Ruçi: Nishani hodhi tri firmat e para pa marrë nishan

Sep 4, 2012 | 11:09

Gjate seances se djeshme ne kuvend

Kreu i Grupit të PS akuzon Presidentin për SHISH, KLD dhe FA.

“Të mos jetë noter i Kryeministrit, por garant i Kushtetutës”

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi, akuzoi dje Presidentin Bujar Nishani se me firmat e para plotësoi kërkesat e maxhorancës. Ruçi theksoi se kreu i shtetit zëvendësoi në mënyrë të njëanshme kreun e SHISH, gjeneralët e Forcave të Armatosura dhe nënkryetarin e KLD-së. “Pa kaluar as një muaj nga marrja e detyrës së lartë të Presidentit të Republikës, Nishani hodhi menjëherë tri firmat e para. Siç thuhet në terminologjinë ushtarake, pa marrë shënjestër fare apo, siç thuhet në zhargonin popullor, pa marrë fare nishan. Nuk mori nishan, kur në krye të Këshillit të Lartë të Drejtësisë zgjodhi një militant partie dhe me një performancë aspak dinjitoze në organet e Drejtësisë. Nuk mori fare nishan, kur në krye të Shërbimit Informativ Kombëtar, pa iu tharë ende boja e propozuesit Kryeministër, vendosi një drejtues me një të kaluar të zezë, që të rikujton kohën e SHIK-ut ‘92-‘97. E si të mos mjaftonte kjo, edhe një person me dy shtetësi. Nuk mori aspak nishan, kur në krye të Forcave Detare dekretoi një ushtarak të lartë të arsimuar për Forcat Tokësore”, theksoi Ruçi.
Apeli
Socialisti Gramoz Ruçi, duke përdorur terminologjinë ushtarake, kërkoi nga Presidenti që në “shkrepjen e radhës” të marrë mirë “nishan”. “Kur zoti Nishani ka qenë një oficer i thjeshtë i Ushtrisë, gjëja e parë që u mësonte ushtarëve, rezervistëve apo studentëve, ishte që ata të mësonin të merrnin nishan duke vënë në një vijë të drejtë thepin, shtjekëzën dhe objektivin. Kurse sot në detyrën e lartë të Presidentit të Republikës duhet të dijë se: Thepi nuk është mikropjesë e thjeshtë e pushkës, por është Kushtetuta e vendit. Shtjekëza nuk është një pjesë tjetër apo mikropjesë tjetër e pushkës, por është uniteti i popullit. Objektivi nuk është një tabelë e thjeshtë kompensate me një fotografi të armikut të radhës, por është siguria kombëtare. Natyrshëm pyesim: Kur bëri betimin z.President, u betua se do të ishte garant i Kushtetutës, garant i unitetit, garant i sigurisë kombëtare? Prandaj sot, në ditën e parë të sesionit parlamentar, opozita i kërkon Presidentit të Republikës të mos e shkrepë më pa e vënë në sy e pa marrë nishan. Sot, në ditën e parë të sesionit parlamentar, i themi Presidentit se nuk je një noter i Kryeministrit, po jeni noter i Kushtetutës, garant i saj, garant i unitetit dhe i sigurisë kombëtare”, u shpreh kreu i Grupit të PS.
Akuzat
Kreu i Grupit të PS-së akuzoi maxhorancën se nuk dëshiron në të vërtetë marrjen e statusit të vendit kandidat, por i intereson kapja e institucioneve të pavarura. Në seancën e parë të sesionit të ri parlamentar, Ruçi deklaroi se prej kohësh opozita ka propozuar një sërë paktesh për të plotësuar 12 prioritetet e KE-së. Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së deklaroi më tej se maxhoranca po tenton të kapë dhe Prokurorinë e Përgjithshme, që në këtë mënyrë të fshehë korrupsionin qeveritar. “Nuk ju interesonte marrja e statusit të vendit kandidat për BE, po ju interesonte kapja e kryetarit të Shërbimit Informativ Kombëtar jo në shërbim të interesave kombëtare, por në shërbim të interesave tuaja personale. Nuk ju interesonte marrja e statusit të vendit kandidat po ju interesonte kapja, menjëherë, e prokurorit të Përgjithshëm, sipas gustove tuaja, për të mbuluar krimin dhe korrupsionin qeveritar. Nuk ju interesonte marrja e statusit të vendit kandidat po ju intereson kapja e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë për të certifikuar zullumet tuaja dhe të shpurës suaj qeveritare”, deklaroi Ruçi. Duke folur për çështjen e imunitetit, Ruçi deklaroi serish votën pro të opozitës, por kjo nismë të votohet me paketën kushtetuese në Kuvend. Kreu i Grupit të PS-së deklaroi se opozita do të angazhohet në një front qytetar për të larguar qeverinë e korruptuar. “Është momenti për ta çmontuar pushtetin tuaj abuziv, për t’u larguar përfundimisht nga rruga penguese për Shqipërinë europiane si shansi i vetëm për të ndalur korrupsionin qeveritar, për të ndalur copëtimin e territorit të vendit, për të ndalur plaçkitjen e pasurisë kombëtare, për të ndalur rrënimin ekonomik e social të vendit, për të ndaluar korrupsionin”, u shpreh Ruçi.

