Amnistia fiskale ka qenë dje në fokus të takimit të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë me zëvendësministrin e Financave, Alfred Rushaj.Bizneset pranë kësaj dhome kërkuan shpjegime lidhur me mënyrën se si do të zbatohet amnistia në vend, cilat biznese përfitojnë dhe specifika të tjera që lidhen me garancinë që merr biznesi. Zëvendësministri i Financave sqaroi se fryma e kësaj amnistie do të jetë vetëdeklarimi dhe se biznesi duhet të ndërgjegjësohet për këtë dhe ta bëjë në kohë para se të fillojnë kontrollet e tatimeve. Pas kësaj, në rast se biznesi nuk ka vetëdeklaruar në mënyrë të saktë dhe ka kryer evazion, atëherë ai do të penalizohet.
Dhoma Amerikane: A do të gjejnë të gjitha bizneset mundësinë për t’u përfshirë në amnisti?
Zv.ministri Alfred Rushaj: Ligji u drejtohet gjithë tatimpaguesve. Si individëve, personave fizikë dhe atyre juridikë. Por, si është ndarë ky mekanizëm në ligj? Sa i përket faljes së detyrimeve, ligji parashikon që një pjesë e procedurës të jetë automatike. Dua të them që, gjithë bizneset që kanë detyrime doganore apo tatimore të papaguara të evidentuara dhe dokumentuara deri në fund të vitit 2008, të cilët nuk kanë teprica kreditore apo rimbursime që organet duhet t’u bëjnë, u falet pa asnjë pagesë në favor të buxhetit të shtetit borxhi i papaguar deri në fund të vitit 2010. Kjo është një pjesë të cilën administrata e bën vetë dhe tatimpaguesi nuk ka nevojë të investohet për të përfituar nga kjo falje. Për pjesën e dytë, sa i përket borxhit të vitit 2009-2010, evidentimi i borxhit të papaguar, ku përfshihet dhe ndonjë kompensim i mundshëm me teprica kreditore dhe debitore, bëhet nga administrata, njoftohet tatimpaguesi. Duke filluar nga java tjetër është menduar që drejtoritë tatimore të njoftojnë tatimpaguesit për: borxhin që kanë, kur është krijuar, me çfarë akti, sa është principali dhe sa janë gjoba dhe kamatëvonesa në mënyrë që tatimpaguesi të ushtrojë tashmë të drejtën e tij të faljes ose jo, të borxhit. Lidhur me mënyrën e njoftimit, është menduar që lajmërimi të bëhet me postë elektronike, pasi publikimet në gazetë mund të binin ndesh me konfidencialitetin e tatimpaguesve. Kjo është për sa i përket faljes. Për vitin 2009-2010, biznesi duhet të shprehë vullnetin e shlyerjes së 30% dhe 50 përqindëshit për të përfituar falje. Nga ana tjetër, nëse bizneset kanë teprica kreditore që tatimet duhet t’ua rimbursojnë dhe nga ana tjetër ka një borxh tatimor që i përket viteve 2009-2010, gjithashtu është e nevojshme që tatimpaguesi të shprehet nëse ai dëshiron që të kompensojë kredinë që kanë në tatime me debinë që ka në tatime. Fryma e ligjit është që të gjithë kanë të drejtë të përfitojnë. Ata për të cilët nuk është materializuar akoma ndonjë akt administrativ që shpreh detyrimin, mund të përfitojnë nga vetëdeklarimi, por ky i fundit nuk mund të jetë pa asnjë lloj kufizimi dhe pa asnjë lloj kontrolli sepse në të kundërt do të kthehej në një mjet të qartë abuzimi. Imagjinoni një tatimpagues, i cili e di mirë që mund të ketë 300 milionë lekë detyrime të papaguara, të mund të vetëdeklaronte 100 mijë lekë të reja dhe të thoshte se vetëdeklarimi im për këtë periudhë është 100 mijë lekë. Në qoftë se unë, vetëdeklarimin do ta lidhja automatikisht me 100 mijë lekshin do të mund të evadonte 300 milionë lekë të tjera. Në këtë rast është vendosur që mund të deklarosh dhe paguan 50 për qind të principalit që duhet të paguajë, por në qoftë se vetëdeklarimi yt është i saktë dhe nuk fsheh gjë, në qoftë se nga një kontroll i mëvonshëm tatimor për atë periudhë dhe për atë lloj tatimi që ke deklaruar ke vazhduar të bësh shkelje të ligjit, atëherë përfitimi yt nuk do të ekzistonte më.
