
Tiranë, incidenti gjatë ceremonisë së varrimit të ish-të dënuarit Grigor Zaharia, mbeti në morg prej 16 ditësh.
Policia ndalon dy ish-të përndjekur për sulmin ndaj deputetit.
Deputeti demokrat, Ilir Rusmali, u sulmua fizikisht paraditen e djeshme nga dy ish-të përndjekur politikë para selisë së Parlamentit në Tiranë. Incidenti ndodhi në kohën kur para selisë së Shoqatës së ish-të Përndjekurve po zhvillohej ceremonia e varrimit të Grigor Zaharisë, një ish-i dënuar politik, që ndërroi jetë në spitalin psikiatrik më 31 janar të këtij viti. Në kohën kur Rusmali ka parkuar makinën para godinës së Kuvendit dhe ka zbritur për të hyrë në sallën ku do të zhvillohej seanca plenare, është përballur me indinjatën e ish-të përndjekurve politikë. Ata pretendonin se shteti nuk është kujdesuar për varrimin e Grigor Zaharisë, i cili nuk kishte familje dhe njerëz që ta përcillnin në banesën e fundit. Pak minuta para se të fillonte seanca në Kuvend, një nga ish-të përndjekurit, sipas Policisë i identifikuar si Lirak Bejko, 47-vjeç, ka goditur me grusht në fytyrë deputetin Rusamli, i cili është rrëzuar në tokë. Disa punonjës policie, të ndodhur në vendin e ngjarjes, për shkak se ish-të përndjekurit kishin kërkuar leje për zhvillimin e një ceremonie edhe në formë proteste, kanë arritur të kapin në flagrancë autorin e sulmit. Por në këtë kohë, një tjetër ish-i përndjekur, Gjergj Ndreca, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke tentuar të pengonte shoqërimin e Bejkos për në Komisariatin Nr.1. Për këtë arsye, të dy personat janë shoqëruar në Komisariat, ku janë marrë në pyetje për disa orë. Ndërsa deputeti Rusmali është rikthyer në Parlament, ku ka qenë i pranishëm gjatë zhvillimit të seancës plenare.
CEREMONIA
Një grup ish-të përndjekurish ishin mbledhur mëngjesin e djeshëm përpara selisë të shoqatës së tyre, pak metra larg

selisë së Parlamentit, në rrugën “Xhorxh Bush”, ku po zhvillonin një ceremoni mortore për nder të një ish-të dënuari politik. Pasi kishin marrë leje nga policia për një ceremoni që do të ishte edhe në formën e një tubimi paqësor, ish-të përndjekurit kishin ngjitur në shtylla një lajmërim vdekjeje në kujtim të të ndjerit Grigor Zaharia. “I burgosuri politik, Grigor Zaharia, i mbetur për 16 ditë në morgun e Tiranës. E varrosin të burgosurit politikë”, thuhej në njoftimin ku ndodhej edhe fotografia e të ndjerit Zaharia. Veç kësaj, në mes të rrugës ata kishin vendosur edhe një arkivol të mbuluar me pankarta dhe kurora me lule, ku ndodhej trupi i pajetë i 74-vjeçarit Zaharia, i cili në fakt kishte ndërruar jetë prej 16 ditësh. Për shkak se i ndjeri ka qenë i dënuar politik për shumë vite me radhë, nuk ka pasur mundësi të krijonte familje dhe nuk kishte asnjë të afërm që të kryente varrimin e tij.
INCIDENTI
Në kohën që ish-të përndjekurit bënin homazhe rreth arkivolit me trupin e pajetë të të dënuarit politik, Grigor Zaharia, deputeti Ilir Rusmali zbret nga makina e tij dhe drejtohet nga Parlamenti, ku do të ndiqte seancën plenare. Duke e fajësuar për kohën kur Rusmali ishte ministër Drejtësie dhe zv.kryeministër, sikur kishte neglizhuar dhënien e dëmshpërblimeve, një prej ish-të përndjekurve e sulmoi deputetin demokrat, duke e goditur me grusht në fytyrë. Gjithashtu në polici, i ndaluari si autor i sulmit, Lirak Bejko, tha se Rusmali ka përgjegjësi edhe për vdekjen e Zaharisë, i cili edhe pse ishte ndër të parët në listë për dëmshpërblimet, nuk e kishte marrë ende as këstin e parë. Dhe sipas tij, ai e kishte të nevojshme, pasi nuk kishte familje dhe mbi të gjitha, ishte i sëmurë me kancer 10 vitet e fundit, të cilat i ka kaluar nëpër spitale, sa në Shqipëri e në Belgjikë.
Ish-i dënuari Zaharia mbeti 20 ditë në morg
Grigor Zaharia ndërroi jetë më 31 janar, në moshën 74-vjeçare, pasi vuante nga kanceri. Prej 16 ditësh trupi i pajetë i tij mbahej në morgun e Tiranës, pasi nuk kishte asnjë të afërm për ta varrosur. Dhjetë vitet e fundit ai i ka kaluar sa në spitalin psikiatrit të Tiranës, gjithashtu edhe në Belgjikë, ku ishte dërguar për mjekim për shkak të sëmundjes së rëndë që kishte. Zaharia, me origjinë nga fshati Çaçovë i Përmetit, dikur ishte në rrethin e intelektualëve të Përmetit, pasi kishte arritur të diplomohej në Fakultetin Ekonomik. Ai u emërua edhe në dikasteret kryesore të Tiranës, duke punuar si financier dhe më pas si shef finance. Një muaj pasi ishte martuar, një problem në punë i shkaktoi edhe përplasje politike me Mehmet Shehun, gjë që solli pushimin nga puna e më pas edhe arrestimin e tij si sabotator, duke u dënuar me 12 vjet burg, të cilat i bëri në Spaç e më pas e çuan në internim e në fund, në Elbasan, ku për shkak të mungesës së dokumenteve për akuza të rënda, atë e shpallën të sëmurë psikik.
Parking në trotuar, deputetët shkelin ligjin
Situata që krijohet në ditët e seancave plenare para Parlamentit të Shqipërisë është treguesi më i mirë i sinqeritetit të deputetëve shqiptarë dhe po ashtu, skaneri më i mirë që mund t’i bëhet Policisë Rrugore. Deputetë që parkojnë automjetet e tyre haptazi në mënyrë të çrregullt, duke hipur në trotuare e duke ngushtuar hapësirën e kalimit të mjeteve të qytetarëve, autobusëve dhe taksive. Pamja që të ofrohet në hyrje të Kuvendit në ditët e seancave plenare është ajo e një parkingu dhe aspak e një rruge që është edhe për qytetarët. Por, nëse deputetët (ata që miratuan dyfishimin e gjobave në Kodin Rrugor) shkelin ligjin në këtë mënyrë, sepse përtojnë të ecin në këmbë apo të parkojnë diku larg Parlamentit, Policia Rrugore bëhet bashkëfajtore në këtë situatë në dy mënyra. Gjatë kohës që deputetët parkojnë në trotuar, jashtë çdo rregulli, policia është e pranishme dhe nuk vepron. Dhe jo vetëm kaq, por shpeshherë pengon qytetarët në lëvizje, në mënyrë që t’u krijojë deputetëve hapësirën e nevojshme për të shkelur ligjin.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al












