Partia Socialiste i kërkoi Drejtësisë të zbardhë sa më parë incidentin me deputetin socialist, Ilir Gjoni. Kryetari i Grupit Parlamentar socialist, Gramoz Ruçi, duke folur nga selia rozë dënoi ngjarjen ku u dhunua deputeti i PS-së, Ilir Gjoni, e cila sipas tij ka lidhjen me manipulimin e zgjedhjeve të Tiranës.
“Vëllai i kryetari të Minibashkisë 3, Ilir Kokonës, dhunoi fizikisht dhe me fyerje të rënda deputetin e PS, Ilir Gjoni.
Ngjarja lidhet e gjitha me skemën e manipulimin shtetëror të zgjedhjeve të 8 majit, të cilën ne e kemi denoncuar çdo ditë. Për këtë shkak dhe për këtë arsye, dhuna fizike dhe verbale iu kthye dje deputetit të PS, Ilir Gjoni, i cili gjendej thjeshtë në zyrën elektorale të kësaj njësie elektorale, në prani të dhjetëra qytetarëve që shikonin të tmerruar këtë gjë”, u shpreh Ruçi. Sipas tij, dhuna e ushtruar ndaj deputetit Ilir Gjoni dhe të zgjedhurve të PS tregon qartë se përpara vjedhjes së votës pushteti i Sali Berishës nuk kursen asgjë, as dhunën ndaj deputetëve dhe as dhunën ndaj opozitës, ndaj të cilëve mund të ushtrohet ajo pa pikë frike, se ligji nuk ndëshkon askënd.
Kreu i Grupit Parlamentar socialist akuzoi kryeministrin Berisha se po nxit kriminelët të dhunojnë të zgjedhurit e opozitës dhe për të përhapur terrorin. “Ky është shteti i Sali Berishës, që nga një anë përgjërohet për bashkëpunim me opozitën dhe nga ana tjetër nxit falangat e republikës së frikës që të dhunojnë opozitën. Kujtojmë, Fatmir Xhindi u vra në derën e shtëpisë, autori nuk u gjet. Kryetari i komunës, Remzi Veseli, u vra në derën e shtëpisë dhe prapë nuk dihet kush e vrau atë. 4 qytetarë të pafajshëm u vranë në bulevard, autorët dihen, por pushteti nuk lejon Drejtësinë të merret me ta”, u shpreh Ruçi.











