
Kreu i Grupit të PS komenton Zaganjorin: Kolegë të tij dhanë dorëheqjen.
“Nano? Do t’ia thotë Rama Berishës kur të takohen”
Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, tha mbrëmë në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla në Top Channel se ish-lideri socialist Fatos Nano mund të dalë si kandidat konsensual vetëm nga tryeza mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Ruçi zbuloi dhe detaje nga takimi që Fatos Nano zhvilloi me të dhe Edi Ramën në selinë e PS. I pyetur nëse për mospropozimin e Fatos Nanos si kandidat për President, koston do ta marrë Rama, Berisha apo Meta, Ruçi u shpreh: “Do t’ju përgjigjem me një mendim që zotit Nano ia kam thënë në takimin që bëri me zotin Rama. Zoti Nano i bëri pikërisht këtë pyetje që ju më bëni mua zotit Rama: nëse zoti Berisha shtron pyetjen dhe thotë: zoti Nano, ty të mbështet PS? Unë i thashë zotit Nano: zotit Berisha do t’i thoni që këtë pyetje mos ma bëni mua, por këtë pyetje bëja zotit Rama kur të ulesh në negociata me të! Unë pres që zoti Berisha të ulet në negociata në tavolinë dhe pres që zoti Berisha t’ia shtrojë këtë pyetje zotit Rama, dhe aty zoti Rama do t’i japë përgjigjen që duhet”, u shpreh Ruçi, duke dhënë detaje nga takimi mes tij, Nanos dhe Ramës.
Zaganjori
Për numrin dy në Partinë Socialiste, kandidatura e Xhezair Zaganjorit kundërshtohet sepse ai mban një mandat si anëtar i Gjykatës Kushtetuese në kundërshtim me Kushtetutën. “Presidenti i ri duhet të sigurojë pavarësinë e munguar nga pushteti i sotëm që me vajtjen në atë karrige të Presidentit të ri, do të përpiqet të uzurpojë 100% të pushteteve të tjera. Gjykata Kushtetuese, ka 3 vjet që ka kaluar mandati i 3 anëtarëve të saj. Presidenti aktual ka bërë propozimin dhe maxhoranca nuk pranon t’i zëvendësojë. Por, një anëtar i Gjykatës Kushtetuese nuk ishte dakord me vendimin e kësaj gjykate për dekretet e Presidentit dhe dha dorëheqjen në përputhje me moralin e tij dhe ligjin. Nuk dua të debatoj me emrin e zotit Zaganjori, por mund të them se një nga emrat që ka kapërcyer afatin kushtetues është dhe zoti Zaganjori. Shqetësimi ynë është pavarësia e Presidentit të ri të Republikës në reformimin e Drejtësisë, Prokurorisë dhe SHISH”, u shpreh Ruçi.

Për kreun e Grupit Parlamentar socialist, katër kushtet e PS nuk janë ultimatum, por kërkesa që janë shprehur dhe nga Brukseli. Por Ruçi u shpreh i hapur për të konfirmuar vullnetin politik më shumë se sa radhën e reformave që duhet të plotësohen. “Ne nuk kemi caktuar radhë realizimesh të reformave që kemi renditur, por kërkojmë vullnet politik”, u shpreh Ruçi. Për zyrtarin e lartë të PS, selia rozë është e gatshme të paraqesë emra për President, por më parë ajo kërkon, sipas Ruçit, ndërtimin e një tryeze dialogu. “Në negociata ne do të paraqesim parimet dhe kriteret tona. Në fund do të artikulojmë emrat e kandidatëve. Sigurisht që kemi emra, por mos prisni që unë sot të lançoj emrat tanë”, u shpreh Ruçi. Për Partinë Socialiste janë tre skenarë të mundshëm. E para, zgjedhja e Presidentit me konsensusin e të gjitha partive parlamentare; e dyta, zgjedhja e Presidentit nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim; e treta, që kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, e cilëson si zgjedhja më e keqe e mundshme, është zgjedhja e Presidentit vetëm nga Partia Demokratike. Por PD e vetme nuk ka votat e nevojshme për të zgjedhur Presidentin pa LSI-në. Për kreun e Grupit Parlamentar socialist, një skenar i tillë mund të ndodhë nëse përsëritet 2007-a, kur gjashtë deputetët të Partisë Socialiste votuan për kandidatin e propozuar nga demokratët, deri në atë kohë nënkryetar i PD-së dhe kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së, Bamir Topi.
“Dera për LSI-në mbetet e hapur”
Sa i përket raportit të Partisë Socialiste me Lëvizjen Socialiste për Integrim, Ruçi tha se PS dhe LSI aktualisht janë rivalë politikë, jo partnerë. Por kreu i Grupit Parlamentar vlerësoi qëndrimin konstant të LSI-së përsa i përket Presidentit, duke lënë të hapur mundësinë e konsensusit, ndryshe nga Berisha, që siç tha Ruçi, prej një viti trumbeton kandidat një emër nga Kryesia e PD-së. Në media qarkullojnë zërat për një mocion mosbesimi nga ana e PS-së për qeverinë PD-LSI. Mundësia e një mocioni u kundërshtua nga kreu i Grupit Parlamentar të socialistëve, Gramoz Ruçi.
