Në Rumani u mbajt dje referendumi mbi qëndrimin ose jo në postin e tij të Presidentit Trajan Basesku, me një pjesëmarrje më të ulët se herët e tjera. Votimet në të gjithë vendin u mbyllën mbrëmë pas orës 23:00 dhe rezultati pritet të shpallet sot. Referendumi u organizua pasi Basesku u pezullua nga detyra prej Parlamentit, me një vendim që shkaktoi shqetësim në BE. Qeveria e qendrës së majtë e Viktor Pontës e akuzon Baseskun se e ka kaluar autoritetin e tij dhe ka ndërhyrë në çështje qeveritare. Basesku i ka mohuar këto akuza dhe kërkoi nga populli bojkotin e referendumit të së dielës. Sipas ligjit rumun, zgjedhjet quhen të vlefshme nëse voton më shumë se 50 për qind e njerëzve me të drejtë vote. Nëse rezultati i referendumit është largimi i Baseskut, zgjedhjet presidenciale duhet të mbahen brenda tre muajve. Sipas sondazheve të mëparshme, rreth 65 për qind rumunë kërkonin largimin e Baseskut. Të drejtën për të votuar në Rumani e kanë rreth 18 milionë njerëz, megjithatë pjesëmarrja nuk ishte shumë e lartë.











