Ruçi: Gjyqe politike për t’i mbyllur gojën opozitës

Jun 20, 2012 | 14:03
Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi

Kreu i Grupit Parlamentar socialist i cilësoi gjyqet ndaj deputetëve socialistë si presione ndaj opozitës, për të mbyllur gojën përpara aferave korruptive. Gjatë një konference për shtyp, kreu i deputetëve socialistë solli në vëmendje disa nga gjyqet që u janë ngritur deputetëve Sajmir Tahiri, Mimi Kodheli, Vasilika Hysi, Erjon Braçe, Eduart Shalsi, Artan Gaci, Taulant Balla, Ermonela Felaj, Eltar Deda, Olta Xhacka, të cilët sipas tij kanë guximin të denoncojnë të vërtetat e hidhura të kësaj qeverie”. “Këto procese gjyqësore po kthehen në simbolin e nënshtrimit të gjykatave ndaj pushtetit politik, në simbol të uzurpimit të drejtësisë nga ekzekutivi, në simbolin e çmontimit të sistemit të Drejtësisë që qëndron në themel të shtetit ligjor. Këto gjyqe po kthehen në kamxhik politik të qeverisë ndaj deputetëve të opozitës, me synimin për t’i mbyllur gojën kujtdo që tregon me gisht vjedhjen, të kujtdo që tregon me gisht korrupsionin, të kujtdo që tregon me gisht keqpërdorimin e pushtetit, e bashkë me to përgjegjësitë që kanë qeveritarët, deputetët e maxhorancës dhe familjarët e tyre”, tha Ruçi. Sipas tij, “këto procese gjyqësore po nxjerrin në dritë deformimin e tmerrshëm të sistemit gjyqësor për çdo qytetar të ndershëm që përplaset përditë në dyert e gjykatave”. “Sot në gjykatë fiton i forti, jo e drejta. Fiton ai që ka pushtet, jo ai që ka të drejtë. Fiton ai që ka para, jo ai që kërkon drejtësi”, tha Ruçi. Duke folur për procesin që nënkryetari i Grupit Parlamentar, Sajmir Tahiri, ka me dy fëmijët e Kryeministrit Berisha, Ruçi tha se “nesër është seanca e parafundit e gjyqit ndaj nënkryetarit të Grupit Parlamentar socialist, Sajmir Tahiri, i akuzuar nga familjarë të Kryeministrit. Një proces gjyqësor tërësisht i njëanshëm, tërësisht i deformuar që në themel, dhe i paracaktuar në vendimin e tij për të dënuar me çdo kusht nënkryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Sajmir Tahiri. Në proces gjyqësor janë dhe shumë deputetë të tjerë dhe e gjithë Kryesia e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste”. Sipas numrit dy në PS, Partia Socialiste nuk do të heshtë para padrejtësive që u bëhen deputetëve të opozitës e njëkohësisht dhe shqiptarëve. “Kush ka menduar se opozita do të heshtë, ka bërë llogaritë gabim. Kush ka menduar se opozitën me këto veprime do ta përulë, i ka bërë përsëri llogaritë gabim. Kush ka menduar se duke i bërë shërbimin pushtetit të radhës sot, do ia hedhë paq nesër, përsëri i ka bërë llogaritë gabim. Ne jemi këtu e këtu do jemi gjithmonë. Përkrah drejtësisë, ligjit, demokracisë, shtetit ligjor. Përkrah qytetarëve”, tha Ruçi.

© Panorama.al

Te lidhura