Rusët: Jemi gati të ofrojmë gazin, s’ka kërkesë nga Tirana

Jun 27, 2011 | 11:39
Leonid Abramoviç, ambasadori rus në Tiranë

“Për të kërcyer një tango duhen dy veta”. Kjo është përgjigjja e ambasadorit rus për arsyen pse Shqipëria nuk po përfiton nga gazi dhe nafta e Moskës. Në një intervistë për gazetën, Leonid Abramoviç bën një ftesë për të shkurtuar distancat në fushën ekonomike.“Objektivisht mund të themi se mundësi të tilla ekzistojnë për të ndihmuar Shqipërinë. Por, kur vjen puna te hapat konkretë, distancat janë të mëdha”. Abramoviç sqaron marrëveshjen e re për pagimin e borxheve që miratoi Kuvendi i Shqipërisë dhe arsyen pse pagimi i një milion USD do të rrisë bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve. Marrëdhëniet e Rusisë me Kosovën dhe situata e re e turizmit pas heqjes së vizave me Shqipërinë.  “Vitin e kaluar, numri i vizitorëve rusë u rrit 10 herë më shumë dhe shpresojmë se edhe sivjet ky numër nuk do të jetë më i ulët”. Megjithatë, gazsjellësit dhe naftësjellësit nga Rusia janë pika më me përfitimin për Shqipërinë. Kuptohet që, për arsye të tjera, jo ekonomike, Shqipëria është jashtë kësaj pjese bashkëpunimi, por rusët, sipas ambasadorit, janë gati. Pritet vetëm që në pistën e tangos të vallëzojë edhe pjesa shqiptare.
A ka diçka të re në marrëdhëniet dypalëshe midis Shqipërisë dhe Rusisë?
Marrëdhëniet tona zhvillohen gradualisht dhe miqësisht. Për fat të mirë, marrëdhëniet tona nuk kanë përjetuar kthesa të fuqishme. Po vazhdojmë zhvillimin e tyre hap pas hapi. Gjithashtu shpresojmë që shpejt të organizojmë takime midis përfaqësuesve të Ministrive të Jashtme të të dyja vendeve. Po presim nënshkrimin e një marrëveshjeje në fushën e luftës ndaj sfidave dhe kërcënimeve moderne. Janë gati për nënshkrim dy marrëveshje të tjera, respektivisht në fushën e doganave dhe në fushën e kulturës. Gjatë këtij viti kemi organizuar rreth katër aktivitete kulturore dhe synojmë të shumëzojmë numrin e tyre deri në fund të 2011-s. Më bëhet shumë qejfi që sivjet Shqipëria do të përfaqësohet në një nivel të përshtatshëm në Forumin Ekonomik të Shën Petërburgut, që është “Davosi” i Rusisë. Me një fjalë, marrëdhëniet tona dëshmojnë një kapacitet në rritje dhe ne i mbështesim ato në bazë të miqësisë, pragmatizmit dhe reciprocitetit të dyanshëm.
Parlamenti shqiptar ratifikoi së fundi një marrëveshje për shlyerjen e një pjese të borxhit (rreth 1 milion USD) që vendi ynë i detyrohet Rusisë që nga periudha e ish-Bashkimit Sovjetik. Cili është komenti juaj mbi këtë?
Kjo marrëveshje ishte nënshkruar disa muaj më parë dhe Parlamenti shqiptar e kaloi në një kohë rekord. Sipas mendimit tonë, kjo është një shenjë shumë e mirë. Ishte qeveria shqiptare që e shprehu dëshirën për përgatitjen e kësaj marrëveshjeje, të cilën e kreu shumë shpejt. Ky ishte një borxh i mbetur që nga epoka e ish-diktatorit Enver Hoxha. Në atë kohë ky borxh ishte shumë më i madh se sa në ditët e sotme. Dhe më e rëndësishmja është që kjo ishte e vetmja çështje e varur ekonomike midis dy vendeve tona. Pak nga pak Shqipëria po i zgjidh çështjet e kësaj natyre edhe me vendet e tjera. Kështu, kjo i hap rrugë zhvillimit të marrëdhënieve të mëtejshme dypalëshe. Kjo ndikon pozitivisht edhe në marrëdhëniet ekonomike dhe politike. Sinqerisht mendoj se ishte një vendim shumë i mençur, që hap rrugë të reja për bashkëpunimin ekonomik dypalësh.
Si e konsideroni periudhën paszgjedhore në Shqipëri?
