GERTA ZAIMI
Dje, në mbledhjen e OKB-së, shtetet anëtare të mbledhura për të aprovuar një rezolutë dënuese ndaj dhunës së regjimit sirian ndaj civilëve, të propozuar nga Lidhja Arabe, shpresonin në abstenimin e Rusisë dhe Kinës. Eksperiencat e mëparshme kanë qenë të tëra negative. Por rezultati sërish qe zhgënjyes. Vetoja e Rusisë dhe Kinës pati formulimin zyrtar në dobësinë e Rezolutës për të dënuar dhunën e forcave opozitare. Për të kuptuar më mirë arsyen e vetos ruse le të nisemi nga një lajm i Agence France Press vetëm dy javë më parë.
Një flotë detare ruse, e prirë nga një aeroplanmbajtëse, ka ndaluar në Portin sirian të Tartusit duke treguar haptazi mbështetjen e Moskës ndaj regjimit të Bashar al Asadit. Vetëm disa ditë më parë, nga ky lajm, gazeta filogovernative siriane “Al Watan” bëri të ditur që admiral Kuznetsov i bazës ruse, është në dispozicion të një flote të rëndësishme të ndjekur nga disa nëndetëse. Burime zyrtare ruse, në të njëjtën kohë, deklaruan që rreth 600 teknikë rusë janë duke punuar në ristrukturimin e bazës ruse në Tartus.
Tartusi është porti i dytë për rëndësi i Sirisë në detin Mesdhe. Moska ka hapur bazën e saj detare në këtë port sipas një marrëveshjeje dypalëshe më 1971-shin. Miqësia e Rusisë ndaj Sirisë ka vazhduar edhe pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik deri më sot. Në 2008-n, pas luftës në Osecien e Veriut dhe planit amerikan për të vendosur një sistem mbrojtës raketash në Poloni, Bashar al Assad i lejoi Rusisë të krijojë në Portin e Tartusit një nga bazat e saj të përhershme në Lindjen e Mesme.
Pse ky interesim i Moskës në mbrojtje të interesave të Bashar al Asadit në një moment kur të dhënat e OKB-së flasin për një numër prej mijëra viktimash?
Faktorët e miqësisë dhe të devotshmërisë së Rusisë ndaj Sirisë janë të ndryshëm. E para arsye miqësore instinktive e Moskës është mungesa e simpatisë ndaj çdo lloj forme revolte popullore. Por ky është vetëm një aspekt i përciptë. Interesi kryesor është konflikti dhe ndeshja me interesat perëndimore në zonë.
Është e qartë që për Rusinë një bazë detare në detin Mesdhe, në një pozicion kaq strategjik, ka rëndësi të veçantë. Sidomos kur kjo është e vetmja bazë detare që rusët kanë në rajon. Kështu që një ekspozim force ka për qëllim të vërë në dukje lidhjet e Rusisë me Bashar al Asadin pikërisht në një moment kur presioni i Perëndimit dhe i vendeve arabe ndaj regjimit të këtij të fundit është në rritje. Moska, nga ana e saj, është e shqetësuar përpara faktit të një lufte civile në Siri, e cila do shkaktonte turbullira e mungesë kontrolli ndaj interesave të saj.
Deri tani të gjitha propozimet e Perëndimit për rezoluta sanksionimi ndaj Sirisë kanë ndeshur në veton e Rusisë dhe të Kinës, edhe pse javën e kaluar Rusia ka vënë në dispozicion të Këshillit të Sigurisë së OKB-së hartimin e një varianti rezolute ku dënohen të gjitha format e dhunës, por pa përmendur asnjë lloj mase kundër regjimit të Al Asadit.
Siria është vendi më i fuqishëm importues i armëve ruse në Lindjen e Mesme e ndoshta vendi i pestë në listën e përgjithshme. Kontratat e furnizimit me armë arrijnë shifrën 3,5 – 3,8 miliardë dollarë çdo vit. Ministri i Jashtëm rus, Levrov, ka kundërshtuar çdo masë ndaj një embargoje armatimesh kundrejt Sirisë. Gjithashtu, një pjesë e armëve ruse që i janë shitur Iranit vazhdojnë të drejtohen në Siri e pastaj drejt Hezbollahut në Liban. Sigurisht, Moska është më se e vetëdijshme për këtë kalim.
