RUDARE- Dy ushtarë të KFOR-it dhe të paktën tre serbë lokalë janë plagosur gjatë aksionit të Forcës Paqeruajtëse për heqjen e barrikadave në Rudarë, afër Zveçanit.
Aksioni për heqjen e barrikadave në rrugë, të vendosura nga serbët e veriut, është përcjellë me tensione.
Që në orët e hershme të mëngjesit, njësi të KFOR-it kanë përdorur makinerinë e rëndë dhe ekskavatorët me qëllim të heqjes së barrikadës në Rudarë.
Por, me të nisur aksionin, strukturat paralele të pushtetit serb kishin lëshuar alarmet, me çka i sinjalizuan banorët serbë që të dalin në mbrojtje të barrikadës së ngritur.
Për heqjen e barrikadës në Rudarë, KFOR-i është detyruar të përdorë edhe gazin lotsjellës për shpërndarjen e turmës së njerëzve të revoltuar.
Me rritjen e tensioneve, KFOR-i ka përfshirë në aksion edhe helikopterët.
Përmes një komunikate me shkrim, KFOR-i ka konfirmuar se dy pjesëtarë të kësaj force janë plagosur gjatë operacionit të sotëm.
Njëri nga ushtarët, thuhet në komunikatën e KFOR-it, është evakuuar dhe është në gjendje stabile.
Ndryshe, KFOR-i ka dënuar ashpër aktet e dhunshme, duke thënë se “nuk do të lejojë që situata të përshkallëzohet edhe më shumë” dhe se “do të përdorë masa vetëmbrojtjeje, nëse është e nevojshme”.
Operacionin e sotëm paqeruajtësit njoftojnë ta kenë ndërmarrë “me qëllim të përmirësimit të lirisë së lëvizjes dhe nuk ka të bëjë vetëm me KFOR-in, por me të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe gjithë qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
Ndërkaq drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Millena Cvetkoviq i ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë për të paktën tre serbë të plagosur. Njëri prej tyre në gjendje të rëndë.
“Pacienti i tretë është me plagët më të rënda. Ai është pranuar në spital me plagë mbi gju, me kockën e thyer dhe i plagosur me armë zjarri”, ka thënë doktoresha Cvetkoviq.
Kurse dy të plagosurit e tjerë, nënvizoi ajo, kishin marrë plagë më të lehta nga plumbat e gomës.
Aksioni fillimisht ka sjellë si rezultat largimin e barrikadës në Rudarë, por serbët më pas janë organizuar dhe kanë sjellë sasi të konsiderueshme të zhavorrit duke ngritur barrikadën e re përballë ushtarëve të KFOR-it në rrugën që qon nga Leposaviçi në Mitrovicë dhe anasjelltas.
Gjatë këtij aksioni KFOR-i ka arrestuar disa serbë lokalë që po pengonin atë në detyrë, dhe të njëjtit njoftohet se ua ka dorëzuar misionit të EULEX-it për trajtim të mëtutjeshëm.
Në përpjekje për të qetësuar situatën, koloneli Xhozef Linç, nga Forca e KFOR-it, ka takuar kryetarin ilegal të Zveçanit Dragisha Milloviq.
Ky i fundit tha se aksioni i KFOR-it ishte arsyetuar me krijimin e kushteve për liri të lëvizjes.
Por, një aksion i tillë, sipas tij, ishte i panevojshëm, pasi që KFOR-i ka mundur të lëvizë lirshëm në veri.
“I kam thënë kolonelit se a keni ardhur këtu si mision paqeruajtës apo mision okupues”, tha Milloviq.
Ai kërkoi reagimin e Beogradin edhe strukturave të BE-së. Kurse reagimin e serbëve, e cilësoi si shpërthim pas padrejtësive 13 vjeçare që, sipas tij, u bëhen serbëve të atjeshëm.
Edhe sekretari në largim në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Oliver Ivanoviq ka thënë se KFOR-i ka ndërmarrë një “veprim shumë të rrezikshëm” duke bërë përpjekje për të hequr barrikadën në Rudarë të Zveçanit.
“Me duket se Prishtina dhe KFOR-i shfrytëzojnë vakuumin institucional në Serbi për të ndryshuar gjendjen në terren”, ka deklaruar Ivanoviq.
Përndryshe, serbët e veriut kanë vendosur barrikada në rrugë qysh në fund të korrikut të kaluar, kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë aksionin për shtrirjen e kontrollit të saj në pikat kufitare 1 dhe 31.(rel)
© Panorama.al