“Presidenti, jo zyrtar i lartë nga PD dhe PS”
Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, e përjashtoi zgjedhjen e Presidentit nga një zyrtar i lartë politik i PD ose PS. Ky, sipas tij, mbetet kusht i PS. “PS nuk do të përjashtonte asnjë kandidat, por një kusht e kemi: jo një drejtues i lartë partish, as nga PS dhe as nga PD. Por kjo s’do të thotë se ne përjashtojmë apriori klasën politike shqiptare të këtyre 22 viteve. Kur flasim për njerëz që sot janë aktivë partiakë, në krye të PS apo në krye të PD, ky është një opsion që PS e ka shtruar që në fillim. Pra nëse do të kishte negociata, të gjitha këto sugjerime do të ishin objekt i negociatave, sot do të kishim një produkt të gjithëpranuar dhe të dakordësuar”, u shpreh Ruçi.
Malaj: Nano të jetë kandidat zyrtar i PS për President
Anëtari i Kryesisë së PS: Presidenti, figurë politike

“Aleancat pragmatiste për të rrëzuar qeverinë, të mirëkuptueshme, kujdes nga zhgënjimet”
Anëtari i Kryesisë socialiste, Arben Malaj, kërkon nga PS që të paraqesë dhe mbështesë kandidaturën e Fatos Nanos për President. Sipas tij, vendit i duhet një figurë e spikatur dhe e provuar politike.
Në një intervistë për gazetën “Panorama”, duke folur për afrimin e PS-së me LSI-në, Malaj e mirëkupton bashkëpunimin me qëllimin rrëzimin e qeverisë, por shpreh dyshime se një aleancë qeverisëse me të mund të krijonte dhe zhgënjime në elektoratin socialist.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar socialist, kreu i PS kërkoi nga deputetët të propozonin emra për kandidat për President. Mendoni se ky është një veprim i vonuar, ndërkohë që procesi ndodhet në raundin e dytë të votimit?
Në fakt, i gjithë procesi i zgjedhjes së Presidentit në vend duhet të ishte më transparent, pasi flitet për një nga nivelet më të larta kushtetuese në vend, i cili ka dhe një status të veçantë, të përfaqësojë unitetin e popullit. Në këtë këndvështrim, të dyja partitë politike mund t’i kishin dhënë më shumë transparencë këtij procesi, në mënyrë që kandidatët të diheshin paraprakisht, opinioni publik të njihej para se palët të shkonin në seancë, publiku të njihej me atributet e kandidatëve dhe të kishte një perceptim të qartë se çfarë ata do të ofronin në këtë post. Po të shikoni në shumë vende, zgjedhja e Presidentit është një moment i veçantë në zhvillimet demokratike. Zgjedhja e Presidentit ka një rëndësi të veçantë, sepse iu bashkua tri kushteve të tjera për të përshpejtuar integrimin e vendit dhe për të mos penguar procesin e integrimit. Partia Socialiste duhet ta kishte nisur më shpejt procesin, duhet të kishte dhënë vlerësimin e saj për ofertën publike që ish-lideri socialist Fatos Nanos bëri, i cili bëri dhe takimet përkatëse me liderët politikë parlamentarë. Vlerësimi im për Nanon nuk është thjesht dhe vetëm individual. Unë vlerësoj se kryetari i shtetit duhet të jetë një figurë me eksperiencë politike, të ketë kontribute në jetën politike të vendit, të cilat afrojnë garanci më të mira se çdo përzgjedhje spontane për zgjedhjen e kreut të shtetit. Edhe në debatet dhe sondazhet publike duket se Nano ka një mbështetje të konsiderueshme publike dhe mund të konsiderohet si një nga kandidatët kryesorë nga PS për të qenë kandidat potencial dhe pastaj zgjedhja si President do të ishte një proces parlamentar. së dyti, ai ka kontribute të veçanta në tranzicionin e vështirë shqiptar ku fillon me modernizimin e PS, duke e kthyer atë në një forcë progresiste dhe euroatlantike. Ka menaxhuar me sukses krizat e shumta që ka pasur vendi, duke filluar me krizat ekonomike të fillimeve të pluralizmit, apo menaxhimi i situatës së 14 shtatorit, ku qëllimi ynë ishte si të mos krijoheshin plagë të reja sociale nga konfliktet e tensionuara mes protestuesve, dhe jo thjesht mbrojtja e një ndërtese. Pra 14 shtatori është një rast i menaxhimit të kujdesshëm të një krize të vështirë. Nano vlerësohet për kulturën e dorëheqjes për të krijuar sinergji të reja në vend.
Ju do t’i propozonit zotit Rama kandidaturën e zotit Nano si kandidat të PS-së për President?