Sipas “Moscow Times”, investimet ruse në infrastrukturë, energji e turizëm në Siri arrijnë një shifër rreth 19.4 miliardë dollarë në vit. Interesat ruse shtrihen edhe në burimet e gazit e të naftës, megjithëse nafta siriane është nga më të varfrat në cilësi e më të paktat në sasi në Lindjen e Mesme e në këtë treg marrin pjesë anglezë, kinezë e francezë. Me gjithë kontratat në këtë fushë, interesi më i madh nuk është prodhimi i gazit apo i naftës, sesa pozicioni strategjik i Sirisë për kalimin e rrugëve energjetike në të ardhmen.
Një tjetër arsye preokupacioni për Rusinë është rivaliteti me Turqinë. Ankaraja gjithashtu ka investime të fuqishme në Siri, është anëtare e NATO-s dhe miratoi pranimin e sistemit amerikan antimissilist. Në të njëjtën kohë është një nga aktorët më të angazhuar në diplomacinë aktuale përsa i përket çështjes siriane. Turqia është vendi që ka mbështetur dhe pritur anëtarët e opozitës së Asadit e po përgatit terrenin për të ushtruar influencën e saj në Sirinë e post-Asadit. Edhe pse Turqia ka deklaruar që asnjë ndërhyrje e njëanshme nuk do të bëhet prej saj në Siri pa vendim të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nuk është garanci e mjaftueshme për të qetësuar Moskën lidhur me kontrollin e interesave të saj.
Komente të ndryshme politike bëjnë fjalë edhe për frikën ruse ndaj ardhjes në fuqi të një qeverie filoislamike. Por kjo është një arsye relative. Vite të tëra aleance, që deri tashmë vazhdon me teokracinë e Iranit, janë tregues të pragmatizmit politik në mbrojtjen e interesave të shtetit. Më tepër se frika e një regjimi islamik, në thelb është frika e ardhjes së një qeverie islamike të pakontrollueshme nga ana e Moskës. Aktualisht vetë Vëllezërit Myslimanë dhe opozita siriane në një farë mënyre i kanë lënë të kuptojë Moskës që marrëdhëniet me Rusinë do të jenë në vëmendje edhe pas rrëzimit të Bashar al Asadit. Faktikisht Moska priti një delegacion të opozitës siriane më datë 9 shtator të vitit të kaluar e një tjetër në mes të nëntorit, të kryesuar nga vetë zëdhënësi i Këshillit Kombëtar sirian në ekzil, Burhan Ghalioun.
Si rrjedhojë, ajo që mund të thuhet është që aleanca e Bashar al Asadit me Rusinë i ka ndoshta ditët e numëruara deri në momentin kur në horizont do të jetë në dukje ardhja e një qeverie, e cila nuk do të ketë në programin e saj cenimim e marrëdhënieve me Moskën dhe të interesave të saj në rajon. Ankorimi i aeroplanmbajtëses dje në Tortus është lëvizje taktike në strategjinë e Moskës për post-Asadin. Vetoja ruse dhe kineze edhe njëherë tregon që zgjidhja e situatës siriane duhet të jetë politike dhe aspak e ngjashme me atë të Libisë. Ndërkohë, nga Sofia, Hilari Klinton bën të ditur që sanksionet ndaj Sirisë do të rriten në mënyrë që të dobësohen gjithnjë e më tepër rrugët furnizuese të armëve. Ministri i Jashtëm rus, Levrov, të martën do të jetë në Damask për t’u takuar me Bashar al Asadin dhe ministrat e Jashtëm të Lidhjes Arabe do të mblidhen të shtunën në Kajro.
* Studiuese e Lindjes së Mesme











