Rusia nuk duhet të fitojë

Feb 22, 2024 | 8:45
SHPËRNDAJE

NGA LEONARD DEMI LEONARD-DEMI

Konferenca e Sigurisë në Munih sapo kumtoi se një fitore e Moskës në Ukrainë do të kishte pasoja dramatike ushtarake dhe politike për sigurinë e Europës. Në këtë kontekst, konflikti mund të përshkallëzohet dhe Europa duhet të përgatitet.

Kjo nuk do të thotë se ekziston rrezik i menjëhershëm i një sulmi të armatosur kundër ndonjë vendi tjetër europian, por ky vit do të jetë një provë për synimet e Moskës, si dhe ato të aleatëve, veçanërisht, të europianëve, të cilët theksojnë se jetojmë një kohë “paqartësie, paparashikueshmërie, pasigurie dhe paqëndrueshmërie”.

ZGJEDHJE VENDIMTARE

ARMAMATIMI Koalicioni prej 50 vendesh që udhëheqin Shtetet e Bashkuara i ka dhënë mundësi Ukrainës të arrijë atë, që shumë menduan se ishte e pamundur: të rimarrë më shumë se gjysmën e territorit të pushtuar nga Rusia në fillim të konfliktit falë furnizimit masiv me armatime amerikane dhe europiane. Gjatë këtij viti, Perëndimi duhet të vazhdojë të armatosë Ukrainën me armë të përparuara, që kanë më shumë gjasa t’i sigurojnë Kievit një përparësi strategjike.

Në këtë drejtim, Ukraina ka nevojë për dronë, tanke, sisteme të mbrojtjes ajrore, armë, që shenjojnë me saktësi, sisteme të sofistikuara të luftës elektronike, sisteme zjarri me rreze të gjatë veprimi, raketa dhe avionë F-16. Po kështu, ka nevojë për rreth 2.4 milionë komplete aramtimesh, rreth 1800 tyta artilerie dhe pjesë rezervë për flotën e madhe të automjeteve të dhuruara. Javën e kaluar, Presidenti Zelensky nënshkroi dy marrëveshje dypalëshe sigurie me Kancelarin Scholz dhe me Presidentin Macron. Një grup aleatësh po përpiqen të sigurojnë një milion dronë, kurse 20 të tjerë po formojnë një koalicion çminimi, ku merr pjesë edhe vendi ynë (Shqipëria, për numër të popullsisë, është një nga 10 vendet, që kanë ndihmuar më shumë Ukrainën në luftën e saj kundër pushtimit rus.).

Ekspertët e industrisë ushtarake venë në dukje vështirësitë me të cilat përballen për të siguruar sasinë e madhe të nevojshme të armatimeve, por teknologjia dhe burimet e Perëndimit, vendosmëria e Ukrainës për të fituar janë ende mjete dhe energji shumë më të mëdha se ato të Rusisë. Ukraina e mbështetur nga aleatët me SHBA në krye mund dhe duhet të fitojë. Sipas të dhënave të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, (IISS), gjatë luftës pushtuese Rusia ka humbur më shumë se 3,000 tanke, që është baraz me gjithë aktivin e saj të paraluftës. Vetëm gjatë vitit të kaluar Moska humbi 1120 tanke dhe kontrollin në Detin e Zi, ku ka lënë më shumë se një të tretën e flotës së saj. Në vitin 2023, Rusia i rriti shpenzimet ushtarake në 108.5 miliardë dollarë, duke u ngjitur në vendin e tretë në botë për shpenzime ushtarake, vendin e dytë e zë Kina me 219.5 miliardë dollarë, ndërsa SHBA mbeten shpenzuesi ushtarak më i madh global me një buxhet prej 905.5 miliardë dollarë.

ARMËT BËRTHAMORE

Që nga fillimi i luftës në Ukrainë, Kremlini ka kërcënuar me armët bërthamore. IISS vë në dukje se mospërparimi ushtarak mund ta shtyjë Putinin t’u drejtohet armëve bërthamore jostrategjike, duke besuar se SHBA-të nuk do të jenë të gatshme të kapërcejnë pragun bërthamor për t’u kundërpërgjigjur, ose mund të dëshirojnë që konflikti të përfundojë shpejt (Armët bërthamore jostrategjike kanë rreze dhe rendiment më të vogël se strategjiket). Doktrina bërthamore e Rusisë rendit katër skenarë kur mund të përdoren armët bërthamore kundër një kundërshtari.

