Rubio, shumë dilema për formacionin anti-Skënderbe

Aug 15, 2011 | 11:50
Tirana në seance stërvitore

Situata në kampin bardheblu në prag të Superkupës duket e qetë, por kjo s’do të thotë se shqetësimet nuk mungojnë. Pas fundjavës pushim, ekipi është më shumë se i karikuar për të nisur nga puna për ndeshjen e së enjtes. Sakaq, Rubio ka edhe katër ditë kohë për ta ndarë mendjen për formacionin. Sipas asaj që ka deklaruar trajneri, ai ende nuk e ka krijuar idenë e formacionit ideal, kjo pasi ka disa dilema të vogla. Për pjesën difensive ndihet i sigurt, kjo pasi me Likën në portë dhe pjesën tjetër të mbrojtjes ka një siguri më shumë. Dilemat nisin në mesfushë dhe përfundojnë në sulm. Mungesat në repartin e mesit të fushës, si ajo e Ferrajt, por edhe Karabeci që është në dilemë, janë shqetësuese për teknikun. Megjithatë, për Karabecin do të shpresohet deri në momentin e fundit, kjo pasi lojtari po vijon edhe përgatitjet. Pjesa ofensive ka problemet e saj, teksa edhe variantet janë të pakta. Rubio ka shprehur nota pozitive për Balën, i cili në dy ndeshjet e fundit miqësore është zhbllokuar duke shënuar tre gola.

Pergatitjet

Tirana edhe dje e ka pasur pushim. Spanjolli i ka njoftuar të tijtë se vetëm sot paradite (09:30) do të vijojnë zyrtarisht punën për ndeshjen e Superkupës kundër Skënderbeut. Bardheblutë kanë vetëm katër ditë në dispozicion për të riparuar çdo gabim të hasur në miqësoret e kësaj periudhe përgatitore. Ka të ngjarë që po sot të zbardhen disa pikëpyetje rreth çështjeve të tjera të rëndësishme të klubit, si presidenca apo shefi i klubit.

Merkatoja

Te Tirana mendojnë të afrojnë minimalisht edhe dy lojtarë të tjerë, kjo menjëherë pas kërkesës që trajneri Rubio i ka bërë presidentit Halili. Spanjolli dëshiron që të ketë në skuadër një sulmues tjetër dhe një mesfushor qendre. Sa i përket kërkesës së parë, mësohet se kreu i klubit është vënë në lëvizje. Mlladen Bërkiç është emri i cili është vënë në fokusin e skuadrës bardheblu, ndonëse ende nuk ka asgjë konkrete.

© Panorama.al

Te lidhura