Dhoma Amerikane: Nëse kontrolli tatimor vjen pranë biznesit në vitin 2011 dhe ky kontroll kryhet për periudhën 2008 dhe rezulton të vendoset një gjobë për 2008-n. Përfshihet kjo amnisti për periudhën e 2011-ës?
Zv.ministri Alfred Rushaj: Jo, nuk përshihet në amnisti. Ajo çfarë ligji parashikon është falja e detyrimit tatimor të evidentuar, por të papaguar nga tatimpaguesi deri në vitin 2008. E dyta, ajo çfarë parashikon ligji është vetëdeklarimi, pra një tatimpagues e di çfarë ka fshehur, kështu që nuk duhet të presë vitin 2011 (do t’ia këshilloja mos ta priste) për të deklaruar diçka që ai e di që s’e ka deklaruar. Ka mundësi që gjatë pjesës së mbetur të vitit 2011, përpara sesa të vijë kontrolli, të paraqitet dhe të thotë që ka diçka të padeklaruar, të shkojë të deklarojë formularin dhe të paraqesë vetëdeklarimin. Në këtë moment, ai paguan 50 për qind të principalit.
Dhoma Amerikane: Sa bindje po i ofrojmë qytetarëve dhe bizneseve që nuk do të jenë të paragjykuar apo penalizuar nga zbatimi i ligjit?
Zv.ministri Alfred Rushaj: Sa i përket mbikëqyrjes së depozitimit të parave, dhe mendoj që i referoheni pjesës për parandalimin e pastrimit të parave, ky legjislacion nuk bën asnjë shmangie nga ligji aktual, mbrojtjet që ligji ka parashikuar për parandalimin e pastrimit të parave. Një subjekt, i cili ka paratë në bankë e di që është subjekt i mbikëqyrjes për sa i përket pastrimit të parave. Të gjithë e dimë se bankat e kanë raportuar në agjencitë përkatëse dhe në rast se agjencitë kanë vërejtur parregullsi apo mundësi të veprës penale, ato kanë filluar apo do të fillojnë pjesën e procedimeve të tyre. Ky ligj nuk bën asnjë lloj devijimi nga masa që legjislacioni ka parashikuar. Ajo që ne themi është se, nuk i duam paratë e atyre që kanë kryer vepra penale. Paratë tyre do të jenë subjekt i asaj që parashikon ligji dhe Kodi Penal. Ne duam të mbrojmë paratë e shqiptarëve që janë fituar me biznes të ndershëm, por që gjatë kohës nuk kanë paguar tatime dhe taksa.
Dhoma Amerikane: Mendoj që është një gjë shumë e mirë për ata që s’kanë paguar taksat, por për ne që kemi paguar taksat, duket si një penalizim në kohën kur kemi paguar mijëra euro. Pyetja ime është se, çfarë përgjigje keni për kompanitë e rregullta si ne?
Zv.ministri Alfred Rushaj: Është e qartë që amnistia si formë paraqet mbi të gjitha një problem moral, pra të paqes mes gjithë aktorëve të një shoqërie të caktuar. Ka diskutime kudo, nëse duhet bërë apo s’duhet bërë, dhe pyetja kishte në thelb pikërisht një kategori të caktuar biznesesh që kanë qenë të rregullt. Por, sidoqoftë, do të thoja se nuk ka vend të kësaj bote që nuk ka kaluar përmes këtij debati, që në fund të ditës nuk ka vendosur të bëjë amnistinë fiskale. Të gjithë në një moment të caktuar, duke pasur parasysh historinë e zhvillimit të biznesit, kanë vendosur të ndërmarrin këtë lloj iniciative. Kjo nismë te ne ka dhe diçka të veçantë që është kërkuar me ngulm nga vetë biznesi.
NERTILA MAHO











