
SARANDE/ Ish-drejtori i Shëndetit Publik, në burg 2 muaj para pensionit
Arrestohet për korrupsion ish-drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Sarandë, mjeku reumatolog Jani Qirjaqi. Në kuadër të operacionit të koduar “Invalidi”, mjeku 65-vjeçar u prangos në zyrën e tij, në spitalin e Sarandës, pak pasi kishte marrë një sasi parash nga djali i një të sëmuri. Sipas Policisë, Qirjaqi i ka marrë shumën prej 25 mijë lekësh shtetasit me inicialet B.D., nga Konispoli, në këmbim të dhënies së raportit mjekësor të invaliditetit me drejtim KMCAP (Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë) për babain e tij. Mësohet se ai e ka kryer denoncimin dy ditë më parë në Policinë e Sarandës. Sipas dëshmisë së dhënë në polici, babai i tij kishte 4 vjet që merrte pension invaliditeti dhe sivjet ishte viti i fundit, pasi ai dilte në pension. Por ai ka hasur në pengesa nga mjeku Jani Qirjaqi për t’i dhënë Kemp-in. “Kishte rreth një muaj që më sorollaste dhe më kërkonte si këmbim të raportit mjekësor 25 mijë lekë të rinj. I premtova se lekët do t’ia jepja kur të merrte babai paratë e invaliditetit. Por mjeku Qirjaqi nuk pranoi. Ai e donte pagesën para se të lëshonte raportin”. Kështu ka deklaruar në polici denoncuesi nga Konispoli. Ai është paraqitur dy ditë më parë në Komisariatin e Sarandës, ku ka bërë edhe denoncimin. Agjentët e krimit ekonomik e kanë porositur denoncuesin që t’ia japë paratë mjekut Qirjaqi, 4 kartëmonedha të prerjes 5 mijë lekëshe dhe 5 kartëmonedha të prerjes 1 mijë lekëshe. Ndërkohë ata kishin regjistruar të gjithë numrat e serisë së kartëmonedhave në procesverbal. Agjentët kanë porositur mitdhënësin për detajet e operacionit. Sapo ai dje në mesditë doli nga zyra e mjekut Jani Qirjaqi, policia hyri në veprim. Ata neutralizuan mjekun reumatalog nga çdo veprim i mundshëm, si dhe i sekuestruan një portofol meshini që ai mbante me vete. Në të u gjetën nëntë kartëmonedhat e regjistruara më parë, të cilat i kishte marrë si ryshfet nga shtetasi me inicialet B.D., numri i serive të së cilave korrespondonte me ato të kartëmonedhave që ishin mbajtur në procesverbal. Mësohet se mjeku ka shprehur habi duke këmbëngulur se paratë ishin të tijat. Por agjentët e krimit ekonomik i kanë bërë të ditur se paratë ishin të regjistruara pas denoncimit për korrupsion, duke bërë që ish-drejtori i Shëndetit Publik në Sarandë të heshtë e të pranojë prangosjen brenda zyrës së tij. Ndaj 65-vjeçarit Jani Qirjaqi u ngrit akuza “korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Në prill të këtij viti, sipas burimeve nga spitali i Sarandës, mjeku do të dilte në pension.
Ministria, masë mjekut në 2010-n
Në fillim të vitit 2009, Jani Qirjaqi, mjek i njohur në qytet, u emërua në krye të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Sarandë. Por situata e krijuar nga sëmundja e salmonelës në verën e 2010-s bëri që Ministria e Shëndetësisë të marrë masë ndaj tij. Ai u ndëshkua nga Ministria, pasi nuk mori masat e duhura për sëmundjen e njohur si tifo e zorrëve, madje e mbajti atë të fshehtë duke mos njoftuar në kohë. Më 23 shtator 2010, Qirjaqi u shkarkua nga detyra e Drejtorit të Drejtorisë së Shëndetit Publik dhe u zëvendësua nga mjeku Agim Hasani.
SARANDE/ SHPRESA DINE
© Panorama.al