Unë besoj se zoti Rama e ka mbi tavolinë kandidaturën e zotit Nano dhe nuk besoj se kjo do të jetë një garë propozimi emrash. Kjo është një kandidaturë e propozuar edhe në publik, dhe ka ato avantazhe që sapo thashë. Procesi i propozimit të kandidaturave nuk besoj se do të mbyllet në një emër të vetëm, por mendoj se duhet të fillojë me shqyrtimin e kandidaturës së zotit Nano.
Fatos Nano në postin e Presidentit çfarë do të sillte për PS në funksion të zgjedhjeve të 2013-s?
Ndoshta do të ishte ai Nano që theksonte kur ishte në pushtet dhe kishte 2/3 e votave në Parlament, se “në politikë duhet ndarë pushtet për të bërë shtet”. Unë nuk besoj se kandidimi i Nanos për President do të ndikonte negativisht në sfidën e fitores së vitit 2013. Partia Socialiste duhet të aplikonte përvojën e vyer franceze të këtij viti. Socialistët francezë nuk pritën një kandidat që ta caktonte partia apo kryetari i partisë. Edhe pse ndryshon forma e votimit, atje Presidentin e zgjedh populli. Në Francë socialistët bënë një garë jo vetëm mes disa figurave të partisë së tyre, por dhe një garë me qytetarët francezë, se cilin prej kandidatëve ata do të preferonin. Kjo ndoshta do të ishte rruga më e mirë që PS duhet të bëjë, pra të largohemi nga përzgjedhjet individuale për ata që mandatojmë në postet e Presidentit, Kryeministrit, deputetit, kryetarit të komunës dhe bashkisë dhe të kemi një testim më të mirë në opinionin publik për një listë kandidaturash që vlerësohen se kush mund të jetë më i miri.
Në procesin e zgjedhjes së Presidentit duket se po përsëritet e njëjta skemë. Mendoni se po bëhen të njëjtat gabime si në 2007-n me zgjedhjen e Presidentit?
Partitë politike kanë nevojë për mbështetjen e opinionit publik dhe duhet t’i ofrojnë një cilësi të re qeverisjeje vendit. Sot jemi në një moment kur kjo maxhorancë e ka humbur besueshmërinë e publikut dhe aq më tepër po investohet për një dështim të padëshiruar, siç është statusi i vendit kandidat. Në aspektin politik kemi mbetur edhe pas serbëve; në aspektin ekonomik, siç tha dhe ambasadori i BE-së në Shqipëri, Sekui, nëse do të ishim vend anëtar i BE-së, do të kishim 4 herë më shumë fonde dhe të mos harrojmë se këto fonde na mungojnë tani që jemi në situatën më të vështirë të rritjes ekonomike, që tenton nga 0-1%. Pra aleanca e pragmatizmit për të ndryshuar qeverisjen e vendit është e mirëkuptueshme si moment taktik, ndërsa cilësia e aleancave dhe cilësia e produktit politik që prodhojnë ato është përgjegjësi e madhe, pasi çdo gënjim i mëtejshëm favorizon rënien e mbështetjes së partive të mëdha dhe favorizon partitë ekstreme. Prandaj të bërit politikë duhet nisur nga disa parime strategjike, ndërsa elementet taktike nuk duhet të cenojnë objektivat strategjikë që ka një opozitë e madhe përballë sfidave që ka vendi.
Ju jeni në kontakte të vazhdueshëm me strukturat e PS dhe elektoratin e majtë. Si është perceptuar ky afrim i shpejtë i PS me LSI-në?
Të jemi të qartë që për socialistët rrëzimi i qeverisë “Berisha” është prioriteti numër një, i cili ka brenda dhe fleksibilitetin e tolerancës për taktikat e arritjes së këtij qëllimi.
Ju keni qenë ndër ata persona të paktë në PS që keni tentuar të kërkoni hapësira bashkëpunimi me LSI-në në zgjedhjet e ardhshme, por ose jeni keqkuptuar, ose jeni parë me skepticizëm…
Një eksperiencë e gjatë në politikë dhe një ndjekje nga afër e zhvillimeve politike në vendet e tjera për të kuptuar në thelb mënyrën e të bërit politikë, ndjekjen nga afër të zhvillimeve në partitë socialiste të disa vendeve europiane, për të parë se ku ata kanë dështuar dhe çfarë pasoje i kanë krijuar vendit të tyre, në tërësinë e tyre më kanë ndihmuar të orientohem në një analizë mbi disa parime themelore, dhe jo thjesht në një analizë individësh apo ngjarjesh të veçanta. Kështu që dhe qëndrimi që kam mbajtur në forumet e partisë dhe në media, ndarja me opinionin publik e disa elementeve thelbësore se si mund të demokratizohet politika shqiptare dhe çfarë pasojash mund të kemi nga pushteti absolut në duart e pak individëve në pushtet qendror dhe vendor, pse është e nevojshme të limitojmë mandatet e kryetarëve të bashkive dhe komunave etj., të gjitha së bashku kanë pasur si qëllim që PS të shndërrohet në një parti fituese, dhe jo vetëm të fitojë, por t’u sigurojë shqiptarëve një qeverisje ndryshe.
ARISTIR LUMEZI