Ndryshe nga disa kolegët e mi të korpusit diplomatik, nuk dëshiroj të shpreh mendimet e mia. Ne respektojmë vendimin e popullit, të KQZ-së, të krerëve të vendit dhe të forcave politike. Precedenti i Shqipërisë nuk është i veçantë. Të tilla kanë ngjarë edhe në vendet që janë njohur për respektim të standardeve zgjedhore. Këto raste kanë qenë kur diferenca e pikëve midis dy kandidatëve ka qenë shumë e vogël dhe kështu është hedhur dyshim. Prandaj, ajo çka ngjarë në Shqipëri këtë muajin e fundit nuk është një rast unikal. Kjo tregon vetëm që organizatat ndërkombëtare duhet të kenë parasysh përvojën dhe precedentët e vendeve respektive dhe në bazë të kësaj të japin edhe këshillat korresponduese. Patjetër që përfaqësuesit e ODIHR/OSCE-së kanë përjetuar vështirësi në këtë periudhë. Shpresojmë që raporti i tyre të dalë në fund të këtij muaji. Kështu do të kemi një bazë më solide për të dalë në konkluzione.
Plane të ndryshme që përfshijnë kompanitë më të mëdha të gazit në botë po ecin përpara. Çfarë po ndodh me projektin rus “South Stream” (Rryma e Jugut)?
Projektin “South Stream” po e shikojmë si një projekt strategjik që garanton sigurinë energjetike të Europës, duke përfshirë dhe sigurimin e furnizimit. Ai lidh drejtpërdrejt prodhuesin me konsumatorin e të gjitha prodhimeve të gazit, pra Rusinë me BE-në. Duke marrë parasysh se konsumimi i gazit në BE do të rritet vitin që vjen, si dhe parashikimet se nevoja për sasi gazi do të rritet me 80 metra kub më shumë në vitin 2020 dhe me 140 metra kub gaz në 2030-n, është e rëndësishme të sigurohen rrugë shtesë për të pasur sasi gazi. Ky projekt do të shtrihet në fillim në një gjatësi prej 2.5 mijë kilometrash nga stacioni i kompresorit në qendër të Rusisë deri në bregdetin e Detit të Zi. Sipas planit, parashikohet që ndërtimi i pjesës së parë të “South Stream” (për zonën veriperëndim, që shkon për në Slloveni dhe Austri) të nisë në fillim të 2013-s dhe furnizimet e para të nisin në 2015-n. Për pjesën jugperëndimore të projektit, bisedimet po vazhdojnë për aspekte teknike dhe ekonomike të projektit. Në çdo rast, ky projekt është në përputhje me synimet e Europës dhe ai ka avantazhet e mëposhtme në krahasim me projektet e tjera. E para, shmang të gjitha problemet e tranzitit, siç ishte rasti me Ukrainën. Së dyti, si një nga vendet më të mëdha në botë për prodhimin e gazit, garanton kapacitetin dhe vëllimin e gazit të kërkuar nga konsumatori. Me një fjalë, është një projekt ekonomik, ka një bazë ekonomike. Nuk duam të bëjmë reklamë, sepse ekspertët që marrin vesh nga kjo fushë e dinë vlerën e tij. Ky projekt ka karakter të hapur.
Do të na pëlqente që edhe Shqipëria të përfitonte nga gazi rus…
Siç thuhet, për të kërcyer një tango duhen dy veta. Për të bërë plane duhet fillimisht dëshira për ta shprehur atë. Objektivisht, mund të themi se mundësi të tilla ekzistojnë për të ndihmuar Shqipërinë. Por, kur vjen puna te hapat konkretë, distancat janë të mëdha. Biznesi rus nuk ka qëllime ekspansioni. Është përllogaritur se me një kosto të përshtatshme, projekte me leverdi për të dyja palët mund të realizohen. Do të punojmë.
Si do ta konsideroni vendimin e Kosovës për të aplikuar regjimin e vizave ndaj Rusisë dhe Kinës, si një masë për të parandaluar vërshimin e emigrantëve nga këto dy vende?
Të them të drejtën, nuk kam ndonjë informatë se sa rusë shkojnë në Kosovë, me çfarë qëllimesh, se çfarë dokumentesh dhe kujt duhet t’ia paraqesin ato. Por, jam shumë i bindur se në Republikën e Shqipërisë rusët vijnë për qëllime turistike e biznesi. Për këtë i jemi shumë mirënjohës qeverisë shqiptare për heqjen e regjimit të vizave për nënshtetasit rusë, dhe ky është viti i tretë që kjo masë aplikohet. Vitin e kaluar, numri i vizitorëve rusë u rrit 10 herë më shumë dhe shpresojmë që edhe këtë vit ky numër nuk do të jetë më i ulët. S’e di, shpresojmë që vitin tjetër, turistët rusë të kenë mundësinë të shohin vendet me vlera historike dhe turistike të Kosovës.

 

RUDINA HOXHA

© Panorama.al

Te lidhura