
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS
“Nga të gjithë politikanët, Nano është më i provuari dhe ka staturën si shtetar”
Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, në një intervistë me gazetarin Roland Qafoku në “Planet TV”, nuk e përjashton një koalicion me LSI-në, nëse largohet nga maxhoranca aktuale.
Duke folur për takimin Rama-Meta, Ruçi shprehet se ishte dakordësuar dhe me të tjerë në PS, ndërsa e sheh Fatos Nanon si politikanin më të provuar dhe me staturën më të mirë si shtetar.
Si e komentoni takimin e z. Rama me z. Meta, jo atë zyrtarin, por atë në Gjirin e Lalëzit?
Gjatë këtyre ditëve jam pyetur shumë për këtë çështje, kam lexuar shumë analiza dhe artikuj, dhe natyrshëm bëj një pyetje: si është më mirë, që mos takohen politikanët, apo të takohen? Pa u takuar kemi 22 vjet që e bëjmë, por mirë vetë që nuk dimë, por përse nuk mësojmë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Këto ditë u zhvilluan zgjedhjet në Francë, dhe atje zhvillohet luftë politike, debate politike dhe rezultatet ishin të ngushta, por kur erdhi puna, humbësi dhe fituesi ditën ta administrojnë si humbjen dhe fitoren. Pra, në kushtet që Shqipëria është në bankën e provës dhe nën vëzhgimin e të gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe nëse kanë mjaft vërejtje dhe reformën kryefjalë kanë komunikimin, dialogun, mirëkuptimin. Kjo është hera e parë, ndërsa duhet të ndodhte ndryshe, që kreu i maxhorancës duhet të hapte një proces dialogimi, ndodh e kundërta, meqë ai nuk e bën, kreu i opozitës hap një proces dialogimi, dhe atë e bën publik. Që të hapet ky proces, sigurisht që kërkohen negociata, takime. U zhvillua një takim informal dhe më pas një takim formal mes kreut të PS-së dhe atij të LSI-së, dhe dua të nënvizoj që kjo nuk ka qenë e papritur, për mua personalisht. E kemi menduar gjatë këtë punë, e kemi konsultuar shumë thellë, si për takimin informal, ashtu edhe për atë institucional. Pra, z. Rama nuk ka kryer një takim informal me z. Meta, pa u konsultuar me aktorët dhe faktorët politikë të PS-së. Për publikun ka qenë një takim pas tre apo katër vitesh, për ne si forcë politike ka qenë e ditur. Mendoj se në të dyja takimet nuk është bërë ndonjë prapaskenë, për të bërë ndonjë skenar kush e di se çfarë, por është biseduar për problematikën që ka sot Shqipëria, e cila rrezikon statusin për herë të tretë. Sikur të uleshin brenda një ditë palët politike në këtë proces që ka ndërmarrë z. Rama, unë kam bindjen që shtatorin e ardhshëm, megjithëse Shqipëria ka kaluar një krizë politike dhe ka një krizë ekonomike, korrupsioni etj., BE do ta vlerësonte me nota pozitive këtë nismë dhe vendi ynë do të merrte ftesën e një vendi kandidat. Kështu që të gjitha lëvizjet formale dhe informale të opozitës shqiptare dhe kreut të saj kanë vetëm një funksion, që Shqipëria të realizojë zgjedhjen e një Presidenti, jo noter të PD-së, të bëjë një reformë zgjedhore që të ketë garanci dhe reforma parlamentare të bëjë të mundur funksionimin demokratik të Parlamentit.
A do ta zbatojë PS-ja teorinë që për të rrëzuar Berisha ne do të bashkëpunojmë edhe me djallin, e cila është thënë e stërthënë për gati një vit?