Patozi: Nuk do t’i miratojmë paçavuret e PS për Kushtetutën

Astrit Patozi

Kreu i Grupit Parlamentar i PD-së, Astrit Patozi, deklaroi dje votën kundër të shumicës për paketën kushtetuese të propozuar nga opozita. Patozi e konsideroi si paçavure draftin e opozitës për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se një nismë e tillë është depozituar në Kuvend për të mos u votuar kurrë. Demokrati theksoi se propozimet e të majtëve synojnë të kthejnë një krizë të thellë në institucionet e Drejtësisë, siç ishte me zgjedhjen e Presidentit. “Nuk kemi asgjë për të fshehur, po ta themi qysh sot se nuk kemi ndërmend t’i miratojmë paçavuret e depozituara. Por sigurisht ne do të respektojmë deri në fund të drejtën e opozitës për t’ia futur edhe kot. Ndaj do të zbatojmë çdo normë procedurale në shqyrtimin e nismës së Partisë Socialiste. Kjo nuk është çështje dëshire apo vullneti të munguar, por ne nuk mund të marrim seriozisht një gjë që Edi Rama dhe Grupi Parlamentar i PS-së e ka sjellë në Kuvend thjesht dhe vetëm si një pretekst për të zvarritur votimin e kufizimit të imunitetit dhe reformat e tjera të integrimit. Është thjesht një mënyrë e trashë për të bllokuar statusin”, u shpreh Patozi. Duke folur për akuzat ndaj Presidentit Nishani, demokrati Patozi theksoi se maxhoranca nuk do të bëjë mbrojtjen e kreut të shtetit dhe se opozita betejën elektorale e ka me PD-në. Patozi apeloi ndaj elektoratit ta shpëtojë maxhorancën nga e majta, që sipas tij bllokon integrimin e vendit. “Na shpëtoni prej tyre, sepse kjo është opozita e vetme në botë që, për veset e veta, i ruan brinjët edhe qeverisë. Kjo është opozita e vetme në botë që për inat të PD-së, ka tre vjet që bllokon integrimin e vendit të vet. Zgjedhjet janë pas dhjetë muajsh. Zgjedhjet janë zgjidhja e vetme”, deklaroi Patozi.

Topalli: Ligjet për integrimin s’miratohen pa votën e opozitës

Jozefina Topalli

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli dje në fillim të seancës së parë të sesionit parlamentar, apeloi ndaj deputetëve që të miratojnë ligjet e rëndësishme, të konsideruara si kushte nga Brukseli. Topalli gjatë fjalës së saj u shpreh se ligjet e rëndësishme nuk votohen për t’i bërë një favor maxhorancës dhe as qeverisë, por integrimit të vendit. Kryetarja e Kuvendit apeloi ndaj opozitës për të përmbushur detyrën e saj ndaj qytetarëve, duke votuar reformat dhe mundësuar marrjen e statusit të vendit kandidat në BE. “Miratimi i këtyre ligjeve janë detyra të cilat Bashkimi Europian u ka dhënë ligjvënësve shqiptarë. Pa votën e kolegëve të opozitës këto ligje, të cilat konsiderohen themelore për marrjen e statusit kandidat, nuk mund të miratohen. Miratimi i këtyre ligjeve (që kërkojnë votë të cilësuar) janë kusht i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Pa votën e kolegëve opozitarë, disa nga këto kushte nuk mund të përmbushen. Shqiptarët nuk do të shpërblejnë as bojkotuesit, as bllokuesit. Ëndrra e tyre është me e rëndësishme se ëndrra e çdo politikani, interesi i fëmijëve të tyre është shumë më i madh se pazari i cilitdo politikani tjetër. Detyra jonë morale e politike ndaj bashkëqytetarëve tanë është plotësimi i këtyre kushteve. Për këtë, ne duhet të jemi të bashkuar; Të bashkuar në veprim e jo vetëm fjalë, të bashkuar në votë, pa POR e pa hile. Ne duhet të përmbushim detyrimet tona. Ne duhet të votojmë. Kjo është në dorën tonë. Ne duhet të bëjmë një tjetër hap drejt Europës. Ne mundemi, ne duhet. Qoftë edhe në shenjë nderimi e borxhi ndaj veprës së Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, e shumë burrave të tjerë të Kuvendit të parë”, deklaroi Topalli.

Miratohet me 116 vota akti normativ për zhurmat
Parlamenti e ka nisur me konsensus sesionin e ri parlamentar, duke miratuar me 116 pro aktin normativ “Për krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të menjëhershme ndaj subjekteve që gjenerojnë zhurmë tej normave të lejuara në qendrat urbane dhe zonat turistike e bregdetare”. Socialistët, edhe pse kishin shprehur kundërshti gjatë shqyrtimit të këtij drafti në komisionet parlamentare, dje votuan pro nismës së qeverisë. Kjo Task-Forcë që do të ngrihet, do të ndalojë të gjitha aktivitet që gjenerojnë zhurmat në zonat bregdetare. Task-Forca ushtron aktivitetin e saj në çdo ditë të javës, duke ndaluar pas orarit të lejuar veprimtaritë e subjekteve fizike e juridike, që janë burim zhurme. Strukturat e Policisë së Shtetit, si pjesë e përbërjes, do të jenë në mbështetje për ekzekutimin e masave ndaluese ndaj subjekteve që shkelin rregullat.

Të enjten shqyrtohet nisma e PS
Ditën e enjte do të mblidhet Këshilli i Rregullores e Imuniteteve dhe Komisioni i Ligjeve për të diskutuar paketën e ndryshimeve kushtetuese të propozuara nga opozita. Me futjen në axhendën e Kuvendit të propozimeve të Partisë Socialiste për ndryshimin e Kushtetutës, zbutet klima mes shumicës dhe opozitës, që u pa në seancën e fundit parlamentare ,kur nuk u votua drafti i Edi Palokës dhe Pandeli Majkos. Ky qëndrim i ri vjen pak javë përpara se Komisioni Europian të publikojë progres-raportin, ku do të vlerësohet edhe performanca e Shqipërisë në marrjen e statusit të vendit kandidat.

FATION BINJAKU

© Panorama.al

Te lidhura