Romani i ri i Ben Blushit që ngjalli shumë debat, pasi parashikoi se Shëngjini do të kthehej në një qytet refugjatësh, përshkohet nga fillimi deri në fund nga pandemia e një lufte në Ballkan. Më saktë, një luftë mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë.
Pikërisht një luftë e mundshme në Kosovë po përflitet shumë këto ditë, pasi Presidenti Zelensky deklaroi se ka informacione se Rusia po përgatitet të shkaktojë një konflikt mes dy shtetesh në Ballkan. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka ardhur urgjentisht në rajon këto ditë, përfshirë Serbinë, Kosovën dhe SHBA-të kanë paralajmëruar Rusinë që të mos provokojë Ballkanin.
Për një luftë të mundshme mes Shqipërisë dhe Serbisë për shkak të Kosovës bën fjalë edhe romani “Komploti” i Ben Blushit i shkruar në shkurt-mars të këtij viti siç thotë vetë autori.
Ngjarjet e “Komplotit” zhvillohen në vitin 2044, atëherë kur Shqipëria ka një popullsi të përzierë me afro 200 mijë afganë dhe 1 milion shqiptarë. Afganët, të cilët marrin Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, të nxitur nga amerikanët mobilizohen për të çliruar Kosovën, veriu i të cilës është pushtuar nga Serbia me mbështetjen e Rusisë.
Kjo ngjarje e imagjinuar, pra e fantazuar i ngjan pikë për pikë skenarit që paralajmëroi Zelensky dhe që realisht ndodhi në fund të shtatorit të këtij viti, kur një komando serbe sulmoi policinë e Kosovës, duke vrarë një polic shqiptar. Qëllimi i terroristëve serbë ishte i qartë: “Të pushtoni veriun e Kosovës duke e bërë Kosovën një shtet jofunskional dhe me rajone të pushtuar siç është edhe Ukraina sot.”
Tek “Komploti” i Ben Blushit, personazhet flasin gjerësisht për mundësinë e një Lufte të Tretë Botërore, që mund të ndodhë nëse serbët pushtojnë Kosovën dhe atëherë Amerika dhe Rusia ndërhyjnë në konflikt.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al