
Kthimi në të shkuarën është i pashmangshëm, edhe pse tanimë ajo ka mësuar të jetojë me të. Përpiqet të mos e dëmtojë veten duke e ngarkuar shpirtin me urrejtje. “Ai stan atë bylmet kishte”, thotë Rukie Rama.
Atë çka ajo nuk arrin dot ta përtypë është fakti që ca nga ata që e burgosën, torturuan apo bën dëshmi të rreme për të, sot kapardisen, madje kanë edhe poste. “Ky është dënimi ynë i dytë”, thotë ajo. Ashtu si përherë, ajo erdhi në Shqipëri për të takuar njerëzit e saj të afërt e për të vënë një tufë lule në varrin e prindërve. Por, veç kësaj, e kishte një dilemë prej vitesh. A duhet të shkonte e ta shihte edhe një herë atë qeli sa një bojë njeriu, ku ishte e pamundur të shtriheshe horizontalisht, aq e ngushtë qe…? Atë qeli ku qau aq shumë sa i dukej se do të mbytej në lotët e vet. Një dilemë shumëvjeçare, së cilës i dha zgjidhje kësaj here. Ndihmuar nga shefi i Edukimit dhe punonjësi social i institucionit të Paraburgimit, Dritan Dollapi, ajo shkoi e fotografoi qelinë Nr. 7 në Bajram Curr. Në këto kushte, e pamundur të mos kthehej në të shkuarën. Atëherë kur 43 dëshmitarë i dolën kundër duke sajuar gjithfarë situatash të rrejshme që e akuzonin atë për “agjenturë”. Historia do të kishte qenë e njëjtë me shumë të tjera të ndodhura në kohën e diktaturës, nëse një operativ Sigurimi, që nuk e kishte marrë parasysh se vajza mund të qe edhe kokëshkretë, pretendoi se ajo kishte qenë e dashura e tij. Rukia, asokohe 25 vjeçe, kërkoi t’i bënin ekspertizën mjeko-ligjore. Ka qenë pa dyshim një nga periudhat më të tmerrshme të saj. Ekspertiza e vlerëso të virgjër. Por ajo nuk mundi t’i shpëtonte dot 7 viteve burg. E Rukia na tregon për arrestimin e çuditshëm, për bashkëbisedimin me një tjetër të arrestuar në Burgun e Tiranës. As më shumë e as më pak, por Beqir Balluku, i cili i mësoi komunikimin me anë të goditjeve në mur. Ajo na tregon për shoqet e burgut, me ato që kishte miqësi. Për gratë ruse e episode që nuk mund t’i fshijë dot nga mendja.
Zonja Rukie, arrestimi juaj ishte po aq i jashtëzakonshëm sa e gjithë historia, na tregoni, si ndodhi?

Unë nuk jam arrestuar sikur gjithë bota, por jam vjedhur. U nisa gjoja me shërbim në Tiranë. Gjithçka ishte e kurdisur. Të gjithë këtë organizim e kishin planifikuar operativët e Sigurimit në bashkëpunim me Feçorr Shehun. Operativi i zonës, Seiti, kishte shumë miqësi me Feçorr Shehun, i cili aso kohe ishte ministër. U nisa në Tiranë gjithë qejf dhe, kur mbërrita këtu, përfundova në burg, por jo me arrest direkt, por më futën nga një hyrje tjetër. Vajtja ime atje u shoqërua me shumë kuriozitet. Ishte arrestuar një vajzë nga Tropoja, një “agjente”… vetëm pas 10 ditësh më thanë se isha arrestuar. Ndërkohë, u munduan të më bindnin të bëhesha agjente e tyre.
Atë vit në Tiranë kishin ndodhur disa arrestime të bujshme, hasët ndonjë figurë të njohur në korridoret e burgut?
Më futën në qelën 27, në katin e dytë dhe më nxorën për ajrim pas 3 ditësh. Dhomat me ajrosje në Tiranë ishin të vendosura diagonalisht. Kur dal në ajrosjen e fundit, shoh një burrë të shtrirë, të rrëzuar. Më kujtohet i veshur me ato pizhamet me vija blu. E njoha figurën e tij. Ishte kudo nëpër stenda… E pashë edhe njëherë dhe u binda se ishte Beqir Balluku. Vuri dorën te buza, duke bërë shenjë që të mos flisja. Kur u futa në qeli dëgjova që diçka pëshpëritej në mur. Ai po përpiqej të më thoshte diçka. Prej tij mësova të komunikoj me anë të murit.
Ç’komunikuat me të?
E vetmja gjë që më kujtohet të më ketë thënë është: Ki kujdes veten! Me sa duket e hoqën prej aty dhe nuk mësova më asgjë se çfarë u bë me të.