E shoh që kjo është tema që më shumë shqetëson median apo analizat që janë më afër qeverisë. Në politikë gjithçka ndodh dhe asgjë nuk përjashtohet, por kur ne jemi në një situatë konkrete, pse duhet të shqetësohemi nëse duhet të jetë apo nuk duhet të jetë në pushtet maxhoranca aktuale. Pse quhet e moralshme kur kjo e djathtë qëndron në pushtet me një koalicion të panatyrshëm, pasi nuk i ka votat për të qenë në pushtet dhe pse quhet e pamoralshme që më të drejtë kjo qeveri që është quajtur si qeveria e integrimit, dhe bën që ne të jemi vendi i parë në Europë që na refuzohet ftesa dy herë, të mos bëjë një analizë vetë, pa ndërhyrjen e opozitës, që ky pagëzim, ky koalicion me disa objektiva konkretë, që është BE-ja, të shkurorëzohej nga vetë ata, nëse kërkojnë moral politik. Ndërsa sot pyetet, po sikur opozita, por sikur LSI, ne nuk na shqeton aspak kjo dhe ata që shqetësohen nga kjo çështje le të shqetësohen, madje le të rrinë pa gjumë. Ne s’duam të marrim pushtet në tavolinë, por ama një gjë e duam, dhe ajo është zgjedhja e Presidentit. Kjo çështje është në vëzhgim të rreptë ndërkombëtar dhe nuk është fjala nëse karrigia e Presidentit do të ngelet bosh. Dikush do të shkojë atje, por varet kush do të shkojë dhe si do të shkojë, nëse do jetë kushtetues dhe garant i saj, apo noter i pushtetit aktual. Nëse do të ndodhë kjo e dyta, atëherë do të jetë një përgjegjësi e madhe, pasi do të merret një përgjigje negative për herë të tretë dhe kjo nuk është përgjegjësi partiake e PS-së apo e Edi Ramës. Këtë çështje nuk do të na i falin as të djathtë dhe as të majtë. Ne duam të vijmë në pushtet dhe po bëjmë të gjitha përgatitjet tona për të ardhur në pushtet, ashtu siç vjen një parti serioze me zgjedhje të rregullta dhe një program.
A vini në pushtet pa LSI-së z. Ruçi?
Absolutisht po. Ne po kërkojmë që të bëhen ato katër reforma që unë përmenda.
Tani, në përfundim të mandatit, u kujtuat t’i kërkonit këto z. Ruçi?
Jo, ne këto i kemi kërkuar që në fillim. Nëse Shqipëria do të kishte bërë zgjedhje të rregullta në 2009-n dhe 2001-shin, do ta kishte marrë ftesën. Nëse vendi ynë do të kishte një funksionim normal të institucioneve, që nga Parlamenti. Vërejtja kryesore për Shqipërinë është funksionimi i Parlamentit dhe sot e kësaj dite ne kemi dhe nuk kemi një Parlament demokratik. Ka katër funksione ky institucion, së pari arena dhe vendi ku komunikohet dhe njerëzit dëgjojnë hallet dhe problemet dhe aty në mënyre të njëanshme nuk i jepet fjala opozitës për t’i dhënë përgjigje Kryeministrit, përkundrazi, ndryshohet Rregullorja në mënyrë të njëanshme. Së dyti, funksioni bazë i Parlamentit është ligjvënia dhe u ngrit një furtunë e madhe se opozita kishte penguar ligjet me shumicë të cilësuar dhe duke menduar se BE nuk na pranonte ne për Kodin Detar, atë Hekurudhor, që as hekurudha nuk kishte, për atë Ajror dhe për tre apo katër ndryshime në Kodin Penal apo për Gjykatën Administrative, kur sistemi ynë i Drejtësisë është ku thërret kiameti.
Ju thatë që Rama është konsultuar për takimin me z. Meta. Cila është këshilla që ju i keni dhënë kreut të PS-së?
Kur ne kemi marrë hapin që lideri i PS të ulet të dialogojë me liderët e partive të tjera, të gjithë faktorët apo aktorët e PS-së kanë qenë dakord. Rrugët për këto takime janë të ndryshme, nga bisedat telefonike apo sy më sy.
Kush ishte negociator i këtij takimi?
Unë di vetëm zotin Rama dhe zotin Meta, dhe unë di që negociatori është telefoni.
Kush ka telefonuar i pari?
Sigurisht që z.Rama, pasi ai ishte nismëtari. Jam i bindur dhe jam garant që këto biseda mundësuan takimet mes tyre.
A është e vërtetë që z.Rama i ka kërkuar falje z. Meta?
Mua nuk me rezulton kjo, dhe takimi nuk ka qenë as për të kërkuar falje dhe as për të kërkuar llogari. Objekti i takimit ka qenë vetëm një, si të shikojmë nga ardhmja për të zgjidhur ato probleme që janë të përbashkëta dhe për të mos bërë asnjë kulisë amoraliteti që imagjinata e natyrshme e publikut mendon. Në ato takime nuk u bisedua më pak e as më shumë se çështja e Presidentit, reformës parlamentare dhe zgjedhore, si dhe çështja e imunitetit. Me erdhi mirë që dhe z. Meta kishte të njëjtin shqetësim.
Sa është mundësia e një koalicioni me LSI-në për zgjedhjet e 2013-s?
