Rumunët rrëfejnë trafikun e drogës Morëm 3 kg për të parë cilësinë

Sep 4, 2012 | 12:04
Droga e zbuluar në mjetin e shtetasve rumunë

GJIROKASTER – Policia e Gjirokastrës ka shtrirë rrethin e të arrestuarve të shtetasve rumunë që tentuan dy ditë më parë të kalonin drejt Greqisë rreth 3 kg marijuanë. Pasditen e së dielës, Policia Kufitare arrestoi 24-vjeçarin Claudiu Serban, i cili drejtonte automjetin “Renault Clio”, me targa B 37 LAO, në drejtim të Greqisë. Pas marrjes në pyetje, blutë e arrestuan atë për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Ndërkohë që u shoqëruan dy pasagjerë të tjerë që gjendeshin në mjet, për t’u arrestuar dhe ata pak orë më vonë. Me prezencën e përkthyesit dhe një përfaqësuesi të Ambasadës Rumune në Tiranë, dy personat e tjerë që gjendeshin me 24-vjeçarin rrëfyen të gjithë veprimtarinë që kishin ndërmarrë në Gjirokastër dhe Lazarat. Dy personat e tjerë, edhe këta shtetas rumunë, Iulian Crauciuc dhe Florian Badea, pranuan se drogën e kishin blerë në Lazarat përmes një personi tjetër, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, por treguan se është nga Lazarati. Ndërsa shtetasit rumunë do ta shisnin lëndën në qytetin e tyre. Në deklarimet e tyre dje në Polici, rumunët, të tre 24-vjeçarë, pohuan se ishin nisur nga Rumania enkas për të testuar cilësinë e marijuanës në Lazarat. Si provë ata tërhoqën një sasi 3 kg. Pas analizave në Trgovishte të Rumanisë, do të certifikohej nëse lënda ishte e cilësisë së mirë apo jo. Më pas, në bazë të këtyre testimeve, do të mundësohej trafiku i marijuanës nga Lazarati në Greqi e më pas përmes rrugës detare nga Greqia për në Rumani përmes Egjeut e deri në Detin e Zi. Zbërthimi i rumunëve ka qenë i lehtë dhe ka shërbyer për Policinë e Gjirokastrës si provë që vërteton se droga e mbetur stok në Lazarat po merr përmasa trafiku ndërkombëtar, jo vetëm në një drejtim.             p.n

© Panorama.al

Te lidhura