Afrimi i një lojtari të ri, krejtësisht të panjohur, ka acaruar Hulian Rubion. Kjo jo për faktin se nuk mirëpret prurje të reja në skuadër, përkundrazi, por
pasi nuk ishte njoftuar për këtë afrim. Burime të sigurta pranë bardhebluve për “Panorama” bëjnë me dije se spanjolli është lodhur nga ndërhyrjet
dhe nga tendenca që kanë njerëz afër klubit për të bërë “shkesi”. Një fakt i tillë
e shqetëson shumë, megjithatë, Rubio ngushëllohet nga premtimi që i ka dhënë vetë presidenti Refik Halili. Ky i fundit i ka dhënë dorë të lirë
trajnerit dhe, menjëherë pasi spanjolli firmosi për Tiranën, i ka thënë se do të jetë ai Zot për këtë ekip. Lojtari në fjalë kishte ardhur nga Greqia dhe
luante si mbrojtës i krahut të majtë ose si qendërmbrojtës. Saktësohet se trajneri nuk e ka me lojtarin në fjalë, por me gjestin, pasi paraprakisht preferon që të informohet për lëvizjet që ndodhin në skuadër, duke qenë se ai është i pari i pankinës bardheblu. Kujtojmë që Rubio e ka përmendur disa herë edhe në deklaratat që ka dhënë për mediat, se ai nuk i pranon
ndërhyrjet. Në rast se do të ndodhte një gjë e tillë, ai do të parapëlqente të merrte valixhet dhe të kthehet në Spanjë. Gjithsesi, situata nuk
është absolutisht kaq e rëndë, pasi ka qenë thjesht një problem momental që ka marrë zgjidhje shumë shpejt. Mësohet se trajneri është i kënaqur me kontingjentin që disponon aktualisht, ndaj do t’i besojë edhe në të ardhmen.
Nuk pritet të ketë largime, thjesht do t’u jepet kohë ekzistuesve që përshtaten
me lojën e njëri-tjetrit. Në rast se kjo gjë arrihet, atëherë Tirana do të jetë e
gatshme që të përballojë edhe sezonin. Ndonëse dihet që tekniku spanjoll
kërkon disa ndërhyrje të vogla dhe këtë e ka pohuar vetë gjatë deklaratave që ka dhënë për mediat. Repartet që pritet të kenë përforcime do të jenë sidomos në sulm, por edhe në mbrojtje. Gjithsesi, se sa do të realizohen
këto blerje, kjo do të zbardhet vetëm në ditët në vijim.