Thatë se u përpoqën t’ju bënin bashkëpunëtore…

U përpoqën të më përfshinin. Duket se edhe ata e vlerësonin zgjuarsinë, faktin që kisha memorie shumë të mirë. Isha mësuese Matematike dhe mbaja mend gjithë ato formula.. Ndoshta donin të shfrytëzonin edhe pamjen time. Mbaj mend se sollën një hetues, që e quanin Belul Zoto, dhe më tha: “Përse të mos shoqërohemi ne të dy bashkë, bëhemi një çift i mrekullueshëm dhe shëtisim botën!” Kur më tha direkt që të bashkëpunoja, unë kundërshtova në maksimum, aq sa nga frika se mos bëja ndonjë akt kundër vetvetes, më vunë në kokë një skafandër dhe më kontrollonin vazhdimisht përmes sportelit. Në mënyrë absolute nuk pranova që të bëja një marrëveshje me ta. Më kthyen në Bajram Curr, ku nisën akuzat e tjera për “agjenturë” etj.
Në Bajram Curr ju futën në qelinë më të keqe, kaq e “rrezikshme” ishit ju?

Me thënë të drejtën u zmadhua pak si shumë çështja ime. Unë kam qenë një vajzë me karakter paksa të çuditshëm. Në jetën time s’më ka bërë përshtypje: “Çfarë the ti, po kush jam unë..”. vija nga një familje e respektuar, që jetonim me djersën e ballit e ku në çdo cep të shtëpisë kishim një libër. Im atë vërtetë ishte i vjetër, i ditëlindjes 1880 dhe çlirimi e gjeti 64 vjeç, por megjithatë na shkolloi, në luftë të vazhdueshme me pushtetarët. Ka qenë nacionalist dhe shtëpia jonë ka qenë bazë e Kryezinjve të Kosovës. Tërë jetën ka luftuar me ta. Vdiq 93 vjeç me krenari të madhe dhe me një personalitet të fortë. Ishte i respektuar nga e gjithë Malësia e Gjakovës. E ndoshta unë kisha pak karakterin e tim ati. Kam qenë drejtoreshë e shkollës në Zogaj që është në kufi me Kosovën, që do të thotë Shqipëri-Shqipëri. Unë nuk kisha frikë të përshëndetesha me vëllezërit tanë të Kosovës, ndonëse për hir të së vërtetës nuk na lejohej të flisnim me ta. Nuk dua të ngre aludime, por një vajzë e bukur, e shkolluar, me karakter të fortë, që nuk i nënshtrohej kujt, lë edhe dyshime, me kë është e lidhur, çfarë, bën etj. Kjo ndoshta nxiti edhe një operativ të zonës, që ishte nga Vlora, Seit Zeqiri, e që ndoshta sot mund të ketë ndonjë post të ngritur. Ai e futi në qorrsokak gjithë sistemin, duke shpifur se unë isha në shërbim të njërit e të tjetrit, që isha agjente, që s’përfillja kënd etj. Unë nuk kisha pse të frikësohesha, i kisha gjithë fshatarët me vete. Jetova 5 vjet në Zogaj, një popull i mrekullueshëm, me tradita, shumë punëtor dhe i ndershëm. Nuk më thoshin drejtoreshë, po drejtor dhe çdo derë e sofër e tyre ishte e hapur për mua.
Ju doli ndonjë prej bashkëfshatarëve dëshmitar në gjyq?
Në qoftë se 43 dëshmitarët u bënë kundër meje, plus një kontingjent i fshehtë nga krahina Zogaj, Kepenek, nuk doli asnjë person kundër meje. Çfarë pretendonin dëshmitarët e rremë? Ata ishin të gjithë të përpunuar. Edhe dëshmitë i kishin të mësuara. Ata ngrinin gjithfarë pretendimesh, përmendnin emra fshatrash, vendesh, situatash, por askush nuk dinte t’i argumentonte. Dikush më akuzonte se i kisha dhënë ndonjë libër të ndaluar.. Ata vazhdonin me të tyret, ndërsa nuk e dinin se në Tiranë kishte dalë ekspertiza. Gjyqi vazhdoi 4 ditë.
I njihnit?
Të gjithëve u kisha dhënë bukë.
Kush ishte gjyqtare e çështjes?
Askush nuk guxonte ta merrte përsipër çështjen time. E vetmja që pranoi ishte Tamara Mala. Pranoi në këmbim të një tesere partie. Ajo ishte kandidate për anëtare partie dhe i vunë kusht që ose të pranonte çështjen, ose ta harronte anëtarësimin. Gjithsesi, nuk dua ta gjykoj.
Thatë se kur ishit në burgun e Kuçovës ju fusnin në dhomë edhe provokatore, po miqësi a kishit me ndokënd?
