku rezulton se Agostini merr nga personi me emrin Ervin, shumën prej 50 000 lekësh. Ndërmjet Agostinit dhe shtetasit me emrin Ervin, më datë 21.03.2011, janë takuar sërish dhe Agostini merr nga Ervini shumën prej 300 000 lekësh. Ndër të tjera, Agostini e pyet Ervinin nëse i kishte marrë me vete 2500 euro. Nga ana e tij, Ervini i thotë Agostinit se i bie fiks fare, 50 000 lekë t’i dhashë dhe 300 000 i ke këtu.

© Panorama.al

Te lidhura