Skenari i katërt lejon përdorimin e tyre kur rrezikohet ekzistenca e Rusisë, dmth.: kur forcat konvencionale ruse nuk janë në gjendje të frenojnë një sulm, Rusia mund të përdorë armë bërthamore për të ndaluar forcat kundërshtare dhe për të demonstruar vendosmëri. Në çdo konflikt, ku përfshihen SHBA-të, në Moskë ka të ngjarë të shihet si një rrezik për mbijetesën e Rusisë si shtet i pavarur, vëren më tej IISS në raportin e vet. Në këto rrethana, midis zyrtarëve të lartë ushtarakë amerikanë dhe britanikë po rritet retorika mbi perspektivën e luftës me Rusinë. Kësisoj, SHBA do të rivendosin armë bërthamore në bazën ushtarake britanike RAF Lakenheath në Suffolk.

Dokumentet e Pentagonit tregojnë se atje po ngrihen struktura balistike për të mbrojtur nga sulmet “asetet me vlerë të lartë”. Zëvendësdrejtori i Fondacionit për Kërkime Strategjike dhe autor i “La Guerre des mondes” (Bruno Tertrais) mendon se retorika agresive e Rusisë në nivelin bërthamor është një ligjëratë shkurajimi. Ndërsa, vendosja e armëve bërthamore ruse, në Bjellorusi, është një gjest politik nga ana e Minskut dhe Moskës, që simbolizon integrimin edhe më të thellë të Bjellorusisë në sistemin rus të mbrojtjes. Kohët e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë informuar Kongresin dhe aleatët europianë se Rusia planifikon të lëshojë në orbitë një armatim bërthamor, që mund të përdoret për të shkatërruar ose për të nxjerrë jashtë funksionit satelitët, qoftë nëpërmjet shkatërrimit fizik, ose sulmeve jokinetike, të tilla si me bllokim elektromagnetik, me lazer apo sulme kibernetike.

Kjo armë mund të shkatërrojë komunikimet satelitore ushtarake dhe qeveritare, të inteligjencës, mbikëqyrjen nga hapësira, operacionet ushtarake amerikane dhe të aleatëve, paralajmërimet për sulmet me raketa e shumë të tjera. Në qoftë se në shkurt 2026, Rusia do të dalë nga Traktati Hapësinor, që ndalon armët bërthamore në hapësirë dhe nga traktati i ri START, që kufizon armët strategjike bërthamore, mund të nxitë një garë të re armatimesh, që nuk është parë që nga e Lufta e Ftohtë.

MBËSHTETJE PËR UKRAINËN

Konferenca e Munihut u kërkoi aleatëve të rrisin mbështetjen për Ukrainën sado që të jetë kostoja, sepse ky është një moment vendimtar dhe testues, veçanërisht, për Europën. Konferenca bëri gjithashtu thirrje për të përshpejtuar ndihmën, duke paralajmëruar se fitorja e Rusisë në Ukrainë do të shkatërronte arkitekturën e sigurisë të kontinentit. Paketa e BE-së prej 50 miliardë euro është parashikuar për shpenzime joushtarake, si pensionet, pagesat për njerëzit e zhvendosur, mësuesit dhe mjekët. Po kështu, Senati amerikan miratoi fondin prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën, por Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët, nën presionin e Trump, mban ende veton në kuadër të një beteje të brendshme mbi migrimin kufitar.

Më 28 shkurt vendi ynë organizon në Tiranë një samit për Ukrainën, i cili ka për qëllim: mbështetje për luftën çlirimtare kundër pushtuesit rus, ku marrin pjesë: Presidenti Zelensky, liderët e Ballkanit Përendemor, drejtuesit dhe zyrtarë të lartë të Bashkimit Europianë. Shënojmë se ndihma financiare ndërkombëtare zë gjysmën e buxhetit kombëtar të Ukrainës, ndërsa ajo ushtarake zë pothuajse të gjithë nevojën për municione dhe armatime.

NEGOCIATAT

Disa liderë perëndimorë po argumentojnë se ka ardhur koha për të negociuar përfundimin e luftës në Ukrainë. Ky gjykim nuk merr parasysh qëllimet e Rusisë dhe çfarë do të ofronte realisht Kremlini. Moska nuk është e interesuar thjesht për të kapur disa territore ukrainase, Presidenti Putin ka deklaruar vazhdimisht se dëshiron të ndryshojë logjikën e sistemit ndërkombëtar. Kësisoj, në një intervistë me gazetarin Tucker Carlson, ai tha se në kushtet e tij të negocimit kërkon të mbajë territoret e pushtuara të Ukrainës, ndërsa pjesa tjetër e vendit të qëndrojë jashtë NATO-s dhe e “denazifikuar” (dmth., të ketë një regjim kukull të Rusisë).