Në burg gjeta Mynever Zaimin, e cila kishte qenë drejtoreshë e Bibliotekës së Elbasanit, me dy djem të mrekullueshëm, njëri nga ata kishte mbaruar Matematikë dhe më futi në burg përmes së ëmës, “Të gjeturit e sipërfaqes së 17-këndëshit”. Ishte ende e diskutueshme atëherë të përdorej a të mos përdorej apotema. Nga ajo mësova disa gjëra që i pata parasysh gjatë gjithë kohës së burgut. Ajo e dinte historinë time dhe më këshillonte me kë të shoqërohesha, të mos i besoja gjithë njerëzve. Myneveri për mua ishte mësuesja që gjeta në burg. Me shumë dhimbje kujtoj një vajzë nga Berati, Thëllëza Lundra, e cila ishte shoqëruar me të birin e Teme Sejkos. Ishte shumë e re dhe trajtohej shumë keq nga gardianet e Kuçovës apo Qytetit Stalin, siç quhej atëherë. Më kujtohet një skenë kur i ktheu fjalën një gardianeje dhe ajo e lidhi me zinxhirë dhe e godiste me çelësa. E rrahën në mënyrë çnjerëzore dhe ajo vazhdonte të kundërshtonte e të shante gardianen.
Ju kujtohet ndonjë episod i veçantë?
Në burg na sollën një bashkëfshatare timen, që ishte e shtatzënë. Së gjorës i kishte shkuar mendja për një qepë, e gardianët nuk ia sollën. Një kuzhiniere nga Korça, edhe ajo e dënuar, tinëz e vodhi një nga kuzhina e ia solli. E çuan për të lindur, por ai fëmijë edhe sot nuk është i zhvilluar fizikisht, ndoshta për shkak se kushtet e lindjes ishin shumë të vështira. Fëmijën ia hoqën pas një jave dhe e çuan në Befotrof. T’ia heqësh nënës foshnjën nga gjoksi, është shumë e dhimbshme.
Në të njëjtin burg vuanin dënimin edhe gratë ruse, si ishin ato, ç’komunikim kishit?
Ruse kishte shumë. Ishin mbi 13. Ishin të gjitha të shkolluara me nga dy fakultete, inxhiniere, gra me personalitet. Shumica ishin nëna. Ne ishim në të njëjtin kapanon, por dhoma e ruseve ishte në një kënd në formë L-je. Ato rrinin bashkë, punonin si të gjitha ne të tjerat në kanale dhe në punë nga më të ndryshmet e me kulturën e tyre, ato na mësonin edhe ne. Ka qenë Taisa Pisha, një shkencëtare e vërtetë, Ina Shahu, modeli i një gruaje të mrekullueshme, Vigel Minaveshi. Ato ishin shumë të heshtura, nuk na jepnin shumë muhabet. Mjaftoheshim vetëm me një përshëndetje, apo një interesim për shëndetin. Kaq ishte komunikimi ynë me to. Ato nuk prononcoheshin asnjëherë për asnjë gjë politike e ideologjike. Ishin të burgosura me një disiplinë të jashtëzakonshme, ishin shumë korrekte në komunikim me njëra-tjetrën dhe me ne. Shumicës u vinin fëmijët, një pjesë ishin divorcuar nga burrat.
Keni mbajtur kontakte pas daljes nga burgu me ndonjërën prej ish- të burgosurave?
Nuk kam mbajtur kontakte me to, edhe pse jam munduar të lidhem me ndonjërën prej tyre. Veç ruseve atje kishim edhe rumune, jugosllave e greke, kurse shqiptare ishim më pak. Sot po i nxjerrin shumë të burgosurat politike, por jo, jo, nuk kemi qenë shumë në numër. Secila kishte jetën e vet dhe nuk përziheshim me njëra-tjetrën. Një komunikim të mirë kam pasur me Bardha Markagjonin, së cilës i thoshim Princesh Bardha. Ishte 60 vjeçe e na ka mësuar shumë gjëra. Më vonë, kur dola nga burgu, kam shkuar dhe e kam takuar në Shkodër. Ishte një grua me kulturë, shumë e rregullt.. Ne të politikës nuk kishim shumë fjalë dhe asnjëherë nuk kemi pasur ndonjë zënkë me njëra-tjetrën, siç ndodhte te të dënuarat e krimeve ordinere.
Pas Kuçovës, do të vinte një transferim tjetër, u përmirësuan ndopak kushtet për ju?
Në Kuçovë shkova në vitin 1975, pastaj më çuan në Kosovë të Elbasanit. Në Kosovë hapën një shkollë për vajzat dhe unë u caktova nga komanda si mësuese e Matematikës. Atje kishte vajza nga 13 deri 16 vjeçe, të dënuara për krime nga më të ndryshmet. Pas shumë vitesh, ndodh që nëndrejtori i Burgut punon me time mbesë në Durrës dhe në bisedë e sipër kujtuan edhe historinë time. Piva kafe me të. Ruaj respekt të madh për atë njeri, sepse një 7 Mars, edhe pse kontrolloheshin nga gardianët e Burgut, më kishin prurë një kartolinë.
ALMA MILE
© Panorama.al