Kur vjen puna për koalicione parazgjedhore apo paszgjedhore, unë asnjëherë nuk them jo për askënd. Sigurisht që nuk bëhet fjalë për një koalicion parazgjedhor të LSI për PS, sepse të dyja palët janë në koalicion. Nëse LSI nuk qëndron më në atë koalicion dhe qëndrimet e saj përafrohen me opozitën, atëherë pse jo. Kur thashë me çdo parti tjetër, aq më pak me LSI, pasi ka shumë pika programore të përbashkëta dhe ka dalë nga kjo parti, atëherë nuk është më problem koalicioni PS-LSI, por koalicioni PD-LSI.
Megjithatë, ju thatë për një pjesë të njerëzve kjo ka sjellë zhgënjim dhe për disa të tjerë, siç tha z.Rama, kjo ka sjellë mllefosje. Ju si i përgjigjeni kësaj?
Vlerësimi jo tek të gjithë dhe jo në një kohë nuk është njësoj. Është normale që edhe kush nuk bie dakord me lëvizje të tilla politike t’i jepet kohë dhe duhet të kuptojë pse është e mirë kjo lëvizje, ashtu si edhe ai që është i ekzaltuar të jetë me këmbë në tokë.
Si është pritur kjo në bazë z. Ruçi?
Unë kam bërë lëvizje në bazë dhe pashë që takimi nuk është pritur keq, përkundrazi, është pritur mirë. Për këtë takim kemi pasur parasysh edhe mendimin e bazës dhe duke ditur qëndrimin e tyre kemi ndërmarrë këtë hap.
Është e vërtetë që ekziston një formulë që Rama bën Metën President dhe Meta bën Ramën Kryeministër?
As PS nuk e bën dot Metën President dhe as Meta nuk e bën dot Ramën Kryeministër. Objekti i takimeve nuk ka qenë asnjë emër i përveçëm.
Ka disa sentimente njeriu që, pavarësisht politikës, nuk i ndan dot. Për shembull, a ndjetë diçka kur z. Nano erdhi dhe iu kërkoi që ta mbështesnit për President, duke qenë se ai ka qenë kryetari i PS-së për shumë vite?
Ambicia që z. Nano kishte shpallur për President dhe kërkesa e tij për të takuar liderin e PS dihej prej kohësh. Në këtë mënyrë, ne emrin e Presidentit nuk e morën kur Nano bëri kërkesën për President, kreu i PS prej muajsh të tërë kishte punuar për këtë çështje. Takimi i z.Rama me z. Nano ishte tashmë i dakordësuar nga e gjithë PS dhe ishte menduar se cili do të ishte qëndrimi që ne do të mbanim për këtë veprim.
Sa i ka shanset z. Nano që të jetë President?
Nuk e di, dhe unë nuk kam dëshirën të privoj as ambicien e z. Nano dhe as të askujt që të jetë President. Unë respektoj z. Nano, sepse nga të gjithë politikanët ai është më i provuari dhe ka staturën si shtetar.
Ju mund të jeni President?
Jo nuk e kam atë ambicie dhe është bërë një inflacion kjo puna e emrave për President.
A mund të cilësoheni ju si i dyti i përhershëm në PS z. Ruçi?
Jo nuk është kështu. Unë vërtet kam mbajtur disa pozicione të rëndësishme në PS, por kjo parti ka kaluar në disa furtuna të tmerrshme dhe të gjithë kolegët kanë qenë të prekur nga këto akuza që i janë bërë që nga z. Pëllumbi, Dokle, Majko, apo edhe ato zonjat të nderuara që janë pjesë e PS-së edhe sot e kësaj dite. Nëse ka pasur garë brenda një partie, ka qenë vetëm brenda PS-së me një të drejtë të plotë fjale. Brenda PS-së ka debate, dhe këto debate kanë qenë edhe me Gramoz Ruçin. Unë nuk jam nga ata që edhe kur mendimi im është në minorancë të dal e të bëj prezent se unë nuk jam dakord me të tjerët, pasi unë i di rregullat e lojës dhe të jesh pjesë e një partie duhet të heqësh dorë nga disa prej lirive të tua dhe do t’i nënshtrohesh lirisë së shumicës dhe këto janë ca rregulla elementare. Nëse do të themi që më mirë i dyti i përhershëm, sesa i dyti i përkohshëm, dua të them se unë kam dhënë tri herë dorëheqjen. E kam dhënë njëherë para se të largohesha emigrant në 1996, më pas u zgjodha si sekretar Kordinativ, kur Nano ishte Kryeministër dhe më pas, me rikthimin e tij si kryetar, unë dhashë sërish dorëheqjen dhe së treti, para se të zgjidhej Rama kryetar unë dhashë dorëheqjen. Ja pra që edhe kur Nano dhe Rama u zgjodh kryetar, ishin në këtë detyrë pa Ruçin.