Kushte, të cilat janë të papranueshme për Kievin. Kësisoj, Kancelari gjerman i tha Konferencës së Munihut se nuk ka paqe të diktuar nga Moska. Në territoret e pushtuara, Rusia përpiqet të konsolidojë në heshtje kontrollin e saj. Një ushtri teknokratësh po mbikëqyr absorbimin e tyre të plotë, ku po përafrojnë ligjet, rregulloret dhe sistemet tatimore dhe bankare me ato të Rusisë, duke fshirë lidhjet institucionale me Ukrainën. Periudha zyrtare e këtij tranzicioni do të zgjatë deri në janar 2026, gjatë kësaj kohe Kremlini pret që sistemet ligjore, gjyqësore dhe politike ruse të jenë plotësisht funksionalë në të gjithë territorin e pushtuar, që Rusia e quan “Rajonet e Reja.”

RIFRESKIMI I KOMANDËS USHTARAKE

Presidenti ukrainas mendon se një ndryshim i lidershipit ushtarak mund të ndihmojë në rifreskimin e operacioneve luftarake, të cilët nuk arritën rezultatet e projektuara. Përballë strategjisë ruse të luftës së artritit dhe llogoreve me sulme sporadike, Zelenski synon të ndryshojë edhe strategjinë e kundërofensivës së re. Tensionet midis Presidentit Zelensky dhe kryekomandantit të mëparshëm ushtarak Zaluzhny u nxitën nga ndërhyrjet e panevojshme politike në vendimmarrjen dhe emërimet ushtarake.

Ndoshta mosmarrëveshja më serioze midis tyre ishte kërkesa e gjeneralit për të mobilizuar më shumë ushtarë. Sidoqoftë, largimi i gjeneralit Zaluzhny nuk ka të bëjë aq shumë me numra se sa me një përplasje personalitetesh, që nxjerr në pah një hendek në rritje midis një ushtrie, që lufton për mbijetesën e saj dhe një shoqërie civile të dëshpëruar për t’u kthyer në jetën normale sa më shpejt që të jetë e mundur. Ish-komandanti i Forcave Tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrsky, 58 vjeç, u emërua komandanti i ri i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Popullariteti ekstrem i paraardhësit të tij, padyshim që shkaktoi pështjellime në radhët e ushtrisë ukrainase, por në këto kohë të vështira, Ukraina po përpiqet të ruajë unitetin e saj. Sidoqoftë, Syrsky është përpjekur që ushtria ukrainase të përvetësojë standardet e NATO-s dhe mban raporte komunikimi me Komandantin e Komandës Europiane të SHBA, gjeneralin Christopher Cavoli, i cili mbikëqyr përpjekjet e Pentagonit për të trajnuar dhe pajisur ushtrinë e Ukrainës. Në programin e komandantit të ri, zhvillimi i teknologjive të reja zë një vend të rëndësishëm dhe përputhet me iniciativën e Zelenskyt për krijimin e një departamenti të posaçëm për dronët e forcave të armatosura. Sidoqoftë, komandanti i ri do të ketë nevojë për një mobilizim shtesë për të zëvendësuar humbjet dhe të përballojë planin e Rusisë, që parashikon të dërgojë në luftë edhe 400,000 trupa të tjera, gjë që e dëshmon edhe përvoja e Adiivkas.

PËRMBYLLJE

Sot, në një konflikt konvencional, Europa nuk është e aftë të mbrohet kundër Rusisë pa ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe e ardhmja e pjesëmarrjes së Amerikës në sigurinë europiane, javën e fundit, pështjelloi kryeqytetet europiane dhe selinë e NATO-s.

Por, nga podiumi i Konferencës të Munihut, Zëvendëspresidentja e Shteteve të Bashkuara, Kamala Harris, i kumtoi Europës dhe gjithë botës se Amerika nuk mund të tërhiqet. Angazhimi i shenjtë i Shteteteve të Bashkuara ndaj NATO-s mbetet i hekurt dhe Uashingtoni do të vazhdojë të qëndrojnë me Ukrainën dhe të mbajë rolin udhëheqës në sigurinë globale